Mickoski: Me Stojançe Radiçevskin, Bërvenica do të ketë një kryetar komune në dispozicion të të gjithëve
- Kryeministri dhe lider i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, sonte në një tubim në Bërvenicë, në prag të zgjedhjeve për kryetar komune, tha se qytetarët do të zgjedhin midis, siç tha ai, një "të ardhmeje të sigurt" dhe politikave që çojnë në përçarje.
- Post By Sara Ademi
- 20:19, 16 tetor, 2026
Shkup, 16 tetor 2026 (MIA) - Kryeministri dhe lider i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, sonte në një tubim në Bërvenicë, në prag të zgjedhjeve për kryetar komune, tha se qytetarët do të zgjedhin midis, siç tha ai, një "të ardhmeje të sigurt" dhe politikave që çojnë në përçarje.
"Zgjedhja në këto zgjedhje për Bërvenicën është midis një të ardhmeje të sigurt për të gjithë qytetarët dhe një zgjedhjeje që do ta ndajë Bërvenicën", tha Mickoski.
Në fjalimin e tij, ai kritikoi kundërshtarët e tij politikë, duke thënë se fushata e tyre bazohej në fyerje dhe nënçmim.
"Fatkeqësisht, LSDM-ja ishte këtu dje. Ata nuk kishin program, nuk kishin vepra për të ofruar, por kishin fyerje, nënçmime dhe qëndrim arrogant. Thanë një lloj projekti dhe, përveç britmave të paartikuluara, ligjëratave dhe njerëzve të frikësuar në skenë, ne fjalë për fjalë nuk pamë asgjë tjetër", theksoi Mickoski.
Ai theksoi se Bërvenicës i duhen investime në infrastrukturë, mbështetje për ekonominë lokale dhe bujqësinë, si dhe shërbime më të mira publike, duke shtuar se komuna do të ketë mbështetjen e Qeverisë.
"Bërvenica do ta ketë mbështetjen e Qeverisë dhe me Stojançe Radiçevskin do të ketë një kryetar komune në dispozicion të të gjithëve", tha Mickoski.
Duke iu referuar politikave ekonomike, Mickoski tha se rezultatet duhet të maten sipas ndikimit të tyre në standardin e jetesës së qytetarëve.
"Vlera e vërtetë e secilit rezultat të tillë shihet në atë nëse një familje jeton më e sigurt, nëse një i ri ka siguruar një punë dinjitoze dhe të paguar mirë dhe nëse një pensionist mund t'i kalojë vitet e tij me më shumë dinjitet", tha Mickoski.
Ai tha gjithashtu se institucionet dhe politikanët duhet të vlerësohen sipas rezultateve të tyre dhe përmbushjes së angazhimeve të tyre.
"Nuk po kërkoj nga askush të besojë në fjalë të mëdha pa prova, as të pranojë premtime pa rezultate. Përkundrazi, po kërkoj që institucionet të vlerësohen sipas punës së tyre, dhe politikanët sipas përmbushjes së angazhimeve të tyre", theksoi Mickoski.
Gjashtë kandidatë do të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme për kryetar të komunës së Bërvenicës, të shpallura pas vdekjes së kryetarit të komunës Jovica Ilievski - Stojançe Radiçevski (VMRO-DPMNE dhe koalicioni), Jovica Radeski (LSDM dhe koalicioni), Jakup Useini (Vlen), Arkin Jahiji (BDI dhe AKI), si dhe kandidatët e pavarur Arife Idrizi dhe Dushan Bogdanovski. sa/
Foto: Printskrin