• e hënë, 17 nëntor 2025
MIA Flesh

12:00/10 tetor/2025

Shkup - Komisioni rregullator për energjetikë, shërbime të ujit dhe shërbime për menaxhim me mbeturina komunale (KRRE) i dha licencat e para për sistem të baterive për dpeonim të energjisë elektrike nga burime ripërtëritëse kompanisë "Energo solar sistemi". Siç informoi KRRE, bëhet fjalë për dy sisteme baterish me fuqi të përgjithshme instaluese prej 2600 kilovatësh, të instaluara në përputhje me dy elektrocentralet e ndryshme fotovoltaike të cilat tashmë janë ndërtuar dhe janë funksionale.

Shkup - TAV Maqedoni, në bashkëpunim me Kryqin e Kuq të Qytetit të Shkupit, sot, në Ditën Botërore të të Pastrehëve, përgatiti dhe dhuroi shujta të gatshme për 110 persona të pastrehë në Punktin për të pastrehë në Momin Potok në Qytetin e Shkupit. Si pjesë e strategjisë së saj për përgjegjësi shoqërore korporative, operatori i aeroportit, filialja e TAV Aeroporte dhe anëtare e grupacionit ADP, vitin e dytë me radhë e organizon këtë aktivitet humanitar "TAV Gatuan".

Bruksel - Bashkimi Evropian ka miratuar rregulla të reja për reklamat politike me pagesë, të cilat sot hyjnë në fuqi, duke kërkuar që të gjitha reklamat e tilla të jenë qartësisht të shënuara dhe të bëhet e ditur se kush ka paguar për to dhe sa, njoftoi Komisioni Evropian. Rregullat, gjithashtu, kërkojnë informacione nëse reklama është e drejtuar ndaj një publiku të caktuar, dhe kanë për qëllim të parandalojnë ndërhyrjen e huaj në zgjedhjet evropiane, raportoi DPA.

Paris - Presidenti francez Emanuel Makron sot pasdite do t'i presë në Pallatin e Eliseut liderët e partive kryesore politike në vend, por në takim nuk do të ftohen udhëheqësit e të majtës radikale dhe të djathtës ekstreme, njoftoi televizioni BFM TV. Takimi mbahet në një moment kur Makroni duhet të zgjedhë kryeministër të ri - të gjashtën herë me radhë në kuadër të mandatit të tij të dytë presidencial.

Kiev - Një fëmijë shtatë vjeçar humbi jetën, ndërsa tre persona u plagosën në sulmet e mbrëmshme ruse në rajonin e Zaporozhjes në Ukrainën qendrore, ndërsa nëntë persona janë lënduar në Kiev, kumtuan autoritetet e Ukrainës. Kievi mbrëmë ishte objektiv i një sulmi të madh rus, pas së cilës pjesa lindore e kryeqytetit të Ukrainës mbeti pa energji elektrike.

Kiev - Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski sot u bëri thirrje aleatëve t'i përgjigjen me masa konkrete sulmit masiv rus ndaj infrastrukturës energjetike ukrainase. "Nuk nevojiten fjalë boshe, por aksion vendimtar - nga ana e Shteteve të bashkuara të Amerikës, Evropa dhe G7-shi - përmes dërgesës së sistemeve për mbrojtje kundërajrore dhe zbatim të sanksioneve", ceket në kumtesën e Zelenskit të publikuar në rrjetet sociale.

Stokholm - Suedia do të investojë 3,5 miliard kruna (rreth 370 milionë dollarë) në sistemin e ri të mbrojtjes nga dronët, njoftoi ministri i Mbrojtjes, Pol Jonson. "Kohëve të fundit ka pasur shkelje të hapësirës ajrore dhe janë vërejtur dronë, gjë që kujton se kërcënimet ajrore kanë një rol gjithnjë e më të madh në mënyrën moderne të zhvillimit të luftës", shkroi Jonson në rrjetin social X.

Oslo - Komiteti i Nobelit kumtoi se fituese e Çmimit Nobel për paqe për vitin 2025 është liderja opozitare e Venezuelës, Maria Korina Maçado. "Ajo e fitoi Çmimin Nobel për paqe për luftën e saj të palodhur në promovimin e të drejtave demokratike të popullit të Venezuelës dhe për luftën e saj për tranzicion të drejtë dhe të qetë nga diktatura drejt demorkacisë", ceket në kumtesën e Komitetit.

Manila - Të paktën dy persona humbën jetën në tërmetin me fuqi prej 7,6 ballë që e goditi ishullin Mindanao të Filipineve, kumtoi një zyrtar i shërbimit rajonal për mbrojtje civile. Karlo Puerto, zyrtar për informata në shërbimin për mbrojtje civile në rajonin Davao, deklaroi në telefon se dy të vdekur janë nga qyteti Mati, në provincën Davao Oriental. Tërmeti me fuqi prej 7,6 ballë sot e goditi rajonin jugor të Filipineve, duke shkaktuar që njerëzit të largohen nga banesat dhe duke nxitur autoritetet të japin paralajmërime për cunami.

Phenian - Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Xhong Un vlerësoi “prestigjin ndërkombëtar” të vendit të tij gjatë festimeve për 80-vjetorin e Partisë së Punëtorëve, partia në pushtet në shtetin autoritar, në një ceremoni që tërhoqi delegacione të larta nga vendet aleate si Kina, Rusia, Vietnami dhe Laosi. Kryeministri i Kinës, Li Qiang dhe ish presidenti rus Dmitrij Medvedev morën pjesë në eventet zyrtare në Phenian, duke shënuar vizitën më të nivelit të lartë nga Pekini që nga viti 2019. Prania e tyre shihet si një shenjë e forcimit të lidhjeve diplomatike mes Koresë së Veriut dhe aleatëve të saj socialistë.

QËNDRONI TË LIDHUR