
12:00/23 prill/2025
Shkup - Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, nga dita e sotme deri më 26 prill, do të marrë pjesë në takimet pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, të cilat mbahen në Uashington. Siç njofton Ministria e Fianncave, pjesëmarrja do të jetë një mundësi për ministren që të zhvillojë takime me përfaqësuesit e lartë të FMN-së dhe BB-së, ku do të prezantojë arritjet, planet e ardhshme për politikën fiskale dhe hapat reformues të ndërmarrë nga Qeveria në menaxhimin e financave publike për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik.
Shkup - Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e fundit parashikon rritje prej 3,2 për qind të ekonomisë së Maqedonisë për këtë vit dhe vitin 2026. Norma e inflacionit, sipas FMN-së, këtë vit do të jetë 3,4 për qind dhe vitin e ardhshëm 2,2 për qind. Në rajonin e Serbisë është parashikuar rritje prej 3,5 për qind, Shqipërisë 3,8 për qind, Kosovës 4 për qind, Malit të Zi 3,2 për qind dhe BeH-së 2,8 për qind.
Shkup - SPB Ohër ngriti kallëzim penal kundër ish-drejtorit të Qendrës së Kulturës - "Grigor Përliçev" në Ohër G.S.(48)për shkak të ekzistimit të bazave të dyshimit për veprën e kryer penale "punë të pandërgjegjshme në detyrë". Siç bëri të ditur sot MPB, në periudhën prej vitit 2023, në cilësinë e drejtorit të Institucionit Nacional – Qendra e Kulturës – "Grigor Përliçev" në Ohër, gjatë mbajtjes së Festivalit të Këngëve dhe Valleve Popullore 2023, për akomodimin e 72 personave, nga agjencia turistike u ishte lëshuar faturë prej 387.450 denarë.
Shkup - Në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, një shtetas i Emirateve të Bashkuara Arabe, me origjinë nga India, ka tentuar të fusë në vend 76 parfumë. Pas mbërritjes në vend, pasagjeri ka zgjedhur kanalin e gjelbër dhe është përzgjedhur për kontroll doganor për shkak të dyshimit. Gjatë kontrollit në dy valixhet që kishte me vete janë gjetur parfumë me origjinë nga Dubai, të cilat pasagjeri nuk i kishte deklaruar, njoftoi sot Drejtoria Doganore.
Shkup - Sasia e përgjithshme e mbeturinave komunale të grumbulluara në vend në vitin 2024 ka qenë 637.471 tonë dhe në krahasim me vitin 2023 ka shënuar rritje prej 2,5 për qind. Rritja, siç njofton Enti Shtetëror i Statistikës, vjen si pasojë e rritjes së numrit të vendbanimeve të përfshira në sistemin kolektiv të grumbullimit të mbeturinave. Sasia më e madhe e mbeturinave komunale të grumbulluara është regjistruar në rajonin e Shkupit – 180.729 ton ose 28,4 për qind nga sasia e përgjithshme e grumbulluar. Nga sasia totale e mbeturinave komunale të grumbulluara, 535,606 ton ose 84 për qind janë grumbulluar nga amvisëritë, ndërsa pjesa tjetër 16 për qind nga personat juridikë dhe fizikë (mbeturinat komerciale). Sipas llojeve të mbeturinave, sasia më e madhe e mbeturinave të grumbulluara janë mbeturinat e përziera komunale – 546,866 ton ose 85,8 për qind dhe sasia më e vogël janë mbetjet e gomës – 1,136 ton ose 0,2 për qind e sasisë së përgjithshme të mbeturinave komunale të grumbulluara.
Shkup - Në 24 orët e fundit ka pasur gjithsej gjashtë zjarre në hapësira të hapura, prej të cilave zjarri në deponinë e qytetit në Demir Hisar është ende aktiv, por nën kontroll, njoftoi mëngjesin e sotëm Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK). Siç njoftojnë nga NPK Demir Hisar, për shuarjen e zjarrit që nga ora 13:00 kanë ndërhyrë pesë zjarrfikës dhe dy automjete zjarrfikëse.
Prishtinë - Kandidatja e LVV-së e propozuar për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu përsëri nuk ka marrë votat për kryetare të Kuvendit. Ish kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca e përsëriti nominimin në emër të partisë fituese, duke bërë thirrje për mbështetje nga deputetët. Në tentimin e tretë për t’u zgjedhur kryeparlamentare, Haxhiu mori vetëm 57 vota “për” nga LVV-ja dhe komunitetet, 46 kundër nga PDK, LDK dhe AAK, ndërkaq tre deputetët e Nismës abstenuan, njofton Kosovapress.
Ankara - Turqia ndaloi lindje të planifikuara me prerje cezariane, të cilat nuk janë të arsyetuara me mjekësi, në institucionet private shëndetësore sipas rregullave tër eja që Minsitria e Shëndetësisë i kumtoi javën e kaluar, shkruan Turkish Minute. Ky vendim, i cili shkaktoi kritika të ashpra nga politikanët opozitarë dhe organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, pasoi pas debatit të ashpër nacional për praktikat e lindjes. Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan tashmë një kohë të gjatë e promovon atë që e quan "lindje natyrore" dhe i kritikon shkallët e larta të prerjeve cezariane në vend.
Romë - Trupi i të ndjerit Papa Françesku është transferuar në Bazilikën e "Shën Pjetrit" në Vatikan nga rezidenca papale "Santa Marta". Bazilika do të qëndrojë e hapur deri në mesnatë, i cili pritet të tërheqë dhjetëra mijëra njerëz. Varrimi i Papa Françeskut do të bëhet të shtunën në orën 10 sipas orës lokale dhe pritet të marrin pjesë një numër i madh liderësh botërorë. Deri më tani, vetëm kardinalët, anëtarët e Kurias dhe shërbëtorët e Vatikanit kishin mundësinë t'i thonë lamtumirën Papës së ndjerë në kapelën e rezidencës Santa Marta, ku jetonte Papa.
Berlin - Mosmarrëveshja e përshkallëzuar tregtare midis SHBA-së dhe Kinës po prek gjithnjë e më shumë kompanitë gjermane që operojnë në Kinë, thuhet në studimet e publikuara nga Oda Ekonomike Gjermane (GTC) në Pekin, njofton DPA. Sipas hulumtimit, 86 për qind nga kompanitë e anketuara kanë raportuar se janë prekur nga tarifat. Maksimilian Butek, drejtor ekzekutiv dhe anëtar i bordit të East China Railway Co., Ltd., e ka quajtur gjendjen "shqetësuese", duke thënë se mosmarrëveshja me siguri do t'i përshpejtojë përpjekjet për lokalizimin e kompanive gjermane.
Bruksel - Evropa duhet të ndalojë së qenuri adoleshent gjeopolitik siç është tani dhe duhet të marrë një rol më të përgjegjshëm në fushën e mbrojtjes, vlerëson ish kryetari i Komisionit Evropian, Zhoze Manuel Baroso. Sipas tij, në Evropë ekziston një mungesë e koordinimit ndërmjet vendeve në lidhje me mënyrën se si shpenzohen fondet e alokuara për nevojat e mbrojtjes. "Problemi themelor i mbrojtjes evropiane nuk është mungesa e investimeve, por mosfunksionimi dhe papajtueshmëria që ekzistojnë midis sistemeve të ndryshme", deklaroi Baroso në fjalimin në një tubim kushtuar mbrojtjes kombëtare portugeze të mbajtur në Akademinë ushtarake në Amadora në afërsi të Lisbonës.
Londër - Negociatat paqësore për Ukrainën, të cilat janë caktuar për sot në Londër, ndërsa është dashur t'i zhvillojë shefi i diplomacisë britanike, Dejvid Lami, janë anuluar, njoftoi Ministria britanike e Punëve të Jashtme. Në komunikatën e Forin Ofisit theksohet se "takimi për bisedimet paqesore për Ukrainën me ministrat e punëve të jashtme të caktuar për sot (e mërkurë) është anuluar", por se bisedimet në nivelin zyrtar do të vazhdojnë prapa dyerve të mbyllura, pa praninë e mediave", shkruan Gardian.
Madrid - Spanja do të arrijë të ndajë dy për qind të BPV-së për armatën dhe në këtë mënyrë t'i përmbushë standardet e NATO-s, tha sot kryeministri spanjoll Pedro Sançezi. Sançezi tha se qeveria do të rrisë buxhetin ushtarak me 10.5 miliardë euro, për të arritur qëllimin e NATO-s prej dy për qind të BPV-së të caktuar për këto qëllime. Spanja vitin e kaluar shpenzoi të paktën nga të gjithë anëtaret e NATO-s për mbrojtje, megjithëse më parë ishte zotuar të arrinte standardet e NATO-s deri në vitin 2029.
Kiev - Armata ruse ka shkatërruar një objekt kyç energjetik në Herson me artileri dhe dronë, gjë që mund të shkaktojë ndërprerje të energjisë elektrike, njoftoi shefi i administratës ushtarake rajonale në atë qytet, Aleksandar Prokudin. "Për më shumë se një ditë, rusët kanë sulmuar masivisht një nga kompanitë më të rëndësishme në infrastrukturën tonë energjetike, duke shkelur edhe një herë në mënyrë cinike të gjitha marrëveshjet”, ka postuar Prokudin në Telegram, transmeton Ukrinform.
Kiev - Një dron rus herët në mëngjes goditi një autobus me punëtorë në qytetin ukrainas Merhanec, duke vrarë të paktën nëntë persona në një valë sulmesh që synonin infrastrukturën civile në Ukrainën lindore, jugore dhe qendrore, njoftuan personat zyrtarë. "Rusët sulmuan një autobus me punëtorë të një kompanie të cilët shkonin në punë në Marhanec", ka shkruar në Telegram, Mikolla Lukashuk, kryetar i këshillit rajonal të Dnjepropetrovskit. Serhij Lisak, guvernator i rajonit Dnjepropetrovsk, i cili përfshin Marhanecin, në Ukrainën qendrore dhe jugore, deklaroi se nëntë persona u vranë dhe të paktën 30 u plagosën në sulm.
Gaza - Mbrojtja Civile Palestineze njoftoi sot se së paku 17 persona janë vrarë në sulmet izraelite në Rripin e Gazës. Në sulmin në një shkollë në qytetin e Gazës, që besohet se strehonte persona të zhvendosur, u vranë 11 persona dhe 17 u plagosën. "Midis të vdekurve ka gra dhe fëmijë," tha zëdhënësi i Mbrojtjes Civile Mahmud Basal. Katër persona u vranë kur ushtria izraelite sulmoi shtëpi në pjesën lindore të Gazës, kumtoi Mbrojtja Civile.
Tel-Aviv - Qeveria izraelite ndau, e më pas e fshiu kumtimin me ngushëllime në rrjetet sociale për vdekjen e papa Françeskut, pa e cekur shkakun për atë, lajmëruan sot mediumet britanike. Mediumet izraelite e ndërlidhin hapin e këtillë me kritikat që papa Françesku ia bëri kryesisë së shtetit hebraik për shkak të luftës në Gazë. "Prehu në paqe papa Françesk. Kujtimi për të le të jetë bekim", u kumtua të hënën në platformën X, krahas fotografisë së papës, në të cilën ai ishte për vizitë në Murin perëndimor në Jerusalem.
Pekin - Kina kërkoi nga kompanotë jugkoreane të mos eksportojnë prodhime që përmbajnë metale të rralla kineze në kompanitë amerikane të cilat punojnë për industrinë ushtarake amerikane, kumtoi "Korea Economic Daily", duke iu referuar burimeve qeveritare. Autoritetet kineze paralajmërojnë se ndërmarrjet kineze të cialt do ta shkelin ndalesën mund të përballen me sanksione, lajmëruan mediumet britanike. Porosia, siç thuhet, iu parashtrua në formë të letrës kompanive të cilat prodhojnë transformatorë, nateri, monitorë, automjete elektrike, pajisje ajrore dhe mjekësore.
Porto-o-Prens - Një nga spitalet kryesore të Haitit po mbyllet për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë pasi bandat sulmuan qytetin Mirebalis në qendër të Haitit, transmetojnë agjencitë duke u thirrur në dokumente interne. "Spitali universitar Mirebalis pushoi së funksionuari në fillim të prillit", tha Pjer-Mari Sherenfant, zëvendësshef ekzekutiv i spitalit, duke shtuar se spitali kishte filluar të transportonte pacientë nëpër spitale të tjera në zonë.
Nju-Jork - Hjuman Rajs Uoç e ka akuzuar Izraelin se gjatë luftës së tij të hapur me Hezbollahun në vjeshtën e vitit 2024 ka kryer sulme joselektive ajrore, duke e dhënë shembullin e një fshati në Libanin lindor, ku kanë humbur jetën 33 persona. Marrëveshja për armëpushimin e arritur më 27 nëntor i ka dhënë fund më shumë se një vit armiqësive, duke përfshirë edhe luftën dymujore të hapur, mes izraelit dhe organizatës proirianiane Hezbollah, në të cilat janë vrarë më shzmë se 4.000 njerëz.
Nju-Jork - Shefi i agjencisë së KB-së për ndihmë në ushqim në Etiopi, Zllatan Milishiq, ka lëshuar një paralajmërim të ashpër se miliona njetrëz në këtë vend janë në prag të "katastrofës", njoftoi BBC. Milisiç njoftoi se për shkak të mungesës së fondeve, Programi Botëror i Ushqimit (WFP) "është i detyruar të pezullojë punën e tij" në lidhje me më shumë se gjysmë milioni gra dhe fëmijë të kequshqyer që nga muaji i ardhshëm.
Mançester - Trajneri i Mançestr Sitit, Hosep Guardiola e ka komentuar fitoren ndaj Aston Villës në xhiron e 34-të të Premier ligës. Ndeshja u luajt mbrëmë dhe përfundoi me rezultat 2:1 në dobi të "qytetarëve". Siti e ka siguruar fitoren në minutën 90+4 të ndeshjes falë një goli nga Mateus Nunes. "Jam shumë i lumtur. Kemi katër ndeshjet e fundit të sezonit përpara dhe po luftojmë për Ligën e kampionëve. Nëse fitojmë katër ndeshjet e ardhshme, atëherë çështja më e rëndësishme do të zgjidhet për ne. Nuk duhet të jesh gjeni për të kuptuar se Siti po luante kundër Aston Villës, një nga ekipet më të mira. Ky është një ekip i jashtëzakonshëm, por ne luajtëm me të njëjtin përkushtim si më parë", tha Guardiola pas ndeshjes.