• e mërkurë, 14 maj 2025
MIA Flesh

15:00/ 24 prill/ 2025

Shkup - Gjithsej 450 aplikime nga 63 komuna duke e përfshirë edhe ditën e djeshme janë dorëzuar në arkivin e Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale për thirrjen e dytë publike për mbështetje të projekteve komunale infrastrukturore. Siç informon ministri i Vetëqeverisjes Lokale Zllatko Perinski në konferencën për media në Qeveri, 36 komuna kanë aplikuar me projekte në vlerë prej maksimumit të mjeteve financiare të cilat u takojnë sipas formulës për kokë banori, 27 komuna kanë mundësi të aplikojnë me projekte deri në shumën maksimale të parashikuar, ndërsa 17 komuna aspak nuk kanë dorëzuar formularë për aplikim. Perinski tha se aspak nuk kanë aplikuar komunat: Saraj, Qendër, Çair, Shuto Orizare, Likovë, Probishtip, Vallandovë, Rosoman, Bogovinje, Vrapçishte, Mavrovë, Rostushë, Tearcë, Dibër, Strugë, Manastir, Krushevë dhe Dollnen.

Shkup - Ne si pushtet ekzekutiv do të veprojmë me urdhër të Prokurorisë publike dhe në koordinim me gjykatën. Hetimin e bënë prokurori publik, jo unë. Prokuroria publike, së bashku me gjykatën vendosin se çfarë masa dhe cilët persona do të përfshihen dhe nëse duhet të ndalohen zyrtarë të lartë të qeverisë, tha sot nga foltorja e Kuvendit, kryeministri Hristijan Mickoski duke u përgjigjur në pyetjen e deputetëve se deri ku është hetimi për ngjarjen tragjike në Koçan.  Në seancën e sotme parlamentare kushtuar pyetjeve të deputetëve, deputeti i LSDM-së, Mitko Trajçulleski i bëri pyetje Mickoskit e cila i referohej tragjedisë në Koçan. Ai parashtroi pyetje se deri ku është hetimi dhe nëse do të ketë përgjegjësi morale lidhur me tragjedinë e cila u mori jetën 62 të rinjve dhe mbi 100 u lënduan. 

Shkup - Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme në komunikatën e sotme i përgënjeshtron kategorikisht informacionet e pasakta nga ana e partisë politike "E Majta" të ndërlidhura me punën e Konsullatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut në Nju Xhersi. "Bëhet fjalë për konstatime paushale dhe plotësisht të pasakta, të cilat nuk korrespondojnë me gjendjen faktike", theksohte në komunikatë. Nga Ministria e  Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, e informojnë opinionin se përfaqësia diplomatiko-konsullore funksionon me orar të rregullt të punës dhe është plotësisht në dispozicion për të gjitha shërbimet dhe nevojat e diasporës së RMV-së në SHBA.

Shkup - Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi thotë se situata në Kuvend është status -kuo sa i përket shpërndarjes së re të deputetëve. "Për momentin është status- kuo në Kuvend sa i takon shpërndarjes së re të deputetëve, gjithçka është siç ka qenë. Pra, të gjitha grupet parlamentare që janë formuar në fillim të kësaj përbërje të re parlamentare vazhdojnë të punojnë dhe nëse kemi ndryshime të reja do të duhet t'i dorëzojnë zyrtarisht tek shërbimet dhe tek unë, në mënyrë që më pas t'i informoj grupet e tjera parlamentare dhe deputetët", ka thënë Gashi në brifingun e sotëm me gazetarë.

Shkup - Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, theksoi se pas ngjarjeve të ndryshme në kontekstin evropian dhe global, vërehet një moment i ri politik për rritjen e gatishmërisë së vendit për përshpejtimin e procesit të integrimit evropian. "Sa i përket diplomacisë parlamentare, është me të vërtetë një prioritet për mua. Dua ta zhvillojmë si vend. Ky është një trend që po zhvillohet në demokracitë më të zhvilluara. Pikërisht për këtë arsye më është dashur të mbaj takime historike në Berlin, Paris, Stokholm, Bruksel, Parlamentin Evropian dhe selinë e NATO-s. Pas ngjarjeve në Ukrainë, luftës dhe zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka një kontekst të ri politik dhe vrull për rritjen e vullnetit që vendi ynë të përshpejtojë procesin e tij integrues", tha Gashi në brifingun e sotëm me gazetarët.

Shkup - Linja për ndihmën e fëmijëve "Alo Bushavko" në ambasadën e parë të fëmijëve "Megjashi" gjatë vitit të kaluar ka pranuar 208 thirrje ku mbështetje morën gjithsej 222 fëmijë dhe të rinj. Problemet më të zakonshme kanë qenë ato lidhur me shëndetin mendor, ndërsa gjendjet më të zakonshme të raportuara kanë qenë problemet e frikës, ankthit dhe zemërimit. Sipas grupmoshës, shumica e tyre kanë pasur të bëjnë me fëmijë nga mosha shtatë deri në nëntë vjeç, nga të cilët 108 kanë qenë meshkuj dhe 87 femra. Raporti vjetor i organizatës i cili u prezantua sot në Qendrën për ndërmarrje sociale, tregon se 74.2 për qind e të gjitha rasteve të raportuara kanë të bëjnë me shëndetin mendor. Në mesin e fëmijëve të cilët u paraqitën, 97 u ankuan për frikë dhe ankth, 93 për vështirësi me zemërim, ndërsa 79 fëmijë shprehën shqetësim të thellë për veten e tyre.

Shkup - Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi në brifingun e sotëm me gazetarët informoi se në seancën e ardhshme plenare, e cila duhet të mbahet më 29 prill pritet të vendoset interpelanca për ministrin e Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, të parashtruar nga grupi i deputetëve të Të Majtës. "Ende rrjedh afati për Rregulloren ku ministri mund të japë përgjigje me shkrim, kështu që në lidhje me këtë ta caktojmë seancën. Nëse nuk ka përgjigje edhe dy-tre ditë, do të duhet ta caktojmë sa më shpej që të jetë e mundur, gjegjësisht në seancën e parë të ardhshme. Presim që më 29 mund të realizohet kjo seancë ku pika e parë në rend dite do të jetë interpelanca", tha Gashi.

Shkup- Kryeministri Hristijan Mickoski duke u përgjigjur në pyetjen e deputetit të LSDM-së, Mitko Trajçuleski, nëse Qeveria ende ka mendim për shkarkimin e prokurorit të shtetit Ljupço Kocevski, deputetëve të opozitës u tha se funksionari i theksuar është zgjedhur si propozim i tyre. Trajçuleski në pyetjen potencoi edhe se Ministria e Drejtësisë ka iniciuar procedurë për shkarkimin e prokurorit publik Kocevski dhe pas tragjedisë në Koçan, Qeveria ka vendosur t'i japë një shans të dytë. "Hetimi për Koçanin po e udhëheq prokuror i zgjedhur, propozim i Qeverisë, ku faktori më i madh ishte LSDM dhe partnerët tjerë të koalicionit, si BDI. Që do të thotë se jetojmë në kulmin e demokracisë. E parë rrallë në Ballkan, opozita ka prokurorin e saj. Ai prokuror sot drejton hetimin dhe shpresoj se do ta inkurajoni që t'i rikthehet edhe një herë tre çështjeve për të cilat po flas. Nuk do të jetë një defokus për mua, 75 jetë njerëzish janë jetë të humbura përgjithmonë dhe dhimbje që mbajnë familjet. Është për t'u përsëritur dhe për të mos harruar. Duhet të ketë fajtorë kush, tani nuk ka fjtorë. Dhe me këtë rast në hetim ka siguruar 68 persona", tha Mickoski.

Shkup - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski sot realizoi takim me Ditrih Jon, përgjegjës për Evropë dhe Euroazi në Forumin Ekonomik Botëror. Në fokus të bisedës, publikoi Mucunski, në profilin e tij në Fejsbuk, ishin mundësitë për thellimin e bashkëpunimit me Forumin Ekonomik Botëror, në drejtim të partneriteteve të reja dhe nismave të përbashkëta në fushat e zhvillimit ekonomik, transformimit digjital, inovacioneve dhe qëndrueshmërisë. "Së bashku theksuam vlerën e bashkëpunimit të shkëlqyer ndërmjet qeverive, sektorit të biznesit dhe shoqërisë civile për ballafaqim me sfidat globale bashkëkohore. Shkëmbyem edhe mendime për trendet aktuale rajonale dhe globale", shënoi në Fejsbuk ministri Mucunski.

Shkup- Në Klinikën për Sëmundje Kirurgjike "Shën Naumi i Ohrit" për momentin janë të shtruar katër pacientë nga zjarri në Koçan, prej të cilëve vetëm një pacient është i pranishëm në spital, ndërsa tre janë liruar për fundjavë, informoi sot drejtori i Klinikës, Nebojsha Nastov. Theksoi se gjendja e tyre është përmirësuar ndjeshëm dhe tashmë në fillim të javës së ardhshme pritet tre pacientët ptë dalin nga spitali.  "Në Klinikë për momentin janë të shtruar formalisht katër pacientë, prej të cilëve vetëm një pacient është ende prezent në spital, ndërsa tre janë liruar për fundjavë, që do të thotë se gjendja e tyre është përmirësuar në maksimum. Planifikohet dalje përfundimtare për tre pacientë, diku në fillim të javës së ardhshme", tha Nastovi.

Shkup  - Edhe pse 76,7 për qind e organizatave sportive pohojnë se barazia gjinore është pjesë e strategjisë së tyre, vetëm 13 për qind e kryetarëve dhe 17 për qind e sekretarëve të përgjithshëm janë gra, ndërsa kuotat e përfaqësimit gjinor ekzistojnë vetëm në 13,3 për qind të organizatave. Gratë me aftësi të kufizuara plotësisht janë të margjinalizuara, duke u përballur me pengesa të dyfishta - për shkak të gjinisë dhe pengesave të tyre, tregon hulumtimi "Barazia gjinore dhe gjithëpërfshirja në sport në Maqedoninë e Veriut". Hulumtimi i cili ishte prezantua sot në KOM përfshin 30 federata kombëtare. Në të qëndron se burrat dominojnë në kuvendet e përgjithshme me 83 për qind dhe organet ekzekutive me 77 për qind përfaqësim. Pjesa më e madhe e organizatave nuk kanë mekanizma efektiv për përfshirjen e grave, ndërsa barazia gjinore, edhe pse shpesh herë e theksuar në dokumentet strategjike, zbatohet rrallë në praktikë.

Shkup – Ministria e Kulturës dhe Turizmit kumtoi sot se pagesa e pagave për të punësuarit në institucionet nga sfera e kulturës në koordinim me Ministrinë e Financave është në vijim dhe do të përfundojë sot. Nga atje potencojnë se një pjesë e institucioneve tashmë e morën pagën e tyre, ndërsa paralajmëruan edhe se do të dërgojnë ftesë për takim zyrtar me përfaqësuesit e Sindikatës.  “Ministria e Kulturës dhe Turizmit është plotësisht e angazhuar për zgjidhjen e problematikave që lidhen me pagesën e pagave për sektorin e kulturës. Vazhdon pagesa e pagave për punonjësit në institucionet e kulturës në koordinim me Ministrinë e Financave dhe do të përfundojë sot. Në të njëjtën kohë konfirmojmë qëndrimin se dialogu social me Sindikatat duhet të vazhdojë”, thonë nga Ministria.

Shkup - Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi në brifingun e sotëm me gazetarët kumtoi se nga fundi i korrikut ose fillim të gushtit duhet të shpallen zgjedhjet lokale. Duke e komentuar mundësinë që disa nga ligjet që kanë të bëjnë me zgjedhjet të mos miratohen me kohë, kryeparlamentari tha se nëse kjo ndodh, atëherë do të shkojnë në zgjedhje me vendimet e vjetra. Bëhet fjalë për ndryshimet ligjore rreth zgjedhjes së kryetarëve të komunave, financimit shtetëror të fushatave, por edhe ndryshimeve ligjore që duhet t'u përgjigjen rekomandimeve të OSBE-së për rregullsi më të madhe të votimit. "Kemi paralajmërim vetëm për Ligjin për vetadministrimin lokal, se është kërkuar të organizohet debat publik", tha Gashi, duke potencuar kompetencën e Ministrisë së Drejtësisë për zbatimin e rekomandimeve të OSBE-së. Ai me këtë rast ka shprehur bindje se pjesa më e madhe e këtyre rekomandimeve do të përfshihen, pasi, siç tha, nuk ka ndonjë dallim thelbësor në qëndrimet e partive rreth tyre.

Shkup - Nesër dhe gjatë gjithë fundjavës do të mbajë mot i ndryshueshëm i vranët dhe i paqëndrueshëm me reshje të kohëpaskohshme shiu dhe bubullima. Lokalisht do të ketë procese më intensive në formë të stuhive me reshje të rrëmbyeshme më të bollshme, bubullima, erëra të forta dhe breshër të izoluar, informon Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike. Ditën e hënë do të ketë reshje lokale shiu, ndërsa nga e martja do të stabilizohet moti. Nga DPHM njoftojnë se sot në orët e pasdites do të jetë mot jo stabil me shi të rrëmbyeshëm dhe bubullima, në disa vende në formë stuhie me shi të rrëmbyeshëm, bubullima, erë të fortë dhe kushte për paraqitje të izoluar të breshërit. Temperatura maksimale do të jetë në interval prej 18 deri në 25 gradë.

Kumanovë - Ministria e Shëndetësisë planifikon të furnizojë 100 autoambulanca për spitalet në vend, plani duhet të kalojë në Qeveri, deklaroi sot në Kumanovë, numri një i Shëndetësisë Arben Taravari i cili pret që procedura të fillojë së shpejti. Automjetet moderne, siç tha ai, do të shpërndahen në të gjithë spitalet e vendit, përfshirë ato më të mëdha dhe aty ku ka mungesë më të madhe. "Që nga viti 2014, për fat të keq nuk është furnizuar asnjë automjet, mendoj nga Ministria e Shëndetësisë. Ka automjete që janë furnizuar, për shembull nga vetë spitalet ose me donacione nga kompanitë përgjegjëse- shoqërore, siç është sot rasti me “Ballkan grup”, ka thënë Taravari.

Tetovë - Në një atmosferë të mbushur me dashurinë për fjalën dhe librin, Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe e Fakultetit Filologjik të Universitetit të Tetovës organizoi trajnimin me titull: “Fjalët janë forca jote, përgatitu t’i përdorësh me mjeshtëri”, kushtuar maturantëve të shkollave të mesme. Ky aktivitet u zhvillua në një datë të veçantë, 23 prill, që njihet ndërkombëtarisht si Dita Botërore e Librit, duke vënë në qendër rëndësinë e leximit, fuqinë e shkrimit dhe pasurinë kulturore që mbart gjuha. Trajnimin e hapi dekani i Fakultetit Filologjik, prof. dr. Berton Sulejmani, i cili përshëndeti të pranishmit dhe theksoi rëndësinë e gjuhës dhe letërsisë në formimin e individit dhe ruajtjen e identitetit kombëtar: “Ju ndodheni në një moment ndarjeje, po mbyllni një kapitull katërvjeçar përplot përpjekje, përvoja, mësime e ëndrra. Tani përpara jush hapet një derë e re, një cikël i ri i dijes, i pjekurisë dhe i vendimeve që do të formësojnë të ardhmen tuaj.”

Tetovë - Në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Tetovës dje u mbajt tryezë e rrumbullakët me temë "Afirmimi i sociologjisë dhe roli i sociologut në shoqëri". Kjo tryezë e rrumbullakët vjen si iniciativë e përbashkët e Universitetit të Tetovës dhe Universitetit “Kirili dhe Metodi” nga Shkupi. Qëllimi kryesor i tryezës është të nxisë diskutim rreth rëndësisë së sociologjisë si disiplinë shkencore dhe ndikimit që sociologët mund të kenë në transformimin e shoqërisë moderne. Shefja e programit studimor Sociologji, Prof. Dr. Ardita Abduli - Reka tha se qëllimi i kësaj tryeze është afirmimi i sociologjisë si shkencë dhe roli i sociologut në shoqëri.

Prishtinë - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë ditës së djeshme në Pallatin presidencial në Helsinki, ka ndarë Medaljen presidenciale ushtarake për Forcat e armatosura të Finlandës. “Dje, në Pallatin presidencial në Helsinki, kisha nderin ta ndajë Medaljen presidenciale ushtarake për Forcat e armatosura të Finlandës në shenjë mirënjohjeje për kontributin dhe angazhimin tyre e palodhur në mbështetje të Kosovës, që nga viti 1999, si pjesë e misionit të KFOR-it. Paqeruajtësit janë heronjtë që bëjnë të mundur paqen, edhe kur është e vështirë. Faleminderit Finlandës dhe çdo ushtari finlandez për rolin e tyre të pazëvendësueshëm në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit!

Prishtinë - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë qëndrimit në Helsinki është takuar edhe me ministren e Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen. “Në Helsinki pata kënaqësinë ta takoj edhe ministren e Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen - një mike e çmuar e Kosovës. E falënderova për mbështetjen e fuqishme të Finlandës në rrugën tonë drejt integrimit euroatlantik dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, si dhe ritheksova përkushtimin e thellë të Kosovës për forcimin e partneritetit tonë ndërshtetëror”, ka shkruar Osmani.

Stamboll - Shumë banorë të Stambollit natën e kanë kaluar në ambient të hapur, të frikësuar për t'u kthyer në shtëpitë e tyre, pas një tërmeti të fortë dhe mbi 180 pasgoditjeve, raportojnë mediat amerikane. Në tërmetin me magnitudë 6.2 ballë sipças Rihterit që dje goditi një zonë 40 kilometra në jugperëndim të Stambollit, të paktën 236 persona morën trajtim për lëndimet që morën kur u përpoqën të hidheshin nga ndërtesat ose për shkak të sulmeve të panikut. Shumica e të lënduarve janë në Stamboll, ku banorët mbeten të shqetësuar pasi qyteti konsiderohet të jetë në rrezik të lartë nga një tërmet i madh.

Bruksel- Në interes të Kosovs është që të formohen institucione që të mund të implementohen reformat e ndëlidhura me afrimin drejt BE-së dhe me progresin në rrugën evropiane, deklaroi zëdhënësi i Komisionit Evropian për Zgjerim, Partneritet Ndërkombëtar dhe Mesdheun, Gijom Mersie. "Mund të them se kjo me të vërtetë është e rëndësishme edhe për çështje të tjera, siç është Plani për rritje dhe prandaj nevojitet të konstituohet Parlamenti i Kosovës që të mund të vazhdojë të punojë në atë rrugë", deklaroi Mersie në përgjigjen për koment të përpjekjes së re të pasuksesshme për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Uashington - "Foks njuzi" amerikan dje i ka publikuar rezultatet nga anketa e fundit që tregon se Donald Tramp aktualisht është presidenti amerikan më pak i popullarizuar i shekullit të 21-të në këtë fazë të mandatit të tij.   Sipas anketës pas 100 ditëve të kaluara në Shtëpinë e Bardhë rejtingu i Trampit është 44 për qind, që do të thotë më pak se Xho Bajdeni (54 për qind), Barak Obama (62 për qind) dhe Xhorxh Bush (63 për qind) në të njëjtën periudhë të presidencës së tyre.  "Foks njuz", gjithashtu thekson se popullariteti i Trampit është më i ulët edhe në krahasim me administratën e tij të parë, kur ai kishte 45 për qind mbështetje në 100 ditët e mandatit të tij.

Madrid - Real Madridi është i interesuar për të angazhuar trajnerin e Baer, Çabi Alonso. Nëse Karlo Ançeloti e përfundon sezonin pa sukses, mund të largohet nga klubi madrilen para fillimit të Kupës së Botës për Klube. Sipas "El Partidazo de COPE", Real Madridi do të paguajë tetë milionë euro për të punësuar ekspertin spanjoll këtë verë. Pas 33 xhirove, Real Madridi është në vendin e dytë në renditjen e La Ligës, katër pikë prapa liderit Barcelona. Të shtunën, Madridi do të luajë kundër Barcelonës në finalen e Kupës së Spanjës.

Milano - Trajneri i Interit, Simone Inzagi e ka dhënë komentin e tij për humbjen nga Milani (0:3) në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë. "Duhet të vazhdojmë të ecim përpara. Ka lodhje edhe fizike edhe psikike, duhet të jemi më të fuqishëm nga e gjithë kjo. Ky rrugëtim na ka sjellë shumë gëzim, por edhe zhgënjime, si kjo mbrëmje. Është dashur të luajmë më mirë. Na ka munguar mprehtësia në të dyja zonat e penalltisë në momentet kyçe të ndeshjes. Lodhje? Ky nuk mund të jetë justifikim. Duhet të tregojmë koncentrim maksimal, ndërsa sot nuk e bëmë këtë. Çdo ekip përballet me lodhje. Kemi pasur orar më të ngarkuar nga të tjerët, por sërish ky nuk është arsyetim. Nëse nuk kaluam në finale, kjo do të thotë se nuk kemi bërë mjaftueshëm. Mbetet edhe një muaj dhe duhet të vazhdojmë të punojmë me besim. Milani e meritoi këtë fitore dhe është e drejtë që është në finale. Do të përpiqemi të rehabilitohemi dhe të japim gjithçka nga vetja të dielën kundër Romës", deklaroi Inzagi për "Football Italia".

QËNDRONI TË LIDHUR