Parlamenti Evropian nderoi Merkelin për kontributin e saj prej dekadash në Union
- Ish kancelarja gjermane Angela Merkel sot në Strasburg pranoi Urdhrin evropian të meritës me të cilin Parlamenti Evropian e shpërbleu për angazhimin e saj prej dekadash dhe përkushtimin ndaj Bashkimit Evropian.
- Post By Fami Bajrami
- 18:01, 19 maj, 2026
Strasburg, 19 maj 2026 (MIA) – Ish kancelarja gjermane Angela Merkel sot në Strasburg pranoi Urdhrin evropian të meritës me të cilin Parlamenti Evropian e shpërbleu për angazhimin e saj prej dekadash dhe përkushtimin ndaj Bashkimit Evropian.
Merkel është ndër 20 fituesit e parë të këtij çmimi që u vendos vitin e kaluar. Ajo u prit si "anëtare e shquar", që është çmimi më i lartë nga tre nivelet e kësaj njohjeje së bashku me presidentin ukrainas, Volodimir Zelenski dhe ish presidentin polak, Leh Valensa. Në ceremoninë në Strasburg ka marrë pjesë edhe Valensa, ndërsa mungoi Zelenski.
Në fjalimin e saj para eurodeputetëve, Merkeli lëshoi një paralajmërim serioz se demokracia moderne është nën presion të madh. Ajo bëri thirrje për ruajtjen pa kushte të demokracisë, paqes dhe prosperitetit si premtime kryesore për qytetarët e BE-së. Merkeli theksoi veçanërisht kërcënimin që paraqesin mediat sociale, ku sipas fjalëve të saj, "faktet papritmas pushojnë së qeni fakte", duke kërcënuar drejtpërdrejt themelet e iluminizmit.
Gjatë udhëheqjes së saj me Gjermaninë nga viti 2005 deri në vitin 2021, Merkeli në publik fitoi epitetin "menaxherja e krizave të Evropës". Mandati i saj 16-vjeçar u shënua nga Recesioni i madh, kriza e euros, kriza e refugjatëve e vitit 2015, Bregziti dhe pandemia e koronavirusit.