• e diel, 15 nëntor 2026

Psikologia bullgare Jana Koteva për MIA-n: Shpirti dhe trupi nuk duhen ndarë, ato ndikojnë në mënyrë të pashmangshme tek njëri-tjetri dhe shërohen së bashku

Psikologia bullgare Jana Koteva për MIA-n: Shpirti dhe trupi nuk duhen ndarë, ato ndikojnë në mënyrë të pashmangshme tek njëri-tjetri dhe shërohen së bashku

Shkup, 19 qershor 2026 (MIA)- Jana Koteva është psikologe e aplikuar me studime master në Universitetin e Plovdivit “Paisij Hilendarski”. Ajo është specialiste e terapisë afatshkurtër të orientuar drejt zgjidhjeve të shpejta (Solution-Focused Brief Therapy - SFBT), e udhëhequr nga motoja praktike: “Ka një rrugë përpara.” Ajo që e bën praktikën e saj unike është ndërthurja e psikologjisë së sjelljes dhe asaj kriminale me nutricionizmin holistik dhe mjekësinë psikosomatike – një fushë që e përsos nën mentorimin e ekspertëve italianë nga Qendra e Shkencave Shëruese “Alhimia”.

Me një numër mbresëlënës prej mbi 15.000 konsultimesh onlajn të realizuara, në vend që të ndërtojë emrin e saj përmes mediave tradicionale, ajo ka krijuar markën e saj të fuqishme drejtpërdrejt në hapësirën digjitale, duke e afruar psikologjinë me njerëzit në ambientin e tyre më të rehatshëm – shtëpinë e tyre.

“Shpesh njerëzit kërkojnë koncepte të ndërlikuara për një jetë të mirë, ndërsa e vërteta është se shëndeti mendor mbështetet mbi baza të arritshme dhe krejtësisht të thjeshta. Flini mjaftueshëm. Vallëzoni në kuzhinë. Këndoni nën dush. Kujdesuni për një të moshuar. Qeshni me një fëmijë. Ujitni lulet. Ushqeni një kafshë. Por mos e filloni dhe mos e përfundoni ditën në rrjetet sociale”, këshillon Koteva lexuesit e MIA-s.

Ju shpesh theksoni se emocionet dhe trupi fizik janë një tërësi. Si e lidhni konkretisht mjekësinë psikosomatike me nutricionizmin holistik në praktikën tuaj? A mund të dalë një njeri nga një krizë emocionale nëse nuk ndryshon shprehitë fizike dhe ato ushqimore?

– Vërtet nuk duhet ta ndajmë psikën nga trupi. Në praktikën time vërej çdo ditë se si përvojat traumatike të papërpunuara nga e kaluara shndërrohen gradualisht në pagjumësi, ankth, çrregullime në të ushqyerit ose rraskapitje kronike (burnout). Biomolekulat në organizmin tonë reagojnë vazhdimisht ndaj emocioneve që përjetojmë.

Një shembull i kësaj është aktivizimi i tepërt i sistemit nervor simpatik (reaksioni “lufto ose ik”). Nëse qëndrojmë për një kohë të gjatë në gjendje me nivel të lartë të kortizolit dhe adrenalinës, ajo bëhet kronike dhe na çon në çekuilibër hormonal, rezistencë ndaj insulinës, çrregullime të funksionit të gjëndrës tiroide dhe probleme me hormonet seksuale.

Në këtë kuptim, është e dëshirueshme të punojmë si me fijet e padukshme të emocioneve, ashtu edhe me manifestimet e tyre të matshme trupore. Nuk mund të pretendojmë se ushqimi i shëndetshëm ose gjumi cilësor zgjidhin gjithçka, por shpirti dhe trupi ndikojnë në mënyrë të pashmangshme tek njëri-tjetri dhe shërohen së bashku.

Motoja juaj është “Ka një rrugë përpara” dhe ju preferoni terapinë afatshkurtër të orientuar drejt zgjidhjeve të shpejta. Si arrini të gjeni menjëherë një zgjidhje për të tashmen, pa humbur kohë në analiza të gjata dhe gërmime në traumat e së kaluarës?

– E kaluara është themeli dhe në të fshihen shumë nga përgjigjet për pyetjet tona më të rëndësishme, por nuk duhet të mbetemi robër të historisë sonë personale!

Kam takuar shumë njerëz që prej vitesh analizojnë pse janë lënduar, por nuk bëjnë asnjë hap drejt një jete më të mirë.

Prandaj, nëse duhet ta përshkruaj qasjen që preferoj, do ta përkufizoja kështu: “E respektojmë të kaluarën, por punojmë për të ardhmen.” Po, me siguri do të kërkojmë shkakun e mënyrës se si ndihemi në shtresat më të thella të vetëdijes dhe në gjithçka që ka ndodhur më parë, por njëkohësisht do të kërkojmë edhe mundësinë e parë funksionale për të ndryshuar mënyrën e të menduarit dhe zakonet. Një veprim i vogël, i kryer me përkushtim çdo ditë, ka më shumë fuqi shëruese sesa njëqind qëllime të mira dhe tre libra për vetëndihmë.

Keni pas vetes më shumë se 15.000 konsultime onlajn. Si arrini përmes ekranit, Viber-it ose Mesinxher-it të krijoni empati të vërtetë dhe të “lexoni” saktë shenjat joverbale të klientit që ndodhet kilometra larg?

– Pas 15.000 takimeve konsultative, mund të konfirmoj se afërsia njerëzore nuk varet nga distanca. Ajo varet nga fakti nëse dikush vërtet mundet dhe dëshiron t’ju ndihmojë.

Psikologu i mirë di të dallojë nuancat në tonin e zërit, pauzat mes fjalëve, luhatjet e zërit, psherëtimat e padukshme, fjalët që njeriu zgjedh dhe ato që i lë pa thënë.

Gjatë takimeve onlajn, njerëzit relaksohen shumë më tepër sepse ndodhen në mjedisin e tyre dhe ndihen më të sigurt, më të qetë dhe më të mbrojtur.

Fatmirësisht, mirëkuptimi, mbështetja, dashuria për profesionin dhe për njerëzit, etika dhe empatia nuk varen nga afërsia fizike. Ato mund të ekzistojnë edhe përtej oqeaneve dhe kilometrave, por mund të mungojnë edhe kur qëndrojmë centimetra larg njëri-tjetrit.

Ju ndihmoni shumë njerëz që kanë përjetuar dhunë emocionale. Cilat janë simptomat e para alarmuese psikosomatike që tregojnë se dikush ndodhet në një marrëdhënie shkatërruese dhe si duket hapi i parë, më i vështiri, drejt rikthimit të vetëbesimit të humbur?

– Shenjat e para zakonisht përjetohen si ankth, ndjenjë faji, frikë për të thënë atë që mendon, për të shprehur qartë nevojat e tua, si dhe bindja se po ecën mbi akull të hollë dhe kurrë nuk e di se cili do të jetë reagimi i personit përballë.

Hapi më i vështirë është momenti kur njeriu duhet t’i pranojë vetes: “Kjo nuk është një marrëdhënie e plotë dhe e shëndetshme, por një lidhje e bazuar në traumë dhe varësi.” Prej aty fillon rikthimi i vlerës dhe dinjitetit personal.

Jetojmë në një kaos stresi, ushqimi të shpejtë dhe rrjetesh sociale. Në profilin tuaj në Facebook shpesh ndani lista me udhëzime, ndaj na tregoni drejtpërdrejt: cilat janë shprehitë kryesore të higjienës mendore që njeriu modern duhet t’i vendosë menjëherë në përditshmëri për të parandaluar ankthin dhe rraskapitjen emocionale?

– Njerëzit shpesh kërkojnë koncepte të ndërlikuara për një jetë të mirë, por e vërteta është se shëndeti mendor mbështetet në baza të arritshme dhe krejtësisht të thjeshta.

Flini mjaftueshëm. Vallëzoni në kuzhinë. Këndoni nën dush. Kujdesuni për një të moshuar. Qeshni me një fëmijë. Ujitni lulet. Ushqeni një kafshë.

Por mos e filloni dhe mos e përfundoni ditën në rrjetet sociale. Në vend të kësaj, dhurojini vetes ato çaste dhe dëgjoni çfarë ka për t’ju thënë ajo pjesë e juaja që askush nuk e sheh.

Është shumë e rëndësishme të mësoni ta doni shoqërinë tuaj. Dhe edhe diçka: mos qëndroni shumë gjatë në marrëdhënie që ju lodhin më shumë sesa ju pasurojnë dhe ju frymëzojnë.

Higjiena mendore është një kujdes i thjeshtë i përditshëm, jo një veprim që e ndërmarrim vetëm kur tashmë jemi rraskapitur.

Sipas praktikës suaj, si funksionon mendja mashkullore dhe si ajo femërore kur lind konflikt në marrëdhënie? Si mund t’i harmonizojnë partnerët modernë rolet e tyre pa e humbur burri energjinë mashkullore dhe gruaja energjinë femërore?

– Nuk i pëlqej ekstremet dhe përgjithësimet, sepse çdo njeri është i ndryshëm. Por në praktikën time shpesh shoh se kur paraqitet një problem, burri e vëzhgon pamjen e përgjithshme dhe kërkon një zgjidhje praktike, ndërsa gruas fillimisht i nevojitet ngrohtësi, dikush që ta dëgjojë dhe mirëkuptim.

Dhe pikërisht aty fillojnë konfliktet. Njëri ofron një rrugëdalje të shpejtë nga situata, sepse kjo është mënyra e tij për të ecur përpara, ndërsa tjetri ka nevojë fillimisht të dëgjohet dhe të shihet, para se të marrë një vendim dhe ta integrojë ngjarjen si pjesë të historisë së vet.

Për mua, marrëdhëniet me cilësi të lartë nuk janë betejë mes energjisë mashkullore dhe asaj femërore. Një lidhje e mirë është takimi i dy njerëzve të pjekur që zgjedhin të respektojnë njëri-tjetrin edhe kur mendojnë dhe ndiejnë ndryshe.

Në postimet tuaja emocionale shpesh shkruani për “fëmijën e brendshëm” dhe për faktin se jo gjithçka është faji ynë. Cilat janë plagët më të shpeshta që tregojnë se kemi humbur lidhjen me atë fëmijë brenda nesh dhe si mund ta “përqafojmë” praktikisht për t’i lejuar vetes gëzim të pastër?

– Të gjithë ne mbajmë brenda vetes një fëmijë të buzëqeshur, me akullore limoni të derdhur në mjekër. Ai fëmijë ruan kujtimet e frikërave, ëndrrave, plagëve dhe mallërave tona të para.

Kur humbasim lidhjen me të, bëhemi tepër të ftohtë dhe pragmatikë. Bëhemi punëtorë të varur nga puna (workaholic eng.) që jetojnë, flenë dhe ushqehen si robotë. Ndërpresim të gëzohemi për gjërat e vogla: për ditën e re, për një filxhan çokollatë të ngrohtë, për një perëndim të bukur dielli. E kemi të vështirë të lidhemi me njerëzit rreth nesh, nëse arrijmë fare ta bëjmë këtë. Ndjejmë zbrazëti dhe mungesë kuptimi. Pikërisht e kundërta e jetës që fëmijët e jetojnë natyrshëm çdo ditë!

Për mua, takimi me fëmijën e brendshëm është takim me cenueshmërinë dhe autenticitetin tonë. Kur ndalojmë së luftuari me veten, fillon shërimi i thellë dhe i qëndrueshëm.

Ju shkruani se kur “njeriu i fortë” hesht dhe largohet pa skena – kjo është një vendim përfundimtar për shpëtim. Cilat janë shenjat e padukshme që tregojnë se dikush që për vite me radhë ka qenë “shtylla mbajtëse” për të gjithë rreth vetes po arrin në këtë pikë thyerjeje? Si mund të mësojnë këta njerëz të kërkojnë ndihmë para se heshtja e tyre të shndërrohet në një lamtumirë të përhershme?

– Nuk shqetësohem për njerëzit që dinë të qajnë dhe dinë të kërkojnë ndihmë në kohë. Ata janë njerëz të vetëdijshëm dhe të guximshëm.

Shqetësohem më shumë për ata që buzëqeshin dhe thonë: “Jam mirë”, përderisa brenda vetes shpërbëhen plotësisht.

Njerëzit e fortë janë mësuar ta mbajnë gjithë barrën mbi supet e tyre. Ata japin mbështetje, por rrallë i lejojnë vetes ta kërkojnë atë për vete.

Dhe kur një njeri i tillë fillon të tërhiqet, të heshtë dhe të humbasë interesin për botën rreth tij, kjo është një shenjë alarmante e rraskapitjes emocionale dhe fizike.

Unë besoj se forca më e madhe në këtë botë nuk është të shtrëngosh dhëmbët dhe ta përshkosh rrugën e jetës krejtësisht vetëm. Forca më e madhe është të thuash: “Kam nevojë për ndihmë”, para se të jetë tepër vonë.

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR