• e hënë, 16 nëntor 2026

Millanov: Qytetarët konsumojnë ushqim të sigurt, planifikohet dyfishimi i gjobave për operatorët e papërgjegjshëm

Millanov: Qytetarët konsumojnë ushqim të sigurt, planifikohet dyfishimi i gjobave për operatorët e papërgjegjshëm

Shkup, 16 tetor 2026 (MIA) - Qytetarët e Maqedonisë konsumojnë ushqim të sigurt, pohon drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Oliver Millanov. Siç deklaroi sot, para aktivitetit me rastin e Ditës Botërore të Ushqimit, gjobat për operatorët e papërgjegjshëm janë të ulëta dhe me ndryshimet ligjore që tashmë janë duke u përgatitur, parashikohet që ato të dyfishohen.

Sipas Millanovit, AUV dje sekuestroi dy tonë ushqim të pasigurt, ndërsa sot edhe gjashtë tonë të tjerë, pas kontrolleve të jashtëzakonshme të kryera në tregje.

Sa u përket produkteve të mishit dhe qumështit, të cilat gjatë verës ishin objekt i kontrolleve inspektuese, analizat, siç informoi Millanovi, kanë treguar se bëhet fjalë për ushqim të sigurt dhe cilësor, por me gabime në deklaracionet e produkteve.

Drejtori u bëri sërish thirrje konsumatorëve që të kenë kujdes se çfarë dhe ku blejnë. Në veçanti, të kontrollojnë afatin e përdorimit, tabelën ushqyese dhe vetitë organoleptike të produkteve.

I pyetur për dërgesat e frutave dhe perimeve maqedonase që janë kthyer nga disa vende të rajonit, ai theksoi se, sipas analizave, ato kanë qenë plotësisht në rregull, por çuditërisht me rezultate negative.

"Është e çuditshme pse po kthehen, por çdo shtet e mbron tregun dhe produktin e vet. Kjo nuk është hera e parë; kemi pasur raste nga Kroacia, Bullgaria, Serbia... Tashmë kemi zhvilluar takime në nivel të lartë institucional, si dhe me odat ekonomike përkatëse. Është rënë dakord që të jemi më rigorozë sa i përket importit dhe eksportit. Për rezultatet e asaj që është sekuestruar sot dhe nesër, së shpejti do të dalim me rezultate. Siguria e ushqimit është më e rëndësishmja. Gjobat nuk janë të mjaftueshme, ato duhet të jenë më të larta. Tashmë po punohet për ligjin për kundërvajtje. Jemi në rrugë të mbarë; gjatë dy viteve të fundit kemi kthyer mbi 650 tonë ushqim të importuar", theksoi Millanovi.

Drejtori theksoi se asnjë shtet nuk mund të thotë se konsumon ushqim 100% të sigurt, por është e rëndësishme të kryhen rregullisht kontrollime inspektuese, si të zakonshme ashtu edhe të jashtëzakonshme.

"Analizat e produkteve të mishit dhe qumështit gjatë periudhës së verës treguan se ato janë të sigurta dhe cilësore, por problemi ishte te prodhuesit, sepse deklarimi nuk ishte në përputhje me rregullativën. Ndoshta kishte pak më shumë ujë ose yndyrë, gjë që nuk do të thotë se produkti nuk është cilësor ose i sigurt. Nga kundërshtarët politikë pati reagime se nuk po tregojmë se cilët janë operatorët. Bëhet fjalë për produkte tona, maqedonase dhe cilësore. U morën mostra për analizën e parë, të dytë dhe të tretë, si nga produktet në qarkullim, ashtu edhe nga ato në prodhim, dhe u konstatua se të gjitha janë të sigurta. Gabimi ishte në deklaracionet e vendosura nga operatorët, prandaj u bëj thirrje operatorëve, prodhuesve dhe konsumatorëve që të kenë kujdes", theksoi Millanovi.

Gjobat për operatorët e ushqimit rregullohen sipas madhësisë së objektit, numrit të të punësuarve dhe vëllimit financiar. Edhe pas shqiptimit të gjobave, mund të kryhet sërish kontroll dhe madje të mbyllet objekti. Sipas AUV, objekte të mbyllura ka, ndërsa pas rihapjes së tyre, operatorët i respektojnë të gjitha rregullat.

"Qëllimi i aktivitetit të sotëm është që qytetarët të informohen dhe të edukohen mirë për atë se çfarë nënkupton ushqyerja e shëndetshme dhe e mirë. Duam të japim alarmin dhe të edukojmë popullatën. Gjithmonë mund të ushqehemi më mirë, të kemi kujdes se çfarë konsumojmë, në mënyrë që të jemi një komb i shëndetshëm. Vërej se të rinjtë konsumojnë pije energjitike. Le t’i kthehemi asaj që është traditë; nuk ka gjë më të mirë se uji", deklaroi kryetarja e Komunës së Kisella Vodës, Beti Stamenkoska Trajkoska.

Nga aktiviteti u përcoll mesazhi se ushqimi është shumë më tepër sesa një nevojë themelore njerëzore. Ai është parakusht për një jetë të shëndetshme, dinjitet, zhvillim ekonomik dhe një të ardhme të qëndrueshme për të gjithë.

Motoja e këtij viti për Ditën Botërore të Ushqimit është "Shpik sot. Ushqe të ardhmen".

"Kjo na kujton se të ardhmen e ushqimit e krijojmë përmes vendimeve që marrim sot. Shkenca, teknologjitë e reja, digjitalizimi, inteligjenca artificiale dhe bujqësia precize, së bashku me sipërmarrjen dhe njohuritë tradicionale, mund t’i transformojnë thelbësisht sistemet agro-ushqimore. Por përparimi i vërtetë nuk matet vetëm me sasinë e ushqimit të prodhuar, por edhe me sigurinë, vlerën ushqyese, qasshmërinë e tij dhe ndikimin në mjedis. Nuk mjafton të prodhojmë më shumë. Duhet të prodhojmë më mirë, me më shumë përgjegjësi dhe në mënyrë më të sigurt, si për njerëzit, ashtu edhe për kafshët – theksoi drejtori i AUV në fjalimin e tij para të pranishmëve.

Ai vlerësoi gjithashtu se siguria e ushqimit fillon me pesë parime të thjeshta, por thelbësore: ruajtjen e higjienës, ndarjen e ushqimit të papërpunuar nga ai i përgatitur, përpunimin e plotë termik, ruajtjen e ushqimit në temperatura të sigurta dhe përdorimin e ujit të sigurt dhe të lëndëve të para të përshtatshme.

"Këto parime janë themeli për parandalimin e sëmundjeve që transmetohen përmes ushqimit, por edhe një kujtesë se siguria e ushqimit është përgjegjësi e përbashkët – nga ferma deri në tryezë. Pikërisht këtu qëndron roli kyç i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë. Përmes kontrolleve zyrtare, mbikëqyrjes së ushqimit dhe ushqimit për kafshë, shëndetit publik veterinar, gjurmueshmërisë dhe menaxhimit të rreziqeve, si institucion me përgjegjësi të jashtëzakonshme, punojmë për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, shëndetit dhe mirëqenies së kafshëve, si dhe sigurisë së të gjithë zinxhirit ushqimor. Përmes zbatimit të shkencës, teknologjive bashkëkohore dhe standardeve ndërkombëtare, e forcojmë besimin e konsumatorëve dhe krijojmë kushte për prodhim të përgjegjshëm dhe të qëndrueshëm. Të nderuar, lufta kundër urisë nuk nënkupton vetëm që të ketë ushqim, por që ai të jetë i qasshëm, me vlera ushqyese dhe i sigurt për të gjithë. Prandaj nevojiten përpjekje të përbashkëta të institucioneve, shkencës, bujqve, industrisë ushqimore, si dhe veprime konkrete nga secili prej nesh. Të shpikim përmes dijes, të prodhojmë me përgjegjësi dhe ta ruajmë ushqimin si burimin më të çmuar, sepse ushqimi i sigurt nënkupton njerëz të shëndetshëm, kafshë të shëndetshme, mjedis të qëndrueshëm dhe një të ardhme më të sigurt për brezat e ardhshëm. Të inovojmë sot për të siguruar ushqim më të sigurt dhe më të besueshëm nesër, për të gjithë", porositi Millanovi.

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Marija Andonovska, theksoi se, përveç pyetjes nëse në ushqim është i pranishëm një mikroorganizëm ose substancë e caktuar kimike, është i rëndësishëm të përcaktohet edhe ndikimi i mundshëm i tyre në shëndet, cilat grupe janë më të ekspozuara dhe nëse nevojiten analiza shtesë, mbikëqyrje apo masa përkatëse.

"Pikërisht ndërlidhja e ekspertizës laboratorike me vlerësimin e shëndetit publik është një nga vlerat më të rëndësishme që Instituti sjell në sistemin kombëtar të sigurisë së ushqimit. Synimi ynë është të vazhdojmë me përmirësimin e kapaciteteve laboratorike, forcimin e kuadrit profesional dhe zhvillimin e një qasjeje të bazuar në shkencë për vlerësimin e rreziqeve. Besojmë se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve, shkëmbimi i njohurive dhe veprimi i koordinuar janë të domosdoshëm për një sistem efikas të sigurisë së ushqimit. Në fund, qëllimi ynë i përbashkët është i qartë: të sigurojmë ushqim më të sigurt, identifikim në kohë të rreziqeve shëndetësore dhe një nivel më të lartë të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve", tha Andonovska.

Në diskutimin profesional si panelistë morën pjesë Svetllana Kollariq, Radmilla Jovanoviq Nikolovska, Zhaneta Mijoska dhe Nikola Savovski. Gjatë panelit u diskutuan çështje të rëndësishme që lidhen me statistikat botërore për sëmundjet e shkaktuara nga ushqimi i pasigurt, procedurat për tërheqjen nga tregu të dërgesave të pasigurta, anët pozitive dhe negative të blerjes së ushqimit në internet, si dhe popullaritetin e shtesave (suplementeve) ushqimore.

Vëmendje e veçantë iu kushtua reklamimit agresiv të produkteve për dobësim dhe pijeve energjike, që synon të rinjtë, si dhe rëndësisë që konsumatorët të jenë të vetëdijshëm për pasojat e mundshme negative të ndjekjes së këtyre trendeve.

Veçanërisht e rëndësishme është pjesëmarrja e të rinjve në këtë aktivitet. Në publik, përveç qytetarëve, ishin të pranishëm edhe nxënës nga shkolla e mesme veterinare SHMQSH “Braqa Milladinovci”, SHMQSH “Vasill Antevski-Dren”, si dhe nxënës të shkollave fillore nga parlamenti i nxënësve pranë shkollave fillore komunale në Kisella Vodë, të cilët patën mundësinë të edukohen drejtpërdrejt për këto tema të rëndësishme.

foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR