Mickoski: Besoni në atdheun tonë, treguam se mund të fitojmë
- Besoni në atdheun tonë. Jo sepse është i përsosur. Por sepse është i yni dhe sepse mund ta bëjmë më të mirë. Jo sepse nuk kemi probleme. Por sepse kemi forcën t'i zgjidhim ato. Jo sepse historia na ka premtuar fitoren. Por sepse jemi të gatshëm ta meritojmë atë, porositi kryeministri Hristijan Mickoski sot në ceremoninë nën moton "Dita shndriti fuqishëm!", e cila po mbahet në pllajën para Qeverisë. Tridhjetë e pesë vjetori i pavarësisë, theksoi ai, duhet të jetë një pikë kthese.
- Post By Fami Bajrami
- 16:24, 8 shtator, 2026
Shkup, 8 shtator 2026 (MIA) - Besoni në atdheun tonë. Jo sepse është i përsosur. Por sepse është i yni dhe sepse mund ta bëjmë më të mirë. Jo sepse nuk kemi probleme. Por sepse kemi forcën t'i zgjidhim ato. Jo sepse historia na ka premtuar fitoren. Por sepse jemi të gatshëm ta meritojmë atë, porositi kryeministri Hristijan Mickoski sot në ceremoninë nën moton "Dita shndriti fuqishëm!", e cila po mbahet në pllajën para Qeverisë. Tridhjetë e pesë vjetori i pavarësisë, theksoi ai, duhet të jetë një pikë kthese.
Sot, 35 vjet më vonë, theksoi ai, të mos shikojmë vetëm prapa në rrugën që kemi shkelur, por përpara drejt një shteti që ende nuk e kemi ndërtuar - një vend më të fortë, të bashkuar, dinjitoz, në të cilin fëmijët tanë do të qëndrojnë, krijojnë dhe ëndërrojnë dhe në të cilin çdo njeri do të dijë se kjo është shtëpia e vet.
Kryeministri Mickoski iu referua rezultateve të arritura dhe mundësive të humbura dhe theksoi se ambicia jonë kombëtare në tridhjetë e pesë vitet e ardhshme nuk duhet të jetë vetëm mbijetesa.
"Duhet të kemi sukses. Sepse populli që ka mësuar me shekuj si të mbijetojë, tani duhet të mësojë si të fitojë në paqe, si të prodhojë dije, si të ndërtojë institucione që nuk do të varen nga vullneti i individit, si t'i mbajë fëmijët e tij më të mirë në shtëpi dhe si të krijojë një vend me mundësi të mëdha nga një shtet i vogël. Kjo është lufta jonë e re historike", ka thënë kryeministri Mickoski.

Ai dërgoi mesazh bashkimi dhe mbështetjeje të ndërsjellë.
"Nën këtë nënqiell dhe flamur ka vend dhe respekt për të gjithë. Dhe nuk ka diçka të tillë si atdheu juaj dhe i yni, kryeministri juaj dhe i yni, qeveria juaj dhe e jona, historia juaj dhe e jona. Ka vetëm një atdhe, një ëndërr, një betejë. Një ide. Vetëm një dhe e vetmja Maqedoni. Dhe ne jemi shumë pak për t'u ndarë!, theksoi Mickoski.

Nuk do t’u kërkoj, theksoi ai, atyre që nuk pajtohen me mua të fillojnë të mendojnë si unë. Do të kërkoj diçka shumë më të rëndësishme – kur bëhet fjalë për shtetin, të gjejmë forcën për të qëndruar pranë njëri- tjetrit.
"Një shtet për të gjithë njerëzit nuk duhet të jetë vetëm një koncept politik. Duhet të jetë kontrata jonë shoqërore. Një premtim ndaj njëri- tjetrit se askush nuk do të jetë më pak i rëndësishëm sepse është i ndryshëm, se askush nuk do të lihet pas dore dhe se shteti do të jetë mjaftueshëm i madh për të gjithë qytetarët e tij. Le t’u lëmë atyre një shtet në të cilin nuk do të trashëgojnë urrejtje të vjetra, por mundësi të reja”, tha Mickoski.

Ceremonia filloi me ngritjen e flamurit kombëtar dhe këndimin e himnit nga orkestra ushtarake.

Para fillimit të ceremonisë, kryeministri i uroi mirëseardhje kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, ndërsa në kremtim morën pjesë ministra, deputetë, përfaqësues të institucioneve, trupi diplomatik, bashkësi fetare...
Foto: MIA