• e premte, 30 gusht 2024

Ministrat e punëve të jashtme të vendeve të BE-së do të mbajnë takim joformal në Bruksel

Ministrat e punëve të jashtme të vendeve të BE-së do të mbajnë takim joformal në Bruksel

Bruksel, 29 gusht 2024 (MIA) - Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve të BE-së sot në Bruksel po diskutojnë për situatën në Ukrainë, Gaza dhe Venezuelë, njoftoi DPA.

Takimi është joformal, çka do të thotë se ministrat nuk pritet të japin deklarata zyrtare në fund. Takimi do të drejtohet nga përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Zhosep Borrell.

Takimi fillimisht ishte menduar të mbahej në Budapest, por më vonë u vendos që të zhvillohej në Bruksel në shenjë proteste ndaj vizitës së kryeministrit hungarez Viktor Orban në Rusi në korrik.

Ministrat do të bisedojnë me ministrin e Punëve të Jashtme të Ukrainës, Dmitri Kuleba.

Ata me ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan do të diskutojnë për marrëdhëniet BE-Turqi dhe çështje të tjera globale me interes të përbashkët. 

Më pas takimit do t'i bashkohet Zigrid Kaag, koordinatorja e përpjekjeve humanitare të Kombeve të Bashkuara për popullin e Gazës.

Më në fund, ministrat do të diskutojnë edhe për krizën politike në Venezuelë pas zgjedhjeve presidenciale të 28 korrikut. Javën e kaluar, Gjykata e Lartë e Venezuelës njoftoi se Nikolas Maduro ishte rizgjedhur president, por vende si SHBA-ja, Peruja, Argjentina, Uruguai, Kosta Rika, Ekuadori dhe të tjerë thanë se votimi ishte i manipuluar dhe se kandidati i opozitës Edmundo Gonzalez ishte fitues i vërtetë. mb/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR