Mucunski dhe Petrova do të takohen të enjten në Sofje
- Ministrat e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, Timço Mucunski dhe Velisllava Petrova, do të takohen të enjten në Sofje.
- Post By Besnik Shuki
- 17:08, 5 tetor, 2026
Shkup, 5 tetor 2026 (MIA) - Ministrat e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, Timço Mucunski dhe Velisllava Petrova, do të takohen të enjten në Sofje.
Nga MPJ-ja bullgare për BTA-në konfirmuan se shefat e diplomacive të dy vendeve do të kenë mundësinë të takohen në margjinat e konferencës ministrore ndërkombëtare për Korridorin 8 në Sofje, nikoqir i së cilës do të jetë ministrja Velisllava Petrova.
"Forumi, ku do të marrë pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, do të mundësojë mbajtjen e takimit dypalësh si pjesë të dialogut të vazhdueshëm midis dy vendeve", thonë nga MPJ bullgare.
Iniciativa për takim të ministrave të jashtëm të të dy vendeve doli gjatë vizitës së kryetares së Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, në Shkup. Me këshillë të saj, kryeministri Hristijan Mickoski i kërkoi Mucunskit të kërkonte takim me Petrovën, në tentim për të stimuluar procesin e zgjidhjes së problemit që lidhet me bllokadën bullgare të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.
Nga MPJ e Maqedonisë paraprakisht për MIA-n konfirmuan se është kërkuar takim midis ministrit të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski dhe ministres bullgare të Punëve të Jashtme, Velislava Petrova-Çamova, që do të zhvillohej këtë javë në margjinat e takimit ministror në Sofje, kushtuar Korridorit 8. bsh/
Foto: MIA arkiv