• e enjte, 15 tetor 2026

Presidentja Siljanovska-Davkova me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake priti presidenten e Indisë, Drupadi Murmu

Presidentja Siljanovska-Davkova me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake priti presidenten e Indisë, Drupadi Murmu

Shkup, 21 korrik 2026 (MIA) - Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova sot me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake e priti presidenten e Republikës së Indisë, Drupadi Murmu e cila ndodhet për vizitë zyrtare dyditore në vend.

Pas ceremonisë solemne, Siljanovska-Davkova dhe Murmu u nisën për në takim kokë më kokë, ku do të mbahet takim plenar i delegacioneve të vendit dhe atyre indiane si dhe konferencë e përbashkët për shtyp e të dy presidenteve.

Presidentja indiane arriti në Shkup mbrëmë dhe u prit në aeroportin e Shkupit nga ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski.

"Në kuadër të vizitës janë planifikuar disa takime dhe aktivitete. Pres që ato të konfirmojnë marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe dhe të japin një impuls të ri mbi promovimin e mëtejshëm të bashkëpunimit politik dhe ekonomik midis dy vendeve", shkroi Mucunski në Fejsbuk.

Është paraparë që presidentja e Republikës së Indisë të vendosë kurorë me lule te varri i Goce Dellçevit në kishën "Shën Spas" në Shkup.

Presidentja indiane do të takohet gjithashtu me kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, do të nënshkruhet në Librin e përshtypjeve dhe do të mbajë fjalim para deputetëve në Parlamentin e Maqedonisë. 

Pasdite do të mbahet forum biznesor mes Maqedonisë dhe Indisë i organizuar nga kabineti i presidentes në bashkëpunim me Drejtorinë për diplomaci ekonomike në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme. Në hapje të forumit të biznesit, ku do të mbajnë fjalime presidentja Siljanovska-Davkova dhe presidentja Murmu, do të prezantohen mundësitë investuese të vendit. 

Në ditën e dytë të vizitës zyrtare, presidentet do të vizitojnë Shtëpinë përkujtimore të Nënë Terezës dhe Muzeun e Qytetit të Shkupit, ku do të mbajnë fjalim në ceremoninë e zbulimit të bustit të Mahatma Gandit. Pas ceremonisë në Muzeun e Qytetit të Shkupit, presidentja Siljanovska-Davkova dhe presidentja Murmu do të udhëtojnë për Ohër, ku do të vizitojnë kompleksin e manastirit "Shën Naumi", si dhe manastiret dhe kishat në Qytetin e vjetër të Ohrit.

Për shkak të vizitës së presidentes Murmu, prej sot deri më 23 korrik do të vendoset regjim i posaçëm trafiku në Shkup. Regjimi i posaçëm i trafikut do të zbatohet në zonën më të gjerë qendrore të Shkupit. SPB Shkup u bën thirrje të gjithë qytetarëve që marrin pjesë në trafik të respektojnë urdhrat nga nëpunësit e uniformuar të policisë.

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR