Paris: Britania është gjithmonë e mirëpritur të kthehet në BE
- Britania e Madhe është gjithmonë e mirëpritur përsëri në Bashkimin Evropian, tha ministri francez i Ekonomisë dhe Financave, Roland Leskir, pasi kryeministri britanik Endi Barnam nuk e përjashtoi mundësinë që Partia Laburiste të angazhohet për t'u ribashkuar me bllokun në programin e saj të ardhshëm zgjedhor.
- Post By Sara Ademi
- 12:02, 8 tetor, 2026
Paris, 8 tetor 2026 (MIA) - Britania e Madhe është gjithmonë e mirëpritur përsëri në Bashkimin Evropian, tha ministri francez i Ekonomisë dhe Financave, Roland Leskir, pasi kryeministri britanik Endi Barnam nuk e përjashtoi mundësinë që Partia Laburiste të angazhohet për t'u ribashkuar me bllokun në programin e saj të ardhshëm zgjedhor.
Në një intervistë për Bi-Bi-Si, Leskir tha se rinovimi i anëtarësimit në BE varet nga shoqëria britanike, por shtoi se Mbretëria e Bashkuar është gjithmonë e mirëpritur përsëri në Union.
Ministri francez theksoi se populli britanik mori vendimin për Breksit-in "dhe kjo, sigurisht, është tërësisht e drejtë e tyre".
"Por, mund t'u them vetëm një gjë: kthehuni kur të doni", shtoi ai.
Barnam në kongresin e Partisë Laburiste – i pari i tij që nga marrja e detyrës si kryeministër - tha se nuk kishte asnjë çështje "organizimi të nxituar të një referendumi". Ai theksoi se së pari duhej të arrihej një konsensus politik mbi marrëdhënien e ardhshme të Mbretërisë së Bashkuar me Brukselin. Megjithatë, Barnam shtoi se nëse publiku tregonte dëshirën që Mbretëria e Bashkuar të ribashkohej me BE-në, ai mund të angazhohej për të shqyrtuar çështjen e një referendumi në manifestin e ardhshëm zgjedhor të partisë.
Deklarata e Barnam-it në lidhje me BE-në u mirëprit si nga presidenti francez Emanuel Makron ashtu edhe nga kryeministri spanjoll Pedro Sançez, i cili tha se do ta mirëpriste Mbretërinë e Bashkuar përsëri në bllok me "krahë hapur".
Kryeministri britanik do të takohet sot me kancelarin gjerman Fridrih Merc dhe bisedimet pritet të përqendrohen kryesisht në mbrojtje dhe siguri. sa/
foto: arkivi