• e shtunë, 14 qershor 2025
MIA Flesh

12:00/ 13 maj/ 2025

Shkup – Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, në kuadër të vizitës së punës në Stokholm, ka realizuar takim me ministren e çështjeve evropiane të Suedisë, Xhesika Rozenkranc. Në fokus të bisedimeve ishte procesi i integrimeve evropiane të shtetit, mbështetja nga Suedia në këtë proces, si dhe proceset e reformave në vend.  Në takim, siç bënë të ditur sot nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Mucunski ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme dhe parimore suedeze për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, me theks të veçantë në angazhimet për anëtarësim të plotë të Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Ai e theksoi përkushtimin suedez në politikën e zgjerimit si faktor kyç për integrimin e rajonit. 

Shkup - Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, deklaroi se kanë pasur bisedime lidhur me kombinatorikat që mund të bëhen për postet ministrore pas largimit të ASH-së dhe daljes së Arben Taravarit në opozitë. Taravari i cili është ministër i Shëndetësisë, mbrëmë njoftoi se ai dhe ASH-ja largohen nga Qeveria dhe kalojnë në opozitë. Kasami i cili është një nga liderët e VLEN-it, pjesë e koalicionit qeverisës në intervistën për “360 Gradë” tha se nuk e përjashton mundësinë që VLEN t’ia japë Ministrinë e Shëndetësisë VMRO-DPMNE-së dhe në këmbim të marrë një resor tjetër. Jozyrtarisht, sipas “360 Gradë”, po shqyrtohet mundësia që ministria e Arsimit t'i takojë VLEN-it, ndërsa me Shëndetësinë të udhëheq kuadër i VMRO-DPMNE-së.

Shkup - Dënim me burg prej 12 viteve i shqiptoi Gjykata Vasill Jovanovit, në bazë të pranimit të fajit për "veprën e rëndë kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion", për shkeljen e Frosina Kullakovës në janar të këtij viti në bulevardin "Aradhat partizane" në Shkup. Gjyqtarja Snezhana Markovska, në shqiptimin e aktgjykimit sot në Gjykatën penale themelore Shkup tha se si rrethana lehtësuese, Gjykata i ka vlerësuar pranimin e fajit dhe ndjenjen e fajit, si dhe vetëdijen për shkallën e veprës penale që e ka kryer dhe pasojat, moshën dhe mungesën e përvojës, jetën e mëparshme - student aktiv dhe sportist dhe sjelljen e tij pas kryerjes së vepërs, ndërsa si rrethana rënduese, intensitetin e veprimeve dhe shkeljen e numrit të madh të normave të përgjithshme nga Ligji për komunikacion, si dhe shkallën e rrezikut të shkaktimit të këtij krimi dhe faktin se i pandehuri është dënuar më parë me tre vjet e dhjetë muaj burg për tregti të paligjshëme me drogë dhe faktin se kundër tij janë hapur disa procedura të tjera në gjykatë për kalim në semafor të kuq dhe rrezikimin e jetës së këmbësorëve dhe qëndrimin e tij plotësisht injorant ndaj tyre.  

Shkup - Në kuadër të vizitës dyditore pune në institucionet e Bashkimit Evropian në Bruksel, Ministri për Çështje Evropiane Orhan Murtezani sot mbajti takim edhe me Valentina Superti, Drejtoreshë në Drejtorinë e përgjithshme për zgjerim dhe fqinjësi lindore (DG ENEST) në Komisionin Evropian. Diskutimet, siç bënë të ditur nga Ministria e Çështjeve Evropiane, u zhvilluan në kontekst të fazës së avancuar të përgatitjeve për hapjen e Klasterit 1 (Vlerat Themelore), ku theksi i veçantë u vendos në përmbushjen përcaktuesve për hapje që janë parakusht për hapjen e këtij klasteri, të përcaktuar në Kornizën Negociuese. 

Shkup- Sektori i Krimit Kompjuterik pranë Byrosë së Sigurisë Publike të Ministrisë së Punëve të Brendshme periudhën e fundit konstatoi një dukuri të shpeshtuar të ashtuquajtur -sulmet fishing, përmes postës elektronike në të cilën po keqpërdoren emrat e disa kompanive maqedonase, me qëllim të furnizimit të paaurtorizuar të të dhënave nga to. Këto mesazhe, siç bën të ditur MPB, pohojnë rrejshëm se keni kryer shkelje të të drejtave autoriale dhe përmbajnë linqe -fishing në dokumentacionin e supozuar ose kërkesa për ndërmarrjen e veprimeve. "Është e rëndësishme dhe domethënëse që qytetarët, gjegjësisht kompanitë të dinë se mesazhi nuk është dërguar nga kompania e vërtetë, të mos klikojnë në linqet ose bashkëngjitjet në mesazh, të mos i përgjigjen mesazhit, të mos këmbejnë informacione personale dhe menjëherë ta fshijnë mesazhin", thuhet në kumtesë.

Shkup - Urbanizimi masiv i hapësirave, procedurat e gjata për miratimin e planeve urbanistike, mosmiratimi i programeve vjetore, mosvendosja e gjobave ndaj shkelësve kontribuojnë në mospërmbushjen e standardit të rekomanduar të gjelbërimit në qytete, konstatojnë nga Enti Shtetëror i Revizionit (ESHR). Në publikimin e sotëm të revizionit me temën "Planifikimi urban i infrastrukturës së gjelbër në qytete" në qëllimin që t'i jepet përgjigje pyetjes "A sigurojnë masat dhe politikat e qeverisjes qendrore dhe vendore planifikim efikas të infrastrukturës së gjelbër në qytete?, theksohet se me fushëveprimin dhe provat të cilat u siguruan në rrugën e zbatimit të metodologjisë dhe teknikave të revizionit, revizorët fituan siguri të arsyeshme se masat dhe politikat e pushtetit qendror dhe lokal nuk sigurojnë planifikim efektiv të infrastrukturës së gjelbër në qytete.

Shkup – Furnizuesit dhe tregtarët me energji elektrike të Maqedonisë së Veriut nga 1 qershori do të kenë mundësi të furnizojnë 1.000 konsumatorë të rinj nga tregu kosovar, ku fillon faza shtesë e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, njoftuan sot nga Komisioni Rregullator për Energjetikë, Shërbime Ujore dhe Shërbime për Menaxhim me Mbeturina Komunale (KRRE).  Ky ishte shkas, siç qëndron në kumtesë, KRRE të fillojë takim, në të cilin rregullatori kosovar para furnizuesve dhe tregtarëve nga Maqedonia e Veriut i ka prezantuar hapat se si më lehtë të kenë qasje te ata në treg. “Pasi i ndërmorëm të gjitha aktivitetet e nevojshme si rregullatorë dhe bëmë njohje të ndërsjellë të licencave për furnizim dhe tregti, tani duam që kompanitë t’i motivojmë që ta shfrytëzojnë këtë mundësi. Treg më i madh, sjell konkurrencë më të madhe, ndërsa përfitimi është çmime më të ulëta për energji elektrike. Tani për më pak se një muaj, gjegjësisht nga 1 qershori do të jenë në dispozicion edhe 500 GWh me të cilat do të mund të bëhet tregti në tregun e lirë të Kosovës dhe kjo është mundësi e shkëlqyer biznesi për furnizuesit dhe tregtarët tanë”, theksoi Marko Bislimoski, kryetar i KRRE. 

Shkup – Më së shumti shi gjatë 24 orëve ka rënë në Strumicë, katër litra në metër katrorë. Sipas matjeve të DPHM-së për sasinë e shiut të rënë gjatë 24 orëve të kaluara, deri në orën 8 janë matur dy litra në metër katrorë në Krushevë, ndërsa nga një litër në Kriva Pallankë, Prilep, Vinicë, Pozharan dhe Kodër të Diellit.  Për sot, DPHM parashikon mot të ndryshueshëm me vranësira me shi të kohëpaskohshëm lokal. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi verior, më e shprehur përgjatë Vardarit. Pasdite në disa vende moti do të jetë i paqëndrueshëm me shi të rrëmbyeshëm, bubullima dhe erë të fuqishme. Temperatura e ditës do të jetë në interval prej 15 deri 23 gradë. 

Kiev - Presidenti i Ukrainës, Vollodimir Zelenski do të takohet vetëm me presidentin rus Vlladimir Putin për bisedime në Turqi të enjten dhe me askënd tjetër nga delegacioni i mundshëm rus në Stamboll, tha për "Rojters" një këshilltar i presidentit ukrainas, transmeton BTA. Zelenski deklaroi se është i gatshëm të takohet me Putinin në metropolin turk për negociata që do t'i jepnin fund luftës në Ukrainë e cila filloi në shkurt 2022.

Londër - Policia britanike kumtoi se ka arrestuar një djalë me dyshim se ka vënë zjarr në shtëpinë private të kryeministrit britanik, Kir Starmer në Londër. Djali i moshës 21 vjeçare u arrestua herët në mëngjes, kumtoi policia. Nuk ka persona të lënduar në zjarrin që ka ndodhur dje herët në mëngjes, e në të cilin u shkaktua dëm në shtëpinë në Londrën veriore. Starmer momentalisht jeton në rezidencën zyrtare të kryeministrit në Dauning Strit 10. Ai është shpërngulur aty verën e vitit të kaluar, kur Partia e tij Laburiste fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare në korrik.

Kanbera - Kryeministri i Australisë Entoni Albaneze është betuar për një mandat të dytë së bashku me ministrat e tij, pasi siguroi një fitore bindëse në zgjedhje. Partia laburiste e Albanezes arriti të përfitonte nga reagimi i votuesve kundër paqëndrueshmërisë globale, të shkaktuar nga politikat e presidentit amerikan Donald Tramp për të fituar zgjedhjet e 3 majit. Komisioni zgjedhor është ende duke numëruar votat në disa vende, por Partia Laburiste pretendon se ka fituar të paktën 92 vende nga 150 anëtarë në Shtëpinë e deputetëve. "Ky është grupi më i madh parlamentar i Partisë laburiste që nga themelimi i Australisë në vitin 1901", deklaroi Albaneze.

Uashington – Temat kryesore të bisedimeve potenciale ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës mund të jenë për statusin territorial, kontrollin mbi centralin bërthamor Zaporozhjë, si dhe shfrytëzimin e lumit Dnjepër dhe qasje të Ukrainës në Detin e Zi, deklaroi i dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë, Stiv Uitkof në intervistë për portalin amerikan “Brejtbart njuz”  (Breitbart News). Ai theksoi se “nuk do të ketë marrëveshje pa miratim nga ana e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin”.  Uitkof theksoi se çështja për centralin bërthamor Zaporozhjë ka rëndësi të veçantë për shkak të kapacitetit të saj energjetik. 

Uashington - Presidenti amerikan, Donald Tramp arriti në Arabinë Saudite, prej ku do ta fillojë turneun e tij në tre vende të Gjirit. Në aeroport në kryeqendrën saudite Riad, Trampi është pritur solemnisht nga trashëgimtari saudit i Fronit, princi Mohamed bin Salman, me të cilin më vonë do të realizojë bisedë. Pas Arabisë Saudite, Trampi do t'i vizitojë Katarin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Gjatë turneut të tij në rajon, Trampi shpreson se do të lidh marrëveshje afariste dhe investuese. Do të shqyrtohen edhe çështje politike, siç janë Irani dhe Gaza.

Gazë - Forcat izraelite mbrojtëse (IDF) njoftuan se kanë bombarduar një spital në Rripin e Gazës që sipas tyre është përdorur nga Lëvizja islamiste Hamas për "aktivitete terroriste". Nga ana tjetër, Hamasi njoftoi se gjatë sulmit është vrarë një gazetar të cilin Izraeli më parë e kishte akuzuar për pjesëmarrje në sulmin e 7 tetorit 2023. Pas ndërprerjes së luftimeve për shkak të lirimit të pengut amerikano-izraelit Edan Aleksander, IDF tha se kanë goditur një "qendër komanduese dhe kontrolli të vendosur në spitalin Nasr" në Kan Junis në jug të territorit palestinez.

Bazel - Në orën 21 sonte fillon gjysmëfinalja e parë e edicionit të 69-të të "Eurovisionit" në Bazel. Eventi organizohet nga EBU dhe Korporata zvicerane radiodifuzive. Moderatorë të "Eurovisionit" të sivjemtë do të jenë Hejzel Bruger dhe Sandra Studer. Në gjysmëfinalen e parë do të garojnë 15 shtete, ndërsa do të performojnë gjithashtu edhe përfaqësues nga Italia, Spanja dhe Zvicra. Të dielën, më 11 maj, përfaqësues nga 37 vende pjesëmarrëse në "Eurovision 2025" parakaluan qilimin e famshëm ngjyrë bruz - i cili këtë vit është më i gjati ndonjëherë 1.3 kilometra. Para fillimit të garës së këtij viti, më shumë se 70 ish konkurrentë të Eurovisionit, përfshirë fituesit, nënshkruan një letër të hapur drejtuar Unionit evropian radiodifuziv (EBU) duke kërkuar që Izraeli të përjashtohet nga gara.

QËNDRONI TË LIDHUR