• e hënë, 16 nëntor 2026

Mickoski: Kemi përgjegjësi historike të tregojmë se mund ta çojmë vendin më lartë se kurrë më parëdo herë

Mickoski: Kemi përgjegjësi historike të tregojmë se mund ta çojmë vendin më lartë se kurrë më parëdo herë

Shkup, 15 tetor 2026 (MIA) - E ardhmja e vendit tonë nuk varet nga ajo se sa zëshëm do të flasim për zhvillimin ekonomik, por nga ajo se sa do të prodhojmë, sa do të eksportojmë, sa vende të punës do të krijojmë dhe sa kompani të fuqishme do të ndërtojmë, porositi sonte kryeministri Hristian Mickoski para afariostëve të mbledhur në manifestimin "Business Leader 2026" që u mbajt në Filarmoninë e Maqedonisë.

"Maqedonia ka potencial të madh, por për dekada të tëra, shumë shpesh kemi folur për atë potencial, ndërkaq shumë pak kemi bërë për ta shndërruar atë në realitet ekonomik, përderisa vendet e tjera investonin në infrastrukturë, teknologji, industri dhe arsim, ne kemi humbur kohë të çmuar duke u marrë me kriza politike, pasiguri institucionale dhe politika ekonomike që nuk kanë pasur vazhdimësi afatgjate. Gjenerata jonë nuk ka të drejtë ta vazhdojë atë cikël, sepse bota po ndryshon më shpejt se kurrë më parë, konkurrenca globale po bëhet më e fuqishme, kapitali po bëhet më i kujdesshëm, ndërsa teknologjia po krijon mundësi që do të shfrytëzohen vetëm nga ato vende që arrijnë të përshtaten në kohë me këto sfida të reja bashkëkohore", tha Mickoski.

Shtoi se nga dita e parë e formimit të Qeverisë është vendosur qëllim i qartë ekonomik që të ndërtohet ekonomi stabile, produktive dhe konkurrente, në të cilën shteti do të jetë partner i sipërmarrësve, dhe jo pengesë për zhvillimin e tyre.

" Dhe sot, kur flasim për ekonominë, tashmë nuk flasim vetëm për plane dhe parashikime, por për tregues konkretë që konfirmojnë se politikat që po zbatojmë po japin rezultate. Në vitin 2025, ekonomia maqedonase shënoi një rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) prej 3,5 për qind, ndërsa në tremujorin e dytë të vitit 2026, rritja arriti në 4,3 për qind. Bazuar në të dhënat krahasuese në dispozicion, kjo na rendit ndër pesë vendet e para në Evropë për sa i përket rritjes ekonomike, një arritje veçanërisht e rëndësishme, nëse merren parasysh rrethanat e ndërlikuara ekonomike ndërkombëtar dhe sfidat me të cilat përballet aktualisht ekonomia evropiane", theksoi Mickoski. 
 
Theksoi se janë hapur rreth 17.000 vende të punës gjatë 27 muajve të kaluar, rroga mesatare në korrik ishte rreth 48.500 denarë, ndërsa nga korriku 2024 deri në qershor 2026 investimet e huaja të drejtpërdrejta arritën një miliardë e 381 milionë euro. 

Veçanërisht me rëndësi, sipas kryeministrit, është që në kushte të sfidave ekonomike globale dhe presioneve mbi çmimet, norma mesatare e inflacionit në tremujorin e tretë të këtij viti qëndron në 2,5 për qind, përderisa në disa vende fqinje arrin në 5 për qind ose më shumë, dhe krahasuar me mesataren e Bashkimit Evropian, inflacioni në vendin tonë është 25 për qind më i ulët. 

"Këta tregues nu i përmend për të pretenduar se të gjitha problemet janë zgjidhur, pasi kjo nuk do të ishte as serioze, as e përgjegjshme – por për të treguar se ekziston një drejtim ekonomik, se kemi arritur rezultate konkrete dhe se e dimë se ku duam të shkojmë: që kompanitë maqedonase të evoluojnë përtej të qenit thjesht pjesë e zinxhirëve globalë të prodhimit, duke u bërë gjithnjë e më shumë krijuese të teknologjive, markave dhe produkteve të tyre, si dhe që inxhinierët, programuesit, teknologët dhe menaxherët tanë të rinj ta shohin të ardhmen e tyre profesionale pikërisht këtu",  theksoi Mickoski. 
  
Obligim i shtetit, siç tha, është të krijojë kushte në të cilat afaristët do të investojnë dhe do t'i planifikojnë dhe zhvillojnë planet e veta pa barrierat e panevojshme administrative. 

"Mu prandaj kemi siguruar 250 milionë euro në fonde kredie të favorshme për të mbështetur ekonominë vendase – me një normë interesi prej 1,95 për qind, periudhë shlyerjeje deri në 15 vjet dhe periudhë mospagimi (periudhë grejs) deri në tre vjet – për t'u mundësuar kompanive të investojnë në pajisje të reja, kapacitete prodhuese, modernizim dhe zhvillim. Jam i bindur se politika më e mirë ekonomike nuk është ajo që krijon varësi nga shteti, por ajo që fuqizon ndërmarrjet të bëhen më të forta, më të pavarura dhe më konkurruese", theksoi Mickoski. 
 
Vizioni ynë, shtoi kryeministri, shkon më larg sepse në vitet në vijim duhet të ndërtojmë model ekonomik në të cilin kompanitë vendore do të kenë qasje drejt kapitalit, tregjeve të reja dhe fuqisë së kualifikuar punëtore, dnërsa shteti do t'i kahëzojë resurset e veta drejt projekteve të ilat krijojnë vlera afatgjate. 

"Jam i vetëdijshëm se para nesh qëndrojnë sfida serioze, por mu për këtë arsye, është obligim i ynë të krijojmë një ekonomi ku një i ri ka arsye të qëndrojë, të punojë, të hapë një kompani dhe të krijojë familje këtu. Ambicia jonë kombëtare nuk duhet të jetë vetëm ruajtja e vendeve ekzistuese të punës, por edhe nxitja e brezave që do të themelojnë kompani të reja, do të zhvillojnë produktet e tyre dhe do të pushtojnë tregjet evropiane e globale", theksoi Mickoski. 
 
Për ne, shtoi, kulmi nuk duhet të jetë vetëm arritja e një shkalle të caktuar e rritjes ekonomike, por krijimi i shtetit me institucione të fuqishme, infrastrukturë bashkëkohore, kompani të suksesshme vendore, industri konkurrente dhe qytetarë të cilët mund të jetojnë me dinjitet nga puna e tyre. 

I porositi afaristët se në Qeveri do të kenë aprtner të sigurt i cili i kupton sfidat e ekonomisë, i cili e respekton nismën private dhe i cili beson se shteti i fuqishlm mund të ekzistojë vetëm nëse ja ekonomi të fuqishme.

"Para nesh është periudha në të cilën duhet të marrim vendime të guximshme, të rrisim produktivitetin, të përshpejtojmë modernizimin dhe të krijojmë kushte që brezi i ardhshëm i kompanive maqedonase të jetë më i madh, më inovativ dhe të ketë një prani më të fortë në tregjet ndërkombëtare. Dua që kjo mbrëmje të shërbejë si pikënisje për një ambicie të përbashkët kombëtare: të mos merremi më me faktin se sa të vegjël jemi, sikur kjo të pengonte arritjet e mëdha, por përkundrazi, të fillojmë të dëshmojmë përmasat e arritjeve që mund të krijojnë njerëzit e një kombi të vogël. Askush nuk do të na dhurojë ekonomi të zhvilluar, askush nuk do t'i ndërtojë kompanitë tona në vendin tonë, dhe askush nuk do ta krijojë të ardhmen që dëshirojmë, nëse ne vetë nuk kemi guximin, disiplinën dhe këmbënguljen për të punuar për të. Qëllimi ynë nuk është thjesht të arrijmë në majë, por të ndërtojmë një komb ku çdo brez i ardhshëm të ketë përpara një majë edhe më të lartë për t'u ngjitur, mundësi më të mëdha për t'i shfrytëzuar dhe një ekonomi më të fortë mbi të cilën të ndërtojë të ardhmen e vet. Ky është detyrimi ynë ndaj qytetarëve, përgjegjësia jonë ndaj brezave që vijnë dhe një ambicie nga e cila nuk do të heqim dorë. Sepse një komb i fortë nuk krijohet përmes ambicieve modeste, por përmes qëllimeve madhore, vendimeve të guximshme dhe një trashëgimie të qëndrueshme rezultatesh", deklaroi kryeministri Mickoski në manifestimin e sontëm në Filarmoninë e Maqedonisë. 
 
Kulmi, tha Mickoski, nuk dhurohet, drejt tij arrihet, ndërsa gjenerata jonë ka përgjegjësi historike të tregojë se mund ta çojë shtetin më lartë se kurrë më parë. ab/

Foto: printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR