• e mërkurë, 07 tetor 2026

Prokurori: Ish presidenti i Kosovës, Thaçi, kishte formuar grupe me qëllim që të ndikonte te dëshmitarët

Prokurori: Ish presidenti i Kosovës, Thaçi, kishte formuar grupe me qëllim që të ndikonte te dëshmitarët

Prishtinë, 10 shtator 2026 (MIA) - Gjykata Speciale për Kosovën në Hagë, sot po shqyrton aktakuzën në rastin kundër ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe disa personave të tjerë të dyshuar për pengim të drejtësisë.

Gjykimi për pengimin e drejtësisë filloi në fund të muajit shkurt, ndërsa të akuzuar janë edhe ish komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), tashmë e shpërbërë, Isni Kilaj, ish shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Bashkim Smakaj, ish pjesëtari i UÇK-së, Fadil Fazliu, si dhe ish ministri i Drejtësisë së Kosovës, Hajredin Kuçi.

Sipas prokurorëve, Thaçi, Kilaj, Smakaj, Fazliu dhe Kuçi janë përpjekur të ndikojnë në dëshminë e dëshmitarëve në një rast tjetër, në të cilin Hashim Thaçi dhe tre ish komandantë të tjerë të UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Në seancën e sotme, ku u dëgjuan fjalët përfundimtare të prokurorisë, kryeprokurorja Kimberli Vest deklaroi se rasti i Thaçit përmban "orë të tëra regjistrimesh dhe dokumentesh që dëshmojnë për pengim të drejtësisë".

Ajo theksoi se Thaçi kishte formuar grupe të vogla me të akuzuarit e tjerë në rastin për pengim të drejtësisë, të cilët njihnin disa nga dëshmitarët. Sipas saj, qëllimi i tyre ishte të ndikonin në dëshminë e dëshmitarëve në mënyrë që ajo t’u përshtatej dëshirave të Thaçit.

Vest theksoi gjithashtu se Thaçi u kishte dhënë udhëzime të akuzuarve të tjerë se si t’i ndryshonin deklaratat e tyre të mëparshme.

Katër ish komandantët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, u arrestuan në Hagë më 4 dhe 5 nëntor të vitit 2020, pasi u konfirmua aktakuza kundër tyre për krime të pretenduara lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999. Të katër u deklaruan të pafajshëm dhe mohuan të gjitha akuzat. Rasti kundër tyre filloi në Gjykatën Speciale për Kosovën në Hagë më 3 prill të vitit 2023. Në fillim të muajit shkurtit të vitit 2026, Prokuroria pranë Gjykatës Speciale për Kosovën në Hagë kërkoi nga 45 vjet burg për secilin nga katër ish-liderët e UÇK-së, ndërsa pasi dëgjoi fjalët përfundimtare të palëve në fillim të vitit, Gjykata Speciale njoftoi se dënimet e katër ish-liderëve të UÇK-së do t’i shpallë më 16 shtator. qa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR