• e hënë, 08 qershor 2026

Putini arrin për vizitë shtetërore në Kinë, temë kryesore sfidat ndërkombëtare

Putini arrin për vizitë shtetërore në Kinë, temë kryesore sfidat ndërkombëtare

Pekin, 19 maj 2026 (MIA) – Presidenti rus Vlladimir Putin ka arrit sot për vizitë shtetërore në Kinë, me ftesë të presidentit kinez Si Xhinping, njoftoi agjencia shtetërore kineze e lajmeve Sinhua.

Kjo është vizita e 25-të e Putinit në Kinë ku gjatë qëndrimit sot dhe nesër, dy presidentët do të shkëmbejnë mendime mbi marrëdhëniet bilaterale, bashkëpunimin në fusha të ndryshme, si dhe çështjet ndërkombëtare dhe rajonale me interes të përbashkët, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës.

Ky vit shënon 30-vjetorin e themelimit të Partneritetit strategjik për koordinim dhe 25-vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim miqësor midis Kinës dhe Rusisë. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze tha se të dy vendet do ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të thelluar dhe ngritur më tej marrëdhëniet, me qëllim të sjellin më shumë stabilitet dhe energji pozitive në botë.

Agjencia ruse TASS raporton se programi i punës së Putinit është jashtëzakonisht i ngjeshur. Ndihmësi i tij për çështjet ndërkombëtare, Juri Ushakov, vuri në dukje se ngjarja më e rëndësishme e vizitës do të jetë një bisedë joformale "çaj" midis Putinit dhe presidentit kinez mbi çështjet më urgjente globale. Përpara këtij takimi në një rreth të ngushtë, janë planifikuar negociata ruso- kineze në nivel delegacionesh, takim me kryeministrin kinez Li Çijang, hapja e viteve të përbashkëta të arsimit, si dhe vizitë në një ekspozitë të përbashkët të TASS dhe Sinhua kushtuar historisë së marrëdhënieve dypalëshe.

Në aeroportin e Pekinit, presidenti rus u prit me nderimet më të larta, flamuj shtetërorë dhe garda e nderit. Putini u prit nga ministri i Jashtëm kinez Vang Ji, me të cilin pati një bisedë të shkurtër, si dhe nga ambasadori kinez në Moskë, Xhang Hanhui dhe ambasadori rus në Kinë, Igor Morgulov.

Foto: DPA

QËNDRONI TË LIDHUR