• e enjte, 29 gusht 2024

Nesër takim Gerapetritis - Fidan në Bruksel

Nesër takim Gerapetritis - Fidan në Bruksel

Athinë, 28 gusht 2024 (MIA) – Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Jorgos Gerapetritis, nesër do të marrë pjesë në takimin joformal të shefave të diplomacisë së vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në Bruksel, në të cilin është i ftuar edhe ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan, ndërsa është planifikuar edhe takim dypalësh i ministrit turk dhe grek, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina. 

Nga Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë kumtuan se Gerapetritis do të takohet me Fidanin përpara drekës së punës së krerëve të diplomacisë.

Burime diplomatike greke njoftuan për mediat në Greqi se temë e takimit do të jenë ndër të tjera marrëdhëniet euro-turke, çështja e Qipros dhe marrëdhëniet greko-turke në prag të takimit të kryeministrit grek dhe presidentit turk në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.

Të njëjtat burime bënë me dije se është e një rëndësie të veçantë që pas pesë vitesh në drekë në kuadër të takimit joformal do të ë marrë pjesë edhe ministri turk i Punëve të Jashtme.

Lidhur me takimin joformal të MPJ-së së Unionit, Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë përmes një kumtese theksoi se tema e rendit të ditës, ndër të tjera, do të jetë “lufta në Ukrainë, në prani të Ministrit të Punëve të Jashtme të Ukrainës, Dmitro Kuleba dhe situata politike në Venezuelë, kurse do të diskutohet edhe për krizën në Lindjen e Afrët, në prani të koordinatores së OKB-së për ndihmë humanitare dhe rindërtim në Gazë, Sigrid Kaag, me të cilën Gerapetritis do të zhvillojë një takim”. ls/

 

QËNDRONI TË LIDHUR