• e shtunë, 31 gusht 2024

Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë në Kosovë: Të dyja vendet kanë bashkëpunuar dhe do të bashkëpunojnë për përballimin e çdo rreziku dhe kërcënimi

Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë në Kosovë: Të dyja vendet kanë bashkëpunuar dhe do të bashkëpunojnë për përballimin e çdo rreziku dhe kërcënimi

Prishtinë, 30 gusht 2024 (MIA) - Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Piro Vengu, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Kosovë, deklaroi se Shqipëria është e gatshme për rritjen e trupave të saj në Kosovë, nëse nevojitet, dhe theksoi se në këtë drejtim shteti shqiptar nuk ka kurrëfarë rezerva, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. 

Pas takimit me homologun e tij kosovar, Ejup Maqedonci, Vengu theksoi se rritja e numrit të ushtarëve është vendim kolektiv nga ana e Misionit Paqëruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, dhe ky vendim bazohet në vlerësimet periodike të situatës së sigurisë.

"Privilegj është të jesh këtu. Kemi pasur mundësi të shkëmbejmë përpjekjet e përbashkëta për raste urgjente të civilëve. Kemi biseduar për rritjen e kapaciteteve. I kemi në dispozicion të gjitha instrumentet e armatosura që Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK) të kenë nivelin e plotë të sigurisë", tha Vengu.

Ai theksoi se Shqipëria ndjen privilegj që t'i ndihmojë Kosovës për t'u bërë aktor që kontribuon në sigurinë kolektive.

Ministri i Mbrojtes së Kosovës, Maqedonci pas takimit me Vengun deklaroi se të dy vendeve u nevojitet thellimi i bashkëpunimit dhe zgjerimit në industrinë ushtarake. Ai vlerësoi se Kosova ka për qëllim të jetë krah Shqipërisë, anëtare e NATO-s. 

Maqedonci theksoi se e vlerëson shumë lartë vizitën e homologut të tij shqiptar në Kosovë. 

"Kisha nderin dhe kënaqësinë për herë të parë të takohem me ministrin e Mbrojtes së Shqipërisë, me të cilin biseduam për thellimin e bashkëpunimit në aspektin e sigurisë dhe mbrojtjes. Bashkëpunojmë mjaftë mirë, por vlerësuam se ka nevojë në thellimin e bashkëpunimit dhe zgjerimit në industrinë ushtarake. Këtu dëshiroj që t'ia bëjë të qartë të gjithëve se ne dhe armata shqiptare bashkëpunojmë dhe kemi bashkëpunuar që të përballemi me çfarëdo sfide dhe kërcënimi që ka për qëllim të rrezikojë trashëgiminë, vlerat dhe sigurinë", tha Maqedonci. 

Ai porositi se Kosova dhe Shqipëria, si dy vende demokratike, do të vazhdojnë të kontribuojnë në luftën globale kundër rreziqeve që e rrezikojnë dhe kërcënojnë sigurinë globale, siç është rasti me luftën në Ukrainë. 

"Vendet tona janë pjesëmarrës aktive në kontakt grupin e Mbrojtes në Ukrainë dhe i ndihmojmë popullit të Ukrainës në luftën për liri. Ne jemi pjesë e përbashkët nga shumë nisma rajonale dhe synimi ynë do të jetë, që së bashku me Shqipërinë dhe mbështetjen e saj, në një të ardhme të afërt të jemi pjesë e NATO-s dhe pjesë e strukturave të tjera euroatlantike", tha Maqedonci. qa/bsh/

QËNDRONI TË LIDHUR