Modriq: Reali më dha gjithçka, dëshiroj të kthehem në Madrid dhe të jetoj aty
- Mesfushori i Milanit, Lluka Modriq tha se klubin e tij aktual e ka pasur të preferuar kur ka qenë fëmijë, kur shikonte futboll italian.
- Post By Besnik Shuki
- 13:34, 3 shtator, 2026
Madrid, 3 shtator 2026 (MIA) - Mesfushori i Milanit, Lluka Modriq tha se klubin e tij aktual e ka pasur të preferuar kur ka qenë fëmijë, kur shikonte futboll italian.
"Milani është një nga klubet më të mira në botë. Është klub historik që mund të mos ketë arritur rezultatet, me të cilat të gjithë janë mësuar vitet e fundit, por kjo nuk ndryshon asgjë, mbetet klub i shkëlqyer dhe një nga më të dashurit në botë. Ky është një nga shkaqet e zgjedhjes sime. E kam parë futbollin italian si fëmijë, e Milani ishte ekipi im i preferuar. Kur u paraqit kjo mundësi pas Real Madridit, nuk hezitova për asnjë sekondë. Nuk dua të kthehem në Real Madrid vetëm sa për të qenë aty. Dua të punoj dhe të jem i dobishëm. Madridi është qyteti im. Real Madridi më dha gjithçka dhe më solli shumë. Dua të kthehem në Madrid dhe të jetoj atje", tha Modriqi për "AS".
Kroati më 9 shtator do të mbushë 41 vjeç, por pavarësisht moshës së tij, ai është standard në ekipin e Milanit.
"Njerëzit kanë folur për vitet e mia që nga viti 2019. Atëherë thonin se kam 33, 34 vjet, se nuk mund të luaj më... Edhe pse në atë kohë po luaja futbollin më të mirë të jetës sime. Pas kësaj, fitova dy Liga të Kampionëve të tjera, përfundova i treti në Kampionatin Botëror 2022 me Kroacinë, arrita në finalen e Ligës së Kombeve dhe fitova tituj tjerë... E vetmja gjë që ka rëndësi është ajo që bën në fushë. Nuk ka rëndësi nëse je 18, 30, 40 apo 50 vjeç. Nuk ka rëndësi. Mosha është vetëm numër, por njerëzit e shndërrojnë në obsesion", shtoi Modriq.
Në karrierën e tij, Modriqi ka luajtur edhe për për Totenhemin, Dinamo Zagrebin, Zrinjskin dhe Inter Zapreshiçin. bsh/
Foto: EPA