Ministri i Punëve të Jashtme i BeH-së e tërheq personelin nga Ambasada në Beograd, paralajmëroi zvogëlimin e marrëdhënieve me Serbinë në minimum
- Ministri i Punëve të Jashtme i Bosnjë dhe Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, deklaroi se do të tërheqë të gjithë të punësuarit nga Ambasada e Bosnjë dhe Hercegovinës në Beograd, përveç ambasadorit dhe konsullit, me qëllim që të minimizojë marrëdhëniet me Serbinë, për shkak të veprimeve të vendit pas vdekjes së kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mlladiq.
- Post By Besnik Shuki
- 18:49, 7 shtator, 2026
Sarajevë, 7 shtator 2026 (MIA) - Ministri i Punëve të Jashtme i Bosnjë dhe Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, deklaroi se do të tërheqë të gjithë të punësuarit nga Ambasada e Bosnjë dhe Hercegovinës në Beograd, përveç ambasadorit dhe konsullit, me qëllim që të minimizojë marrëdhëniet me Serbinë, për shkak të veprimeve të vendit pas vdekjes së kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mlladiq.
Në konferencë për shtyp në Sarajevë, Konakoviq tha se nuk ka autorizim t'i tërheq ambasadorin dhe konsullin, pasi ata janë emëruar nga Presidenca shtetërore, por se do të tërhiqte të punësuarit tjerë, detyrat e të cilëve do të kryhen nga të punësuarit në ambasadat e BeH-së në Mal të Zi dhe Kroaci.
"Nëse kisha mundur, do të ndërprisja menjëherë marrëdhëniet diplomatike me Serbinë. Çfarë mund të bëj: Do të punoj për të zvogëluar marrëdhëniet në minimumin e mundshëm. Do të mohoj, do të zvogëloj tërë komunikimin me ta. Do t'i tërheqim të gjithë njerëzit që mund të tërheqim, do t'i transferojmë punët konsullore në Zagreb dhe Podgoricë", tha ai.
Sipas tij, kulmi i glorifikimit të një personi të dënuar për krime lufte ishte mbrëmë në ndeshjen e futbollit midis Cërvena Zvezdës dhe Partizanit, me mesazhin - "Drejtimi Potoçar", duke shtuar se kjo ishte alarm i fundit.
I dënuari i Hagës për krime lufte dhe gjenocid, Ratko Mlladiq, u varros sot në varrezat Topçider në Beograd me nderime kishtare dhe ushtarake, ndërsa midis mijëra njerëzve në varrimin, ishin disa ministra dhe zyrtarë të qeverisë serbe. bsh/
Foto: EPA