• e hënë, 16 nëntor 2026

Mickoski: Më vjen keq që politikanët bullgarë po e bëjnë Iva Mihajlovën një yll estrade, herët a vonë, ajo dhe babai i saj do të japin llogari

Mickoski: Më vjen keq që politikanët bullgarë po e bëjnë Iva Mihajlovën një yll estrade, herët a vonë, ajo dhe babai i saj do të japin llogari

Shkup, 15 tetor 2026 (MIA) - Kryeministri Hristijan Mickoski, sot duke iu përgjigjur pyetjes së gazetatëve në Qeveri, tha se është gënjeshtër absolute që Iva Mihajlova është larguar ligjërisht nga Maqedonia dhe ka hyrë në Bullgari dhe shprehu keqardhje që autoritetet bullgare, në vend që ta kthejnë, po e shndërrojnë në një yll të estradës, duke thënë se "herët a vonë, ajo dhe babai i saj do të japin llogari para autoriteteve të Maqedonisë".

"Është absolutisht e pavërtetë ajo që mediat bullgare po e përhapin në opinion, se ajo, së bashku me avokatin e saj, kanë kaluar në një pikë të rregullt kufitare dhe se edhe ata gjithashtu janë përshëndetur, u është bërë nderim etj. Kjo është gënjeshtër. Së dyti, herën e fundit që kemi të evidentuar, gjë që është konfirmuar edhe nga pala bullgare, avokati ka hyrë më 28 shtator, ndërsa jo në datën që pretendonte ai. Edhe pse bëhet fjalë për një person me të kaluar të dyshimtë, megjithatë dua që opinioni t’i dijë këto gjëra. Nga ana tjetër, mund të konfirmoj gjithashtu se ajo është transferuar në Bullgari në mënyrë të paligjshme. Ministria e Punëve të Brendshme po heton dhe do të zbulojmë se në çfarë mënyre është dërguar atje", tha Mickoski.

Ai përsëriti se si prindi, i cili duhet t'u përgjigjet autoriteteve të Maqedonisë, ashtu edhe Iva, e cila duhet të provojë pafajësinë e saj, herët a vonë do të japin llogari. 

"Nëse dikush mendon se në këtë mënyrë ka siguruar njëfarë mbrojtjeje, duke u përpjekur të dëmtojë marrëdhëniet fqinjësore mes dy shteteve, më vjen keq që udhëheqja politike në Bullgari po përpiqet të tregojë muskujt politikë në këtë mënyrë, pa e kuptuar dëmin që po i shkakton vetes në planin ndërkombëtar. Por ata kanë zgjedhur një politikë të tillë. Më vjen keq që, në vend që ta kthejnë këtu një person të dënuar me aktgjykim të formës së prerë, që ta vuajë dënimin për të cilin është dënuar, ata po e shndërrojnë në yll të estradës dhe klloun. Më vjen keq edhe që një vajzë e re, e cila pjesën më të madhe të jetës dhe të arsimimit e ka kaluar në atdheun e saj, Maqedoninë, ka vendosur të bëhet ajo që sot po paraqitet në vendin tonë fqinj lindor. Por ja, unë e shikoj opinionin maqedonas në sy dhe ju them: “Herët a vonë, të dy do të përballen me drejtësinë”, theksoi Mickoski. 

Lidhur me mënyrën se si kjo do të ndikojë në marrëdhëniet dypalëshe, si dhe për akuzat nga opozita, kryeministri tha se "vetë fakti që opozita dhe udhëheqja e fqinjit tonë lindor janë në të njëjtën linjë thotë shumë për atë se cili ishte dhe cili është qëllimi, as nuk është qëllimi i Ivës, as ndonjë gjë tjetër".

"Qëllimi është të krijohet një temë politike që ata supozojnë se do të ndikojë në vlerësimin e koalicionit qeverisës, gjegjësisht të VMRO-DPMNE-së, dhe në këtë mënyrë do të sigurojnë një përfitim të caktuar për opozitën, e cila ka një qëndrim fjalë për fjalë identik me atë të udhëheqjes bullgare. Nëse kështu është rënë dakord, po i kërkojmë asaj dhe prindërve të saj t'i sjellin përsëri sot dhe të shohim nëse kështu është rënë dakord apo jo", theksoi Mickoski.

Iva Mihajlova, e cila ka shtetësi maqedonase dhe bullgare, akuzohet në Maqedoni për një aksident trafiku me fatalitet. Pas arratisjes së saj në Bullgari, Gjykata Themelore në Koçan lëshoi ​​një urdhër arresti për të më 13 tetor, ndërsa autoritetet maqedonase lëshuan një urdhër arresti qendror dhe ndërkombëtar. Arrestimi dhe ekstradimi i saj u kërkuan nëpërmjet Interpol-Shkup.

Foto: MIA

​

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR