• e premte, 30 gusht 2024
MIA Flesh

15:00/ 29 gusht / 2024

Shkup - Këshilltarja e LSDM-së në Këshillin e Qytetit të Shkupit, Lubica Jançeva, para fillimit të seancës së Këshillit në një deklaratë për mediat i porositi këshilltarët e VMRO-DPMNE-së që t'i japin fund bllokadës së Këshillit dhe t'i votojnë projektet kyçe për Shkupin.

Shkup - Ministri i Drejtësisë Igor Filkov sot pati takim me përfaqësuesen e Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijë - UNICEF, Lesli Miler, njoftoi kabineti i tij. U diskutua për aktivitetet e përbashkëta në të ardhmen, sfidat dhe mundësitë për bashkëpunim të suksesshëm. Prioriteti i angazhimit të përbashkët mbetet realizimi i plotë i interesit më të mirë të fëmijës në përputhje me Konventën për të Drejtat e Fëmijës. 

Shkup - Nga ana e Qytetit ende nuk kemi masa konkrete rreth ndotjes së ajrit, tha sot Gorjan Jovanovski, në kuadër të seancës së 51-të të Këshillit të Qytetit të Shkupit, kur në rendin e ditës ka qenë iniciativa e grupit të këshilltarëve të Qytetit të gjelbër human për ndërmarrjen e masave për mbrojtjen e cilësisë së ajrit në Shkup që rezultojnë nga Kuvendi klimatik civi të Shkupit. Ai gjithashtu, referua edhe kompostatorëve të instaluar që ishin të mbuluar me plastikë në vend të kompostimit të mbetjeve.

Shkup - Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski ka realizuar sot takim pune me ambasadorin e Republikës së Turqisë, Fatih Ulusoj. Siç ka informuar MPB, në takim u konfirmua se Turqia është një nga partnerët tanë më të afërt, si dhe një aleat i rëndësishëm në NATO dhe marrëdhënia e ndërsjellë miqësore dhe partneriteti është i plotësuar nga bashkëpunimi i fortë ekonomik, tregtar, si dhe bashkëpunimi i sigurisë dhe ai kulturor, për të cilat të dy shtetet mbeten të përkushtuara.

Shkup - Në korrik të vitit 2024 çmimet e shitjes së prodhuesve të prodhimeve industriale në tregun vendor në nivel mujor janë më të larta për 0.1 për qind dhe për 3.5 për qind në nivel vjetor. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës (ESHS), në muajin korrik të vitit 2024, krahasuar me qershorin e vitit 2024, çmimet e shitjes së prodhuesve të prodhimeve industriale në tregun vendor janë më të larta në grupin e produkteve jo të qëndrueshme për konsum të gjerë për 0.8 për qind.

Shkup - Qeveria zyrtare e Republikës së Bullgarisë është qeveri legjitime dhe mbetet e hapur për dialog me Maqedoninë e Veriut. Përpjekjet për negociim të sërishëm të detyrimeve tashmë të ndërmarra ndërkombëtare mund të çojnë vetëm në distancim të mëtejshëm nga fillimi i negociatave për anëtarësim në BE, informojnë nga MPJ-ja bullgare.

Prishtinë - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim lamtumirës shefin e misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë, ambasadorin Majkëll Davenport. Në takim, siç theksohet në kumtesën e kabinetit të presidencës, është vlerësuar angazhimi i ambasadorit Davenport në krye të OSBE-së në mbështetje të përpjekjeve për forcimin e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit për të cilat Kosova po tregon progres të vazhdueshëm.

Zagreb - Kroacia mbetet e gatshme të ndihmojë Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Në 20 vitet e fundit, ka pasur shumë padrejtësi ndaj Maqedonisë së Veriut dhe ka ardhur koha kur të gjitha këto duhet të respektohen, deklaroi kryeministri kroat Andrej Plenkoviq pas takimit me kolegun e tij Hristijan Mickoski, i cili është për vizitën e tij të parë zyrtare në Kroaci. Në konferencën për shtyp të mbajtur pas takimit Kokë më kokë në ndërtesën e qeverisë në Zagreb, Plenkoviq tha se Kroacia do të angazhihget për një proces më dinamik të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

 Gazë - Familjarët e pengjeve izraelitë të mbajtur nga militantët e Hamasit u mblodhën në kufirin me Gazën për të thirrur të familjarët e tyre përmes altoparlantëve dhe në një moment u përpoqën të depërtojnë në enklavën palestineze, shkruan "Tajms of Izrael". Disa familjarë të pengjeve të cilët organizuan një protestë pranë kufirit me Gazën e depërtuan gardhin e sigurisë dhe u përpoqën të hyjnë më thellë në enklavën palestineze te të afërmit e tyre, bëri të ditur Forumi i Familjeve të Pengjeve dhe Personave të Zhdukur. Ata gjithashtu njoftuan se iu bindën kërkesave të forcave të sigurisë dhe u kthyen në Kibuc Nirim ku ishte organizuar tubimi. 

Kursk - Autoritetet në rajonin e Kurskut të Rusisë informojnë se nga sot (29 gusht) do të vendosen masa shtesë të sigurisë në zonën e qytetit Kurçatov dhe termocentralin bërthamor të Kurskut, transmeton Hina. Hyrja në Kurçatov, ku ndodhet termocentrali, do të kufizohet përkohësisht, shkruan guvernatori rajonal Aleksej Smirnov në platformën sociale Telegram.

Majami - Një peshkaqen ka shkaktuar vdekjen e një djali 16 vjeçar të shkollës së mesme në Xhamajka. Trupi i pajetë është gjetur në ujërat në veri të ishullit, njoftuan autoritetet e atjeshme. Adoleshenti Jahmari Rid jetonte në Trelani, në lindje të qytetit të njohur turistik Montego Bej. Djali thuhet se shkoi për peshkim i vetëm të hënën herët në mëngjes dhe peshkatarët e gjetën trupin e tij të nesërmen me lëndime që tregojnë një sulm peshkaqeni, thuhet në raportin e policisë.

Pekin - Kina dhe SHBA-ja duhet të jenë burim i sigurisë për paqen botërore dhe shtytës të zhvillimit të përbashkët, deklaroi presidenti i Kinës, Si Xhinping në takimin me këshilltarin amerikan për siguri kombëtare Xhejk Saliven, transmetojnë mediat shtetërore. "Angazhimi i Kinës për zhvillimin e qëndrueshëm, të shëndoshë të marrëdhënieve mes dy vendeve mbetet i pandryshuar", tha Si i cili sot në Pekin e priti këshilltarin për siguri kombëtare të Shtëpisë së Bardhë i cili prej të martën ndodhet për vizitë në Kinë. Ai është këshilltari i parë i sigurisë kombëtare që e viziton vendin që nga viti 2016.

Nju Jork - Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guteresh i bëri thirrje Izraelit që t'i ndërpresë operacionet ushtarake në Bregun Perëndimor, pasi forcat izraelite thanë se kanë filluar një operacion të madh antiterror ditën e djeshme ku jetën e humbën të paktën 11 palestinezë. "Sekretari i përgjithshëm është thellësisht i shqetësuar nga zhvillimet e fundit në Bregun Perëndimor dhe dënon fuqishëm humbjen e jetëve, përfshirë atë të fëmijëve", deklaroi zëdhënësi i tij, Stefan Dizharik. 

QËNDRONI TË LIDHUR