• e enjte, 17 shtator 2026

Privohen nga liria 16 shoferë për drejtim të pakujdesshëm të automjetit – 10 nën ndikimin e alkoolit

Privohen nga liria 16 shoferë për drejtim të pakujdesshëm të automjetit – 10 nën ndikimin e alkoolit

Shkup, 16 gusht 2026 (MIA) - Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë territorin e vendit, nëpunësit policorë kanë arrestuar 16 shoferë për shkak të drejtimit të pakujdesshëm të automjetit motorik. Prej tyre, 10 drejtonin automjetin nën ndikimin e alkoolit.

 "Shoferë nga Tetova, Koçani, Kërçova, Prilepi dhe Portugalia janë ndaluar dhe gjatë alkooltestit tek ata është konstatuar prania e alkoolit. Një shofer nga Turqia, të cilit i janë matur 1,98 promilë alkool në gjak, ka shkaktuar aksident rrugor, me ç’rast ka goditur një automjet të parkuar. Në një rast tjetër, një shofer nga Dellçeva është përplasur në kopshtare, ndërsa gjatë alkooltestit tek ai janë matur 1,82 promilë alkool në gjak", bëri të ditur Ministria e Punëve të Brendshme.

 Nga Ministria theksojnë se gjashtë persona drejtonin automjete pa patentë shoferi. Shoferë nga Shkupi, Tetova dhe Sveti Nikolla drejtonin automjete të udhëtarëve pa poseduar patentë shoferi, ndërsa dy të mitur drejtonin motoçikleta pa patentë shoferi.

 MPB paralajmëron se pas dokumentimit të plotë të rasteve, ndaj të gjithë personave do të parashtrohen kallëzime penale përkatëse.

 U bëjmë apel të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të mos ulen në timon nën ndikimin e alkoolit, të mos drejtojnë automjetin pa e dhënë provimin e vozitjes dhe t’i respektojnë ndalimet e shqiptuara për drejtimin e automjeteve motorike.

"Sjellja e përgjegjshme e secilit individ ka rëndësi thelbësore për parandalimin e aksidenteve rrugore dhe ruajtjen e jetëve njerëzore. Të jemi pjesëmarrës të përgjegjshëm në trafik dhe së bashku të kontribuojmë për rrugë më të sigurta", theksohet në apelin e MPB-së.

 Foto: MPB

 

QËNDRONI TË LIDHUR