• e hënë, 16 nëntor 2026

Pas serisë së sulmeve nga huthët, Aeroporti Ndërkombëtar në Riad do të mbetet i mbyllur të paktën deri të enjten

Pas serisë së sulmeve  nga huthët, Aeroporti Ndërkombëtar në Riad do të mbetet i mbyllur të paktën deri të enjten

Riad, 12 tetor 2026 (MIA) - Aeroporti Ndërkombëtar "Mbreti Kalid" në Riad do të mbetet i mbyllur të paktën deri të enjten, njoftoi Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil të Arabisë Saudite, pasi objekti ishte cak i sulmeve të reja vdekjeprurëse nga rebelët huthi të Jemenit. Ndërkohë, autoritetet saudite bënë të ditur se po vlerësonin dëmet nga sulmi i fundit në aeroportin Damam.

"Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil të Arabisë Saudite njoftoi zgjatjen e pezullimit të operacioneve në Aeroportin Ndërkombëtar "Mbreti Kalid" në Riad me qëllim përfundimin e kontrolleve të nevojshme të sigurisë në objekte dhe përcaktimin e gatishmërisë së tyre operative”, tha institucioni në një deklaratë, e cila nuk specifikoi një datë të saktë për rihapjen.

Një zyrtar i lartë i linjës ajrore përgjegjës për fluturimet në rajonin e Gjirit Persik deklaroi se atyre u ishte thënë se ndërprerja do të zgjaste të paktën deri të enjten dhe se nuk ishin planifikuar fluturime për pjesën tjetër të javës së punës saudite.

Rebelët jemenas huthi morën përgjegjësinë të dielën për atë që ata thanë se ishin “operacione në shkallë të gjerë” kundër aeroporteve dhe infrastrukturës energjetike saudite. Në njërin nga sulmet e së shtunës humbën jetën 13 persona, duke u bërë incidenti më vdekjeprurës në mbretëri në një dekadë. Javën e kaluar, gjithashtu u vranë gjashtë persona në sulmet në Aeroportin e Riadit, të cilat u morën përsipër nga huthët. mb/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR