• e enjte, 15 tetor 2026
MIA Flesh

09:00 / 3 shtator / 2026

Shkup - Me marrjen në pyetje të ekspertëve të mbrojtjes, në Gjykatën themelore penale në Idrizovë sot duhet të vazhdojë seanca gjyqësore për zjarrin në diskotekën "Pulls" në Koçan. Në seancën e djeshme, ekspertja Viktorija Budimovska Sekullovska deklaroi se, sipas të dhënave me të cilat kanë disponuar, në preiudhën mes viteve 2012 dhe 2025 në diskotekë nuk është kryer asnjë kontroll inspektues nga ndonjë inspektor për mbrojtje nga zjarri. Ajo gjithashtu theksoi se në ndërtesë është vendosur vetëm plani për evakuim, ndërsa dera kryesore e hyrjes dhe daljes nuk i plotësonin kërkesat për derë kundër zjarrit. Në gjykatë dëshmoi edhe ekspertja Marijana Lazarevska, e cila vlerësoi se mbulimi me sfungjere në objekt kontribuoi në përhapjen e shpejtë të zjarrit, duke theksuar se objektet duhet të projektohen në mënyrë që ofron siguri edhe në rast të zjarrit.

Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski sot do të marrë pjesë në promovimin e autumjeteve komunale, në parkingun para qendrës sportive  "Boris Trajkovski". Siç thuhet në paralajmërimin e pres-shërbimit të Qeverisë, është paraparë që kryeministri të japë deklaratë për media.

Shkup - Komisionet kuvendore sot do të mbajnë seanca për të cilat do të shqyrtohen disa propozim-ligje në fushat e ekonomisë, financave, shëndetësisë, bujqësisë, transportit, sigurisë, vetëqeverisjes lokale dhe administratës publike. Janë paralajmëruar seanca për komisionet për çështje ekonomike, politikën e punës dhe energjisë, për sistemin politik dhe marrëdhëniet ndërkomunitare, për mbrojtjen dhe sigurinë, për vetëqeverisjen lokale, për bujqësinë, pylltarinë dhe ekonominë e ujërave, për shëndetësinë, për financimin dhe buxhetin, për kulturën dhe turizmin, për transportin, transformimin digjital, mjedisin jetësor dhe planifikimin hapësinor, për politikën sociale, demografinë dhe rininë, si dhe për Komisionin Ligjvënës-juridik. 

Shkup - Ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, sot dhe nesër do të marrë pjesë në samitin dhe forumin mbi sigurinë rajonale energjetike në Selanik. Bozhinovska do të mbajë fjalim në Samitin e 6-të metropolitan të titulluar "Drejt vitit 2030: Lidhshmëria dhe Rritja për Evropën Juglindore", si dhe në Forumin e Energjetikës së Evropës Juglindore me rastin e 10-vjetorit, në kuadër të së cilës do të nënshkruajë memorandum bashkëpunimi për bashkimin e Maqedonisë së Veriut me Korridorin vertikal të gazit.

Shkup - Kuvendi sot do ta vazhdojë seancën e 121-të, ku në rend dite janë Strategjia kombëtare për sigurinë e trafikut rrugor për periudhën 2026–2030, Raporti vjetor i Agjencisë për mbrojtjen e të drejtës për qasje të lirë në informacionet me karakter publik për vitin 2025, dhe një paketë më e gjerë ndryshimesh ligjore me procedurë të shkurtuar. Deputetët duhet t’i shqyrtojnë propozim-ligjet për sigurimin pensional dhe invalidor, rezervat e detyrueshme të naftës, për Entin gjeologjik të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Fondin e sigurimit të depozitave, Entin Shtetëror të Statistikës, Drejtorinë e Doganave, prokurimet publike, metrologjinë, rezervat e mallrave, si dhe për themelimin e Agjencisë për investime të huaja dhe promovimin e eksportit të Republikës së Maqedonisë.

Shkup - Pa ujë sot nga ora 8:30 do të jenë shfrytëzuesit në zonën nga Parku i qytetit deri te Qeveria, si dhe nga bulevardi "Ilinden" deri te Stadiumi i qytetit, ndërsa nga ora 9:00 edhe një pjesë e shfrytëzuesve në bulevardin "Goce Dellçev", një pjesë e objekteve të Televizionit të Maqedonisë dhe lagjja Kërnjevo.

Shkup - Moti sot do të jetë me diell dhe i ngrohtë, me vranësira të lehta deri në mesatare lokale. Pasdite do të jetë i paqëndrueshëm, me reshje të rrëmbyeshme shiu, bubullima dhe erë të përforcuar. Në disa vende, proceset do të jenë më intensive, në formë stuhie, me erë të fortë, reshje të rrëmbyeshme shiu, bubullima dhe paraqitje të breshërit. Do të fryjë erë mesatare, kohë pas kohe e përforcuar, nga drejtimi i veriut. Temperatura minimale do të jetë në interval prej 13 deri 21, ndërsa maksimalja do të arrijë nga 28 deri 35 gradë. 

Shkup - Në 24 orët e fundit, në vend janë regjistruar gjithsej 27 zjarre në hapësira të hapura, prej të cilave dy janë aktive, tre janë nën kontroll, ndërsa 22 janë shuar, kumtoi mëngjesin e sotëm Qendra për Menaxhim me Kriza. Zjarre aktive ka në Komunën e Mavrovës dhe Rostushës, pranë lokalitetit Brdash i Madh, ku po digjet pyll, dhe në Komunën e Shuto Orizarës, në Vizbegë, pas hotelit "New Star", ku është është djegur një deponi.

Veles - Zjarrfikësit e Njësisë Territoriale të Zjarrfikësve në Veles, mbrëmë rreth orës 21:00, pas tre orësh luftë, e shuan zjarrin në zonën e quajtur Përcorek, pranë pishinës me ujë. Ata dje pasdite, në orën 17:50, morën një njoftim për tym në vendin e quajtur Përcorek, pranë pishinës me ujë. Zjarrfikësit dolën në vendngjarje me një automjet të zjarrfikësve. Pas mbërritjes në vend, për shkak të seriozitetit të zjarrit, i cili ishte në fazë të avancuar, u kërkua ndihmë shtesë me një automjet tjetër të zjarrfikësve dhe një ekip tjetër. Pas tre orësh luftë me flakët, zjarri u shua rreth orës 21:00 dhe u parandalua përhapja e tij.

Kuvajt - Kuvajti mëngjesin e sotëm ka qenë në shënjestër të një sulmi iranian me raketa dhe dronë, njofton ushtria e këtij shteti. "Mbrojtja ajrore e Kuvajtit aktualisht po përballet me sulme armiqësore me raketa dhe dronë si rezultat i agresionit tinëzar të Iranit", shkroi ushtria e Kuvajtit në Iks. "Në përgjigje të krimeve të kryera nga Amerika kundër popullit iranian, sulmet me raketa dhe dronë janë duke u zhvilluar në bazat amerikane në Kuvajt", konfirmoi televizioni shtetëror iranian në të njëjtën platformë.

Uashington - Aeroplani ku ka qenë ministri amerikan i Sigurisë së Brendshme, Markvejn Malin, mbrëmë ka kryer ulje emergjente në Uashington për shkak të defektit në një nga motorët. C-37A raportoi në Aeroportin kombëtar Ronald Regan në Uashington se motori i djathtë po prishej, pas çka ateroi në mënyrë të sigurt, raportuan mediat amerikane. Malin e konfirmoi incidentin në kumtesë, duke theksuar se pilotët "e bënë aterimin me një motor të dukej rutinë".

Uashington - Presidenti amerikan, Donald Tramp, nënshkroi një ligj për financim me të cilen shmang ndërprerjen e punës së Qeverisë federale amerikane përpara zgjedhjeve për Kongresin në nëntor, kumtoi Shtëpia e Bardhë. Dhoma Përfaqësuese një ditë më parë miratoi vazhdimin e financimit deri më 11 dhjetor, ndërsa Senati e miratoi masën më 8 gusht.

Uashington - Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vrarë 227 persona në sulme ndaj varkave të trafikantëve të dyshuar të drogës në Oqeanin Paqësor dhe Detin e Karaibeve gjatë vitit të kaluar, kumtoi ushtria amerikane. Në kuadër të opercionit "Shtiza Jugore", i cili po realizohet saktësisht një vit, janë kryer gjithsej 68 sulme, deklaroi zëdhënësi i Komandës jugore të forcave të armatosura (SOUTHCOM), që është përgjegjëse për rajonin. Me këtë rast, në operacionet tre të dyshuar për trafik droge janë arrestuar të gjallë.

QËNDRONI TË LIDHUR