Në aeroplanin e Er India që u rrëzua sot kishte 242 pasagjerë
- Një aeroplan i "Er India" në të cilin kishte 242 pasagjerë në një fluturim për në Londër u rrëzua sot menjëherë pas ngritjes në afërsi të aeroportit Ahmedabad. Aeroplani i pasagjerëve u rrëzua në zonën Meganinagar, duke shkaktuar panik dhe kaos në tokë.

Nju Delhi, 12 qershor 2025 (MIA) - Një aeroplan i "Er India" në të cilin kishte 242 pasagjerë në një fluturim për në Londër u rrëzua sot menjëherë pas ngritjes në afërsi të aeroportit Ahmedabad. Aeroplani i pasagjerëve u rrëzua në zonën Meganinagar, duke shkaktuar panik dhe kaos në tokë.
Nga kompania konfirmuan se në aeroplan kishte 242 pasagjerë.
"Fluturimi nga Ahmedabad në orën 13:38 mbante 242 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit në aeroplanin Boing 787-8. Nga këta, 169 janë shtetas indianë, 53 janë shtetas britanikë, një shtetas kanadez dhe 7 shtetas portugezë."
Të lënduarit janë dërguar në spitalet më të afërta, kumtoi kompania.
Re të dendura tymi ngriheshin nga vendi i rrëzimit dhe ishin të dukshme nga një distancë e madhe. Shërbimet e emergjencës, përfshirë zjarrfikësit, u dërguan menjëherë në vendin e katastrofës dhe një operacion shpëtimi është duke u zhvilluar.
Gjendja e pasagjerëve dhe ekuipazhit është aktualisht e panjohur. Aksidenti ndodhi menjëherë pas ngritjes, në rrethana që aktualisht janë të paqarta. Një operacion kërkim-shpëtimi është duke u zhvilluar për të gjetur dhe evakuuar çdo të mbijetuar të mundshëm.
Er India konfirmoi se fluturimi i saj 171 nga qyteti perëndimor Ahmedabad për në Londër Getvik u rrëzua në një "aksident tragjik".
“Me trishtim të thellë konfirmoj se fluturimi 171 i Er India, nga Ahmedabad për në Londër Getvik, pësoi një aksident tragjik sot”, deklaroi presidenti i Indisë, Nataraxhan Çandrasekaran.
"Mendimet dhe ngushëllimet tona më të thella janë me familjet dhe të dashurit e të gjithë atyre që u prekën nga ajo fatkeqësi", tha ai, duke shtuar se një qendër emergjence është aktivizuar dhe një ekip është ngritur për të mbështetur familjet që kërkojnë informacione.
Në vitet e fundit, Boing 787 Dreamliner është përballur me një sërë problemesh serioze që kanë ngritur shqetësime në industrinë e linjave ajrore dhe midis rregullatorëve. Megjithëse modeli është i njohur për teknologjinë dhe efikasitetin e tij të përparuar, një sërë incidentesh dhe dështimesh në prodhim kanë çuar në rritjen e shqyrtimit dhe kritikave. ls/