• e mërkurë, 28 gusht 2024

Në Universitetin e Tetovës filloi afati i parë për regjistrimin e studentëve të rinj në vitin akademik 2024/2025

Në Universitetin e Tetovës filloi afati i parë për regjistrimin e studentëve të rinj në vitin akademik 2024/2025

Shkup, 26 gusht 2024

Në trembëdhjetë njësitë akademike të Universitetit të Tetovës sot ka filluar regjistrimi i studentëve të rinj për vitin akademik 2024/2025. Me këtë rast, Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli bashkë me Prorektorin për Arsim Prof. Dr. Ibrahim Neziri dhe me bashkëpunëtorë të tjerë i  kanë mirëpritur kandidatët të cilët kanë aplikuar në programe të ndryshme studimore.

Rektori i Universitetit të Tetovës gjatë takimeve që zhvilloi me kandidatët, i përgëzoi për zgjedhjen e tyre që karrierën profesionale dhe akademike do ta ndërtojnë duke studiuar në Universitetin e Tetovës. Ai po ashtu theksoi se procesi i regjistrimit zhvillohet në të gjitha fakultetet e Universitetit tonë dhe se të gjitha shërbimet administrative janë përgatitur për t’i mirëpritur të gjithë kandidatët dhe njëkohësisht t’i ndihmojnë dhe t’ua lehtësojnë atyre procesin e aplikimit.  Po ashtu Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli theksoi se që nga dita e parë vërehet interesim i jashtëzakonshëm i maturantëve për t’i regjistruar studimet në Universitetin e Tetovës dhe se deri në përmbyllje të afatit të parë më 30 gusht 2024 pritet që të realizohen të gjithë objektivat dhe pritshmëritë për këtë afat.  

Në këtë vit akademik Universiteti i Tetovës ofron edhe disa programe të reja studimore si: Biologji – Kimi 240 ECTS në Fakultetin e Shkencave Matematike - Natyrore; Kozmetikë me Estetikë 180 ECTS në Fakultetin e Shkencave Mjekësore; Informatikë Afariste 240 ECTS në Fakultetin e Administrim Biznesit në Kumanovë; Mjekësi Veterinare 300 ECTS në Fakultetin e Bujqësisë dhe Bioteknologjisë ndërsa po ashtu këtë vit Fakulteti i Kulturës Fizike ofron edhe 6 programe të reja studimore si: Kulturë Fizike dhe Shëndetësi 240 ECTS; Trajner i Sportit – Futboll 180 ECTS; Trajner i Sportit - Basketboll 180 ECTS; Trajner i Sportit – Volejboll 180 ECTS; Trajner i Sportit – Skijim 180 ECTS; Trajner i Sportit – Sportet Mundëse 180 ECTS.

Pas përfundimit të afatit parë, Universiteti i Tetovës do të organizojë edhe dy afate të tjera për regjistrim, përkatësisht 10-13 shtator dhe 23-24 shtator 2024.

QËNDRONI TË LIDHUR