Mickoski, Hoxha dhe Stefkovski inspektojnë ndërtimin e kanalizimit fekal në Idrizovë, në vlerë prej 50 milionë denarë
- Kryeministri, Hristijan Mickoski, i shoqëruar nga ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, dhe kryetari i Komunës së Gazi Babës, Boban Stefkovski, sot inspektuan aktivitetet ndërtimore të fazës së parë të ndërtimit të sistemit të kanalizimit fekal në vendbanimin Idrizovë, Komuna e Gazi Babës.
- Post By Sara Ademi
- 14:15, 16 gusht, 2026
Shkup, 16 gusht 2026 (MIA) - Kryeministri, Hristijan Mickoski, i shoqëruar nga ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, dhe kryetari i Komunës së Gazi Babës, Boban Stefkovski, sot inspektuan aktivitetet ndërtimore të fazës së parë të ndërtimit të sistemit të kanalizimit fekal në vendbanimin Idrizovë, Komuna e Gazi Babës.

Projekti parashikon ndërtimin e një rrjeti të ri të kanalizimit fekal me gjatësi prej 1.478 metrash. Vlera e kontratës është afërsisht 50 milionë denarë, ndërsa mjetet janë siguruar nga thirrja e dytë publike e Qeverisë.

Kryetari i Komunës së Gazi Babës, Boban Stefkovski, vuri në dukje se deri më tani komuna ka ndërtuar 36 kilometra rrjet të ri të kanalizimit në vendbanimet Smilkovc, Creshevë, Straçinc dhe disa faza në Jurumleri dhe Goce Dellçev.

"Që nga dita e parë e mandatit tim, kemi punuar intensivisht për të zgjidhur problemet dekadëshe në disa vendbanime. Ajo që jam i lumtur të njoftoj është se përmes Qeverisë kemi siguruar edhe fonde për ndërtimin e fazës përfundimtare të sistemit të kanalizimit fekal në Jurumleri dhe për disa javë nga sot do të fillojmë zbatimin e atij projekti. Së bashku me koordinimin me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, është në proces zgjedhja e një operatori ekonomik i cili do të zbatojë fazën përfundimtare të ndërtimit të sistemit të kanalizimit fekal për vendbanimet Goce Delçev dhe Çukur maalo, Trubarevë", tha kryetari i Komunës së Gazi Babës.
Ai theksoi se si komunë janë shndërruar në një kantier të madh ndërtimi: po ndërtohet një shkollë e re, po zgjerohen dy shkolla të reja fillore, po ndërtohen dy kopshte të reja, po ndërtohen salla të reja sportive, po asfaltohen rrugë, po ndërtohen rrjete të kanalizimeve fekale dhe njoftoi se kjo do të vazhdojë edhe në periudhën në vijim për të siguruar një standard më të mirë jetese për të gjithë bashkëqytetarët tanë.

Ministri Hoxha theksoi se ky projekt është me rëndësi të jashtëzakonshme për banorët e këtij vendbanimi, si dhe për mjedisin përreth.
"Për realizimin e këtij projekti janë siguruar rreth 50 milionë denarë, mjete të siguruara nga thirrja e dytë e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut përmes Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, investon në zgjidhje sistemike që do t'i zgjidhin përgjithmonë problemet e qytetarëve", tha Hoxha.

Kryeministri Mickoski theksoi se Qeveria ka vendosur që ky projekt kompleks të jetë një nga prioritetet me të cilin do të ndërtohet Maqedonia si shtet, dhe qytetarët do të marrin kushte më të mira jetese.
"Dhe kur të gjitha këto projekte të marrin formë ashtu siç janë konceptuar, atëherë jam i sigurt se do të kemi një vlerë të shtuar të madhe për cilësinë e jetës së të gjithë qytetarëve", tha Mickoski. sa/
Foto: MIA