Mucunski për "takimin" me Çamovën: Përdorimi i termit "maqedonas i Veriut" për t'iu referuar popullit maqedonas është i pasaktë dhe i papërshtatshëm. Maqedonasit janë maqedonas
- Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Muçunski sot përgenjeshtroi se ka pasur një takim dypalësh me ministren e sapoemëruar të Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Vesisllava Petrova Çamova, duke shpjeguar se ishte një shkëmbim i shkurtër fjalësh në margjinat e një ngjarje.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 20:28, 11 maj, 2026
Shkup, 11 maj 2026 (MIA) - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Muçunski sot përgenjeshtroi se ka pasur një takim dypalësh me ministren e sapoemëruar të Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Vesisllava Petrova Çamova, duke shpjeguar se ishte një shkëmbim i shkurtër fjalësh në margjinat e një ngjarje.
Mucunski theksoi se nuk bëhet fjalë për një takim zyrtar, duke reaguar ndaj deklaratës së koleges së tij bullgare.
"Lidhur me deklaratën e koleges sime të re bullgare, Vesislava Petrova Çamova, dua të sqaroj se sot nuk patëm një takim zyrtar dypalësh. Patëm një shkëmbim të shkurtër fjalësh në margjinat e një ngjarje, në prani të disa kolegëve. Nëse një bisedë njëminutëshe quhet "takim", atëherë sot patëm vërtet shumë "takime"", deklaron Mucunski.
Në postim, ai reagoi edhe ndaj përdorimit të termit "maqedonas i Veriut" në deklaratën e ministres bullgare, duke e vlerësuar si të pasaktë dhe të papërshtatshme.
"Dua t'ju kujtoj se përdorimi i termit "maqedonas i Veriut" për t'iu referuar popullit maqedonas është i pasaktë dhe i papërshtatshëm. Maqedonasit janë maqedonas. Kjo nuk është çështje politike, por respekti themelor për identitetin dhe dinjitetin e një populli", theksoi shefi i diplomacisë.
Mucunski theksoi se preciziteti në diplomaci nuk është formalitet, por shprehje e respektit të ndërsjellë, duke shtuar se mbetet i hapur për një takim zyrtar me ministren bullgare.
"Siç i thashë Vesisllavës, shpresoj që së shpejti do të zhvillojmë një takim - në një atmosferë miqësore dhe pozitive, me qëllim ndërtimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe të ardhmes sonë të përbashkët evropiane", tha Mucunski.
Përndryshe, Petrova Çamova sot në Bruksel, ku po merr pjesë në takimin e ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, deklaroi se "kanë pasur një takim të parë të këndshëm me ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë".
Foto: Arkivi i MIA-s