Polonia parandalon atentatin ndaj shtetasit amerikano-ukrainas, Tusk akuzon për urdhër të drejtpërdrejtë rus
- Kryeministri polak Donald Tusk sot kumtoi se autoritetet polake kanë arrestuar një shtetas rus, të rekrutuar nga shërbimet e inteligjencës ruse, me detyrën e eliminimit të një personi me nënshtetësi të dyfishtë amerikane dhe ukrainase në Varshavë.
- Post By Ramize Qamili
- 20:03, 13 gusht, 2026
Varshavë, 13 gusht 2026 (MIA) - Kryeministri polak Donald Tusk sot kumtoi se autoritetet polake kanë arrestuar një shtetas rus, të rekrutuar nga shërbimet e inteligjencës ruse, me detyrën e eliminimit të një personi me nënshtetësi të dyfishtë amerikane dhe ukrainase në Varshavë.
"Ky objektiv u konsiderua veçanërisht i papërshtatshëm për regjimin e Vladimir Putinit", deklaroi Tusk, duke theksuar se ky ishte rasti i parë në të cilin “dikush me urdhër të Rusisë” kishte tentuar të sulmonte një qytetar amerikan në territorin e një shteti anëtar të NATO-s.
Shtetasi i dyshuar rus u ndalua më 7 gusht, ndërsa aksioni u krye në bashkëpunim të ngushtë me shërbimet amerikane të inteligjencës, konfirmoi Tomash Shemonjak, ministri polak për Koordinimin e shërbimeve sekrete.
"Falë punës vërtet të shkëlqyer të shërbimeve tona, arritëm të ndalonim shtetasin rus. Në momentin e fundit, me aksionin e Agjencisë së Sigurisë së Brendshme dhe policisë, parandaluam këtë vrasje, këtë atentat", shtoi kryeministri Tusk.
Autoritetet polake nuk kanë publikuar ende detaje të mëtejshme rreth identitetit të objektivit apo agjentit të arrestuar, ndërsa ambasada ruse në Varshavë ende nuk ka komentuar.
Autoritetet në Varshavë kanë paralajmëruar vazhdimisht se roli kyç i Polonisë si një qendër tranziti për ndihmë ushtarake dhe humanitare për Ukrainën e bën atë një objektiv kryesor për spiunazhin dhe sabotimin rus. Në qershor të këtij viti, në qytetin lindor polak Bjalla Podlaska u qëllua artisti rus Semjon Skrepecki, një kritik i njohur i Putinit. Atëherë Tusk deklaroi se të gjitha provat tregonin një motiv politik. Moska, nga ana tjetër, vazhdimisht ka mohuar akuzat për përfshirje në sulme ndaj figurave të opozitës dhe kundërshtarëve jashtë vendit.
Foot: arkivi i EPA-s