• e mërkurë, 09 korrik 2025

Putin dhe Si Xhinping në një bisedë telefonike i dënuan sulmet e Izraelit ndaj Iranit

Putin dhe Si Xhinping në një bisedë telefonike i dënuan sulmet e Izraelit ndaj Iranit

Moskë, 19 qershor 2025 (MIA) - Presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti kinez Si Xhinping në një bisedë telefonike i dënuan sulmet e Izraelit ndaj Iranit dhe ranë dakord se është i nevojshëm deeskalim, kumtoi Kremlini.

Të dy “dënojnë fuqimisht veprimet e Izraelit, të cilat shkelin Kartën e OKB-së dhe normat e tjera të së drejtës ndërkombëtare”, deklaroi këshilltari presidencial Jurij Ushakov për gazetarët. 

"Edhe Moska edhe Pekini janë plotësisht të bindur se nuk ka zgjidhje ushtarake për situatën aktuale dhe çështjet që lidhen me programin bërthamor të Iranit. Kjo zgjidhje duhet të arrihet ekskluzivisht përmes mjeteve politike dhe diplomatike", tha Ushakov.

Rusia paralajmëroi një katastrofë nëse konflikti midis Izraelit dhe Iranit, i cili vazhdon tashmë prej shtatë ditësh, eskalon më tej dhe i bëri thirrje SHBA-së të mos i bashkohen bombardimeve të cilat i kryen Izraeli. 

.Ditët e fundit, Putini ka folur në telefon me presidentin amerikan, Donald Tramp, kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu dhe presidentin iranian Masud Pezeshkijan duke përsëritur vazhdimisht se Rusia është e gatshme të ndërmjetësojë midis palëve ndërluftuese. Deri më tani, askush nuk e ka pranuar propozimin e Rusisë, transmetojnë agjencitë botërore.

Putini sot e përsëriti propozimin në një bisedë telefonike me Si, i cili është aleati i tij i ngushtë. Nga ana e tij, lideri kinez shprehu mbështetje për idenë, tha Ushakov, "sepse ai beson se kjo mund të shërbejë për deeskalim të situatës aktuale të tensionuar". ls/

Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR