• e premte, 27 shtator 2024

MIA Flesh

MIA Flesh

09:00/26 shtator/2024

Shkup - Koordinuesja e sapoemëruar e përhershme e Kombeve të Bashkuara në vend, Rita Kolumbia sot do ta vizitojë Parlamentin. Siç informoi shërbimi kuvendor për shtyp, Kolumbia do të takohet me kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi. Presidentja Gordana Siljanovska Davkova më datën 18 të këtij muaji e priti Kolumbian dhe biseduan për aktivitetet dhe projektet rrjedhëse të cilat realizohen tek ne me mbështetje të Organizatave të KB-së, si dhe për zbatimin e kornizës për bashkëpunim 2021-2025, si dokument kryesor strategjik që e konstaton punën e sistemit të KB-së në vend, ndërkaq në pajtim me prioritetet nacionale zhvillimore. 

Shkup  - Delegacioni i Letonisë i udhëhequr nga Ingrida Levrens, zëvendës sekretare shtetërore për Çështje Evropiane dhe shefe e Drejtorisë së BE-së sot do ta vizitojë Kuvendin. Siç informon shërbimi për shtyp i Kuvendit, Levrens do të takohet me nënkryetarin e Kuvendit dhe kryetar i Komisionit për Çështje evropiane Antonio Milloshoski dhe me kryetaren e Grupit të deputetëve të Kuvendit për bashkëpunim me Parlamentet e vendeve baltike Monika Zajkova.

Shkup  - Në organizim të Fakultetit për turizëm dhe hotelieri - Ohër sot dhe nesër do të mbahet Konferenca e XVII ndërkombëtare shkencore për sektorin e shërbimit (International Scientific Conference on Services Sector – INSCOSES 2024). Sot do të mbahet regjistrimi i pjesëmarrësve, ndërsa hapja solemne e konferencës është caktuar për më 27 shtator të vitit 2024, me fillim në ora 9:30, në amfiteatrin e Fakultetit për Turizëm dhe Hotelieri në Ohër. Në Konferencë do të marrin pjesë më shumë se 60 ekspertë nga 20 institucione shkencore dhe profesionale nga 11 vende të ndryshme.

Shkup - Kryeministri hungarez, Viktor Orban së bashku me delegacionin e Qeverisë hungareze, sot dhe nesër do të qëndrojë për vizitë zyrtare dyditore në vend. Hungaria për momentin kryeson me BE-në, ndërkaq Orban në gjysmën e dytë të këtij viti është edhe kryetar i Këshillit të Bashkimit Evropian. Kryeministri Hristian Mickoski, siç informoi shërbimi qeveritar për shtyp, të premten do të realizojë takim tet-a-tet me kolegun e tij hungarez në vilën kryeministrore në Ohër, ndërsa në suaza të vizitës do të realizohen edhe një sërë takime bilaterale të ministrave të vendit me kolegët e resorëve nga delegacioni hungarez.

 Shkup - Në Kuvend sot seancë do të mbajë Komisioni i Përhershëm Anketues për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Qytetarit. Pikë e vetme e rendit të ditës është Raporti Vjetor i Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi për vitin 2023. 

Shkup  - Projekti i USAID-it për përforcim të kapaciteteve për shfrytëzim të resurseve sot do të jetë nikoqir i forumit vjetor të liderëve: Strategji për bashkëpunim në mobilizim të qëndrueshëm të resurseve deh decentralizimit. Në forum, siç është paralajmëruar, do të flasin zëvendësambasadorja e SHBA-së, Nikol Varns, ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko perinski, zëvendësministri i Financave, Nikollçe Jankullovski dhe Orce Gjorgjievski, kryetar i BNJVL-së dhe kryetar i komunës Kisella Vodë.

 Shkup - Qendra Rajonale për Menaxhim me Kriza informon se nga EVN Maqedoni SHA  kanë marrë njoftim se sot pa energji elektrike do të jetë një pjesë e Komunës së Sarajit.  Siç thonë nga QRMK, në periudhën prej orës 08.30 deri në orën 13.00, ndërprerje në furnizimin me energji elektrike do të kenë disa nga konsumatorët e fshatit Kondovë të Komunës së Sarajit.

Shkup - Moti sot do të jetë me diell dhe i nxehtë me vranësira të vogla deri në mesatare lokale. Do të fryjë erë e lehtë deri në mesatare nga drejtimi jugor dhe jugperëndimor. Temperatura minimale do të jetë nga 6 deri në 15 gradë, ndërsa maksimalja nga 25 deri në 31 gradë. Në Shkup mot kryesisht me diell dhe i nxehtë me erë të lehtë nga drejtimi juglindor. Temperatura minimale do të bie deri në 12 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë 29 gradë.

 Teheran - Shefi i diplomacisë iraniane Abas Arakçi mbrëmë deklaroi se rajoni i Lindjes së Mesme është në prag të një katastrofe të plotë për shkak të përshkallëzimit të tensioneve ndërmjet Izraelit dhe Hamasit dhe paralajmëroi se Teherani nuk do të qëndrojë indiferent në rast të një lufte në Liban. Duke folur në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të KB-së, Arakçi tha se Izraeli i ka kaluar "të gjitha vijat e kuqe" dhe se Këshilli i Sigurimit i KB-së duhet të ndërhyjë për të rivendosur paqen dhe stabilitetin. 

Uashington - Kandidati presidencial republikan Donald Tramp dëshiron edhe njëherë të paraqitet në vendin ku ishte plagosur gjatë atentatit të pasuksesshëm në korrik, transmetoi DPA. Ekipi i fushatës së Trampit paralajmëroi tubim më 5 tetor në vendin e njejtë në afërsi të Batler, në shtetin Pensilvania, ku ish presidenti ishte plagosur më 13 korrik. Tomas Methju Kruks u ngjit në pozicion të ngritur me pushkë automatike dhe qëlloi disa herë drejt Trampit në tubim, me ç'rast një pjesë e plumbit e qëlloi veshin e djathtë të ish presidentit amerikan.

 Nju-Jork - Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guteresi dje deklaroi se Libani nuk guxon të bëhet edhe një Gaza dhe bëri thirrje për t'i dhënë fund armiqësive ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut libanez. Të themi njëzëri dhe qartë, ndaloni vrasjen dhe shkatërrimin. Hiqni dorë nga retorika dhe kërcënimet. Kthehuni prapa nga skaji. Lufta e gjithanshme duhet të shmanget me çdo kusht", tha Gutereshi Këshillit të Sigurimit prej 15 anëtarësh të KB-së. 

Franca - Ministri francez i Punëve të Jashtme, Zhan-Noel Baro paralajmëroi se plani i përbashkët me SHBA-në, i cili do të propozojë armëpushim 21 ditor mes Izraelit dhe milicisë shiite Hezbollah në Liban, do të prezantohet "shumë shpejt". "Situata në Liban sot mund të arrijë një pikë nga e cila nuk ka kthim", tha Baro në takimin e Këshillit të Sigurisë të KB-së të mërkurën.

Uashington - Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dje kumtoi se e ndjek përshkallëzimin e ndikimit të konfliktit ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut ndaj Libanit, i cili pëson shpenzime të mëdha në njerëz dhe infrastrukturë, por ende është herët të vlerësohet ndikimi ekonomik. "Me brengë serioze e ndjekim përshkallëzimin e konfliktit në atë rajon", tha zëdhënësi i FMN-së.

 Bruksel - Belgjika i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të ndalojë gazin e lëngshëm natyror rus (LNG), duke paralajmëruar se kompanitë nuk mund të ndërpresin kontratat afatgjata nëse blloku në tërësi nuk vendos sanksione. Këtë e ka raportuar sot Fajneshëll tajms (Financial Times), duke cituar ministren belge të Energjisë, Tine Van der Straeten.

Uashington  - Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përgatitë pako të re të ndihmës ushtarake për Ukrainën prej 375 milionë dollarëve, me çka ndërpritet trendi disamujor i dërgimit të pakove më të vogla, deklaruan dy përfaqësues amerikanë. Ata thonë se pakoja e re vjen në moment kyç të luftës, sepse Rusia e sulmon rrjetin energjetik të Ukrainës para muajve kritik të dimrit.

Nju-Jork - Presidenti amerikan Xho Bajden, së bashku me partnerët ndërkombëtarë e ka konfirmuar përkushtimin e tij që t'i ndihmojë Ukrainës në rindërtimin e vendit, njofton DPA-ja. "Ne jemi të përkushtuar ndaj Ukrainës që t'ia sigurojmë resurset për të cilat ka nevojë që të ndërtohet më e fuqishme sesa ka qenë më parë", tha Bajden në margjinat e Asamblesë së përgjithshme të KB-së në Nju-Jork.

Nju-Jork  - Presidenti i Republikës Domenikane, Luis Abinader, në Kombet e Bashkuara paralajmëroi se administrata e tij do të ndërmarrë "masa drastike" për ta mbrojtur këtë vend të Karaibeve nëse misioni i policisë, i sistemuar në Haitin fqinj, nën mandatin e KB-së, nuk jep rezultate. Abinader nuk tha se ç'farë aktivitete konkrete planifikon në vendin e tij në rast të mossuksesit të misionit të KB-së.

Tel-Aviv  - Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu sot deklaroi se vendi i tij do të përdorë forcë kundër Hezbollahut në Liban përderisa banorët në Izraelin verior nuk kthehen në shtëpi. "Hezbollahut i shkaktuam goditje të cilat nuk mund t'i paramendonte, këtë e bëjmë me forcë dhe me truqe. Mund t'ju premtoj një gjë: nuk do të ndalemi përderisa nuk kthehen në shtëpi", tha Netanjahu në video porosinë që e publikoi kabineti i tij.

Varshavë - Presidenti polak Andzhej Duda deklaroi se kërcënimi i Rusisë për ta mbajtur të drejtën e përdorimit të armëve bërthamore nuk është asgjë e re, dhe se presidenti rus Vlladimir Putin dhe gjeneralët e tij shumë mirë e dinë se i pari që do të marrë një bombë bërthamore do të mallkohet dhe bota asnjëherë nuk do t'ia falë këtë Rusisë.

 

QËNDRONI TË LIDHUR