• e diel, 15 nëntor 2026

Mucunski në një takim me Sibihën në Kiev: Ne qëndrojmë me Ukrainën, është një shtet sovran dhe integriteti i saj territorial duhet të respektohet

Mucunski në një takim me Sibihën në Kiev: Ne qëndrojmë me Ukrainën, është një shtet sovran dhe integriteti i saj territorial duhet të respektohet

Shkup, 4 shtator 2026 (MIA) - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, sot është në një vizitë zyrtare në Ukrainë, gjatë së cilës u takua me homologun e tij ukrainas, ministrin e Punëve të Jashtme Andrij Sibiha, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme.

Fokusi i bisedimeve ishte në mundësitë për thellimin e mëtejshëm të dialogut politik dhe bashkëpunimit midis dy vendeve, si në nivel dypalësh ashtu edhe shumëpalësh. Theks i veçantë u vu në promovimin e bashkëpunimit ekonomik, perspektivën evropiane të dy vendeve, sfidat aktuale të sigurisë, si dhe mundësitë për pjesëmarrjen e vendit tonë në procesin e rimëkëmbjes dhe rindërtimit të Ukrainës.

Ministri Mucunski konfirmoi mbështetjen e fortë dhe të vazhdueshme për Ukrainën, duke theksuar qëndrimin parimor në lidhje me respektimin e sovranitetit, integritetit territorial dhe të drejtës ndërkombëtare.

"Ne qëndrojmë me Ukrainën. Ukraina është një shtet sovran. Integriteti i saj territorial duhet të respektohet. Kufijtë nuk mund të ndryshohen me forcë. Dhe e drejta ndërkombëtare nuk mund të jetë çështje zgjedhjeje kur respektimi i saj nuk na përshtatet", theksoi Mucunski.

Në bisedime u theksua gjithashtu rëndësia më e gjerë e sigurisë së Ukrainës për sigurinë evropiane dhe transatlantike, si dhe nevoja për një angazhim të përbashkët dhe të koordinuar të aleatëve dhe partnerëve në krijimin e kushteve për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.

"Udhëheqja amerikane dhe përgjegjësia evropiane duhet të veprojnë së bashku. Kështu e forcojmë ne parandalimin sot. Kështu krijojmë kushtet për paqe nesër. Dhe kështu sigurohemi që paqja të jetë e qëndrueshme", tha ministri.

Mucunski gjithashtu konfirmoi gatishmërinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut për të vazhduar kontributin në përpjekjet ndërkombëtare për të mbështetur Ukrainën, si dhe për t'u angazhuar aktivisht në procesin e rimëkëmbjes dhe rindërtimit të saj.

Kur biseda nuk do të jetë më për mbrojtje dhe mbijetesë, por për rindërtim dhe prosperitet. Ne duam që ajo ditë të vijë sa më shpejt të jetë e mundur. Dhe kur të vijë, vendi im synon të jetë aty - jo vetëm si një mik që qëndroi pranë Ukrainës në kohë të vështira, por edhe si një partner në rimëkëmbjen dhe rindërtimin e saj, theksoi Mucunski.

Të dy ministrat konfirmuan gatishmërinë e tyre për të thelluar më tej bashkëpunimin dypalësh dhe shumëpalësh, si dhe për të avancuar marrëdhëniet politike dhe ekonomike midis dy vendeve.

Gjatë vizitës, Ministri Mucunski u takua edhe me Oleksandr Kornienko, zëvendëskryetarin e parë të Radës Supreme të Ukrainës, dhe së bashku me ministrin Sibiha, vendosën lule në Murin e kujtimit të mbrojtësve të rënë të Ukrainës. sa/

Foto: MPJTJ

QËNDRONI TË LIDHUR