Mickoski: Maqedonia do të jetë kryqëzim i dy korridoreve panevropiane dhe rëndësia e saj gjeostrategjike do të jetë më e madhe
- Pas 10 vjetësh nga projektimi, sot filloi zyrtarisht ndërtimi i segmentit të autostradës nga Bukojçani në Kërçovë. Ajo është pjesë e Korridorit 8 dhe do të lidhë autostradën nga Kërçova në Ohër dhe nga Tetova përmes Gostivarit në Bukojçan.
- Post By Melahat Baftija
- 17:38, 12 tetor, 2026
Shkup, 12 tetor 2026 (MIA) - Pas 10 vjetësh nga projektimi, sot filloi zyrtarisht ndërtimi i segmentit të autostradës nga Bukojçani në Kërçovë. Ajo është pjesë e Korridorit 8 dhe do të lidhë autostradën nga Kërçova në Ohër dhe nga Tetova përmes Gostivarit në Bukojçan.
Autostrada do të ketë dy korsi qarkullimi dhe një korsie ndalimi në të dy drejtimet, ndërsa shpejtësia e lëvizjes do të jetë nga 110 deri në 130 kilometra në orë. Në segmentin e autostradës do të ketë pesë ura, një tunel, dy viadukte dhe dy nyje. Është planifikuar të ndërtohet për katër vjet.

Mjetet financiare janë siguruar përmes BERZH-it në vlerë prej 119 milionë eurosh, ndërsa 20 milionë euro shtesë janë grant nga Bashkimi Evropian dhe 300 mijë euro janë siguruar përmes Fondit të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.
Kryeministri Hristijan Mickoski, i cili foli në fillimin zyrtar të ndërtimit, tha se me këtë segment autostrade, i gjithë projekti merr kuptim sepse autostrada e lidh Shkupin me Ohrin.

"Politika e kësaj Qeverie kur u zgjodh në vitin 2024 ishte ta bënte vendin një kryqëzim që do të bazohej në katër shtylla. Pastaj filluam me tre shtylla, por disi me kalimin e kohës atë qëllim dhe atë sfidë e zgjeruam dhe sot flasim për katër shtylla. Kjo do të thotë të jemi kryqëzim i dy korridoreve paneuropiane - Korridorit 8 dhe Korridorit 10 për sa i përket infrastrukturës rrugore, infrastrukturës hekurudhore, infrastrukturës energjetike dhe infrastrukturës së gazit.
Në këtë mënyrë, rëndësia gjeostrategjike e vendit bëhet me të vërtetë diçka që paraqet fuqi më të madhe për të gjithë qytetarët, por është edhe parakusht për zhvillimin e industrive moderne, dhe shteti fiton me të vërtetë diçka më të madhe, një vlerë të madhe të shtuar kur bëhet fjalë për krahasimin me vitet në të kaluarën", tha Mickoski në fjalimin e tij.
Pas 27 muajsh nga ardhja e Qeverisë, tha Mickoski, po shfaqen treguesit e parë që tregojnë se vendi po ecën në drejtimin e duhur.
"Treguesit e parë të punës së kësaj Qeverie pas 27-28 muajsh punë të përkushtuar rezultojnë me projekte të shumta dhe konsolidim në kushte kur e gjetëm shtetin që po shkonte drejt humnerës dhe në kushte kur bota po përballet me krizën më të madhe energjetike që njerëzimi e mban mend", theksoi Mickoski.

Sipas zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Transportit, Aleksandar Nikolloski, bëhet fjalë për terren malor, të vështirë dhe sfidues, por ai shpreson se kompanitë e përzgjedhura për mbikëqyrje dhe realizim do ta përfundojnë me sukses punën brenda afatit të parashikuar prej katër vjetësh.
"Vendosëm ta zhvillojmë vendin si kryqëzim të dy korridoreve paneuropiane. Maqedonia nuk ka dalje në det, por ka një vendndodhje gjeografike unike e cila, me investime të mëdha në autostrada dhe hekurudha, duhet të nënkuptojë përparim ekonomik për shumë breza që vijnë pas nesh, dhe gjithashtu duhet të nënkuptojë stabilitet politik, sepse me pozicionimin e qartë gjeostrategjik të Maqedonisë si një kryqëzim në Ballkan, stabiliteti politik ecën krah për krah", tha Nikolloski.

Drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore, Koce Trajanovski, tha se kanë punuar intensivisht për dy vjet e gjysmë.
"Nuk po flasim për plane, po fillojmë me ndërtimin e 11,5 kilometrave. Vitin e ardhshëm do të hapim autostradën Kërçovë - Ohër, ndërsa po punohet intensivisht në autostradën Tetovë-Gostivar, kështu që sot po hapim pjesën që mungon, respektivisht pjesën që do të lidhë këto pjesë të autostradës. Do të jetë një autostradë moderne pa tarifa, kështu që shpresojmë të udhëtojmë nga Shkupi në Ohër për më pak se një orë e gjysmë", tha Trajanovski.
Lidhur me shpronësimin, Trajanovski informoi se duhej të kryhej shpronësimi i rreth 1000 parcelave kadastrale, nga të cilat 97 për qind janë përfunduar.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoni, Mihalis Rokas, theksoi se BE-ja mbështet ndërtimin e seksionit Bukojçani - Kërçovë me mbi 20 milionë euro në fonde granti. Me këtë, ne tregojmë, tha ambasadori, edhe një herë se jemi të përkushtuar fuqimisht ndaj lidhshmërisë, zhvillimit ekonomik lokal dhe bashkëpunimit rajonal.
Për Maqedoninë e Veriut, kjo është një pjesë e rëndësishme e tranzicionit drejt një ekonomie më konkurruese, të larmishme dhe të qëndrueshme në të cilën përfitimet e rritjes arrijnë tek njerëzit dhe bizneset në të gjithë vendin.

Shefi i Zyrës së Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Maqedoni, Fatih Turkmenollu, theksoi se Banka është e përkushtuar për të dhënë një shtysë për ekonominë dhe zhvillimin e sektorit privat në vend përmes projekteve të tilla infrastrukturore.
"Ne po ofrojmë 110 milionë euro fonde, të cilat do të plotësohen nga një grant përmes Bashkimit Evropian dhe Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor në shumën prej rreth 20 milionë eurosh. Me këtë shumë, investimi total përmes Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim arrin në 3.2 miliardë euro", deklaroi Turkmenollu. mb/
Foto: Ministria e Transportit/printskrin