09:00 / 4 shtator / 2026
Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski sot do ta vizitojë Komunën e Karposhit, ku do të inspektojë aktivitetet ndërtimore për asfaltimin e rrugës "Sofiska" në Komunën e Karposhit. Siç kumtojnë nga shërbimi për shtyp qeveritar, pastaj është planifikuar ecje deri në SHFK "Vëllazërimi", ku do të vendoset gurthemeli për ndërtimin e një salle të re sportive.
Shkup - Këshilli për ndarjen e Çmimit shtetëror "8 Shtatori" sot në Sallën e kristaltë në Kuvend do t'i ndaj çmimet për mirënjohjen më të lartë për vepër jetësore, si dhe mirënjohjet për sportistët, trajnerët dhe punonjësit e sportit për arritjet në sport për vitin 2026. Trajço Dimkov është fituesi i sivjetshëm i çmimit për vepër jetësore, për kontributin e jashtëzakonshëm në zhvillimin e sportit, afirmimin dhe promovimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në planin ndërkombëtar (mundje).
Shkup - Gjithsej 31 zjarre në hapësir të hapur janë regjistruar deri në orën 07:30 të mëngjesit të sotëm, prej të cilave një është aktiv, tre zjarre janë nën kontroll, ndërsa 27 zjarre janë shuar, kumtoi QMK-ja. Zjarri është aktiv në Komunën e Gjorçe Petrovit, në fshatin Graçan, pas çka aktualisht zjarri është aktiv në territorin e Republikës së Kosovës (pyll).
Shkup - Moti sot do të jetë me diell dhe i nxehtë me vranësira lokale të lehta deri mesatare. Do të fryjë erë mesatare, kohë pas kohe e përforcuar nga drejtimi verior. Temperatura minimale do të jetë në interval prej 12 deri në 19 gradë, ndërsa ajo maksimalja do të arrijë prej 29 deri në 33 gradë Celsius. Në Shkup moti do të jetë me diell dhe nxehtë me vranësira të lehta deri mesatare. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i ndryshueshëm. Temperatura minimale do të bjerë në 18, ndërsa maksimale do të arrijë 33 gradë.
Berlin - Shumica e pjesëmarrësve në anketën "Dojçlandtrend" nga televizioni publik gjerman "A-Er-De" e konsiderojnë Rusinë një kërcënim për sigurinë e Gjermanisë, njoftoi DPA. Një total prej 56 për qind e të anketuarve besojnë se Gjermania aktualisht është e ekspozuar ndaj një kërcënimi serioz ose shumë serioz nga Rusia. Në krahasim, 39 për qind vlerësojnë se Rusia përbën pak ose asnjë kërcënim.
Berlin - Gjermania filloi me prodhimin masiv të më shumë se 5.000 dronëve ushtarakë me rrezeveprimi të madh për Ukrainën, njoftoi gazeta gjermane "Handelsblat". Prodhimi filloi në rajonin më të gjerë të Mynihut, ndërsa dronët e parë tashmë janë përpunuar. Sipas Qeverisë gjermane, projekti është paraparë të përfundojë deri nga mesi i vitit 2027, me vlerë të përgjithshme prej rreth 300 milionë euro. Dronët po prodhohen nga kompania gjermano-amerikane "Auterion" dhe partneri i saj ukrainas "Erlogiks". Programi përfshin dy lloje dronë luftarakë - një me rreze të mesme dhe tjetri me rreze të gjata veprimi, të cilët duhet të jenë në gjendje të godasin objektiva në distancë deri në 1.500 kilometra.
Brazilia - Brazili ka shprehur "shqetësim të thellë" në ditën e parë të ndalimit të importit të mishit të pulës dhe viçit nga Bashkimi Evropian (BE) duke kërkuar garanci për pajtueshmërinë me rregullat e saj sanitare. Komisioni Evropian e ka akuzuar Brazilin se nuk ofron garanci të mjaftueshme se produktet e tij përputhen me rregullat evropiane kundër keqpërdorimit të antibiotikëve në blegtori. Brazili "pret fuqimisht që dialogu teknik i vazhdueshëm të ofrojë zgjidhje të shpejtë, objektive, transparente dhe të bazuar në shkencë", thanë ministritë e Punëve të Jashtme dhe Bujqësisë së Brazilit. Ata shpresojnë që një vendim i tillë "i njeh në mënyrë adekuate garancitë e ofruara nga vendi".
Kopenhagen - Gjermania, Austria, Danimarka, Holanda dhe Greqia sot do të diskutojnë në Kopenhagen mundësinë e krijimit të qendrave të kthimit të emigrantëve në vendet jashtë Bashkimit Evropian, kumtoi një zëdhënëse e Ministrisë së Punëve të Brendshme gjermane, e cituar nga DPA-ja. Pesë vendet duan të krijojnë qendra të tilla për emigrantët të cilët do të deportohen nga Bashkimi Evropian, për të cilat ato tashmë kanë filluar bisedimet fillestare me vendet partnere të mundshme.
Londër - Presidenti amerikan Donald Tramp ka deklaruar se e ka shpëtuar Britaninë e Madhe nga një sulm bërthamor duke filluar luftën kundër Iranit dhe e ka sulmuar përsëri Londrën për refuzimin e saj për t'u bashkuar me konfliktin, njofton DPA. "Po e shpëtoj edhe vendin tuaj nga kërcënimi... Sepse nëse Irani do të kishte armë bërthamore, ka më shumë të ngjarë që t'i përdorë ato në Evropë, ku mund të arrijnë raketat iraniane", tha presidenti amerikan në një intervistë televizive për "Xhu Bi njuz" të Britanisë. Ai përsëri u tall me mungesën e gatishmërisë së Britanisë për t'u përfshirë në konfliktin me Iranin. Ai la të kuptohet se SHBA mund të tërheq mbështetjen për Britaninë në çështjen e Ishujve Falkland.
Uashington - Konflikti në Iran nuk është një "luftë", deklaroi zëvendëspresidenti amerikan Xhej Di Vens, i cili gjithashtu vlerësoi se lundrimi nëpër Ngushticën e Hormuzit është "pothuajse" normalizuar. Gazeta "Vollstrit xhurnall" vlerëson se në një kohë kur presidenti, Donald Tramp, po shqyrton mundësinë e deklarimit të thjeshtë dhe të qartë të përfundimit të konfliktit, Zëvendëspresidenti Vens po përpiqet të minimizojë luftimet. "Unë nuk do ta quaja këtë luftë. Momentalisht nuk ka shkëmbim zjarri", deklaroi ai para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, edhe pse SHBA-ja ka sulmuar dy herë objektiva në Iran ditët e fundit.