• e hënë, 17 nëntor 2025
MIA Flesh

15:00 / 10 tetor / 2025

Shkup - Avokati i Popullit, përmes Departamentit për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe personave me invaliditet, dërgoi apel publik te të gjithë pjesëmarrësit në Zgjedhjet Lokale 2025 të përmbahen nga përfshirja e fëmijëve në aktivitetet politike. "Përfshirja e fëmijëve në ç'farëdo lloj aktiviteti politik, paraqet një formë të papranueshme të instrumentalizimit të fëmijës dhe shkelje të dinjitetit të tij dhe të drejtën e mbrojtjes nga ndikimi politik, të garantuar me Konventën për të drejtat e fëmijëve, Ligjin për mbrojtjen e fëmijëve, si dhe Kodin Zgjedhor, i cili parashikon që pjesëmarrësit në fushatën zgjedhore detyrohen të veprojnë në pajtim me parimet e sjelljes etike dhe përgjegjëse", citohet në kumtesën e Zyrës së Avokatit të Popullit.

Shkup - Që nga fillimi i këtij viti, ekipet e transplantimit, të cilat punojnë me përkushtim dhe sakrificë të jashtëzakonshme, kanë kryer transplantime të veshkave te gjashtë pacientë nga donatorë të vdekur, dy transplantime të mëlçisë nga donatorë të vdekur, si dhe transplantime të kockave dhe ligamenteve, informoi sot ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, i cili mori pjesë në një takim pune me rastin e Fundjavës Evropiane të Dhurimit të Organeve, të organizuar nga koordinatorja kombëtare e transplanteve, Prof. Dr. Biljana Kuzmanovska, dhe menaxhmentet e klinikave universitare për kirurgji digjestive, urologji dhe nefrologji. Aliu siguron se ka përkushtim të vazhdueshëm në përmirësimin e kësaj veprimtarie dhe në përgatitjen profesionale të ekipeve për transplantim. Gjatë periudhës së kaluar, shtatë mjekë kirurgë dhe një specialist nefrolog janë dërguar për trajnim në Republikën e Turqisë për transplantimin e veshkave. Po ashtu, në fushën e transplantimit të mëlçisë, dy kirurgë janë trajnuar në Turqi për transplantim nga donatorë të gjallë.

Shkup - Kandidati për kryetar të Qytetit të Shkupit nga radhët e VMRO-DPMNE-së, orce Gjorgjievski premton se nëse bëhet kryetar i Qytetit, për 72 orë do ta zgjidhë problemin me mbeturinat komunale në Shkup. GJorgjievski sot duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve tha se në pastrimin e qytetit do të ndihmojnë shërbimet e qytetit, kompanitë me përgjegjësi shoqërore, ndërkaq do të përfshihen edhe qytetarët sepse në periudhën e kaluar ka marrë oferta të shumta për t'u përfshirë në pastrimin e qytetit. "Kur kemi pushtet të shurdhërtë qytetit, kur kemi pushtet jofunksional të qytetit përballemi me atë në të gjitha komuant me resurset tona aq sa mund të punojmë vetëm që të arrijmë kushte më të mira për qytetarët tanë. Këtu do të ndihmojnë edhe shërbimet e qytetit dhe komuant, dhe kompanitë me përgjegjësi shoqërore dhe shkupjanët sepse gjatë periudhës së kaluar kam numër të madh të ofertave për të ndihmuar", tha Gjorgjievski.

Shkup - Ky është vetëm një aktgjykim i marrë, do të shohim se si do të zhvillohen ngjarjet më tutje. Në periudhën e ardhshme do të marrim një qëndrim, ndërsa shpresoj që do të mbajmë edhe një takim të përbashkët me Sindikatën e kulturës, tha sot ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov. Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve pas inspektimit të rikonstruksionit të Shtëpisë së Kulturës "11 Tetori" në lagjen Çento të Shkupit, Lutkov informoi se deri tani është takuar disa herë me Sindikatën. "Ne jemi takuar disa herë që para muajit mars të këtij viti dhe kishim mendime të ndryshme lidhur me përllogaritjet e pagave. Në fund, ministritë e Kulturës dhe të Financave, së bashku me Qeverinë, bënë përllogaritjen e fundit, me të cilën u lëshuan pagat. Do të shohim si do të zhvillohen ngjarjet. Ne jemi takuar disa herë me Sindikatën e Kulturës dhe me SASHK-un, kemi biseduar dhe kemi hapur çështje jo vetëm për pagat, por kemi tentuar të hapim edhe tema të tjera nga Marrëveshja Kolektive për ta përmirësuar. Por, ende nuk kemi pasur përgjigje për çështjet e tjera, e vetmja gjë që ka rëndësi tani është kjo, në lidhje me pagat. Shpresoj që në periudhën e ardhshme, varësisht si do të zhvillohen ngjarjet, të mbajmë një takim të përbashkët. Kjo është vetëm një aktgjykim i marrë, unë dje menjëherë pas konferencës për shtyp, kërkova ta shoh. Në periudhën në vijim do të marrim një qëndrim lidhur me këtë çështje", theksoi ministri.

Shkup - Gjatë muajit  gusht të vitit 2025 janë dhënë 280 leje ndërtimi, që është për 1.8 për qind më shumë krahasuar më muajin e njejtë të vitit paraprak.  Më së shumti leje për ndërtim 179 janë për ndërtimet e larta. Juglindja është rajoni me më së shumti leje për ndërtim në gusht 61, pas së cilës vijojnë rajoni i Pollogut me 60 dhe rajoni i Shkupit me 46. Për ndërtim janë parashikuar 646 banesa, tregojnë sot të dhënat e publikuara në Entin Shtetëror të Statistikës. Sipas lejeve të dhëna për ndërtim, vlera e paraparë e objekteve është 5 241 279 mijë denarë, që është për 8.0 për qind më shumë krahasuar me muajin e njejtë të vitit paraprak. 

Shkup - Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave e informon opinionin se në tremujorin e katërt të këtij viti do të shpallet Thirrja Publike 02/2025 për shfrytëzimin e fondeve nga Programi IPARD 2021–2027, masa 3 – "Investime në mjete themelore për përpunimin dhe marketingun e produkteve bujqësore dhe të peshkut". "Kjo masë përfaqëson një mundësi të jashtëzakonshme për sipërmarrësit maqedonas në industrinë ushqimore që të përmirësojnë kapacitetet e tyre dhe të bëhen më konkurrues në tregun vendor dhe ndërkombëtar. Masa 3 – 'Investime në mjete themelore për përpunimin dhe marketingun e produkteve bujqësore dhe të peshkut” nga Programi IPARD mundëson mbështetje financiare për modernizimin e kapaciteteve përpunuese, investime në përpunimin dhe marketingun e produkteve bujqësore dhe të peshkut, si dhe përafrim me standardet evropiane. Përmes kësaj mase mbështetet rritja e konkurrueshmërisë së prodhimit bujqësor dhe e sektorit agro-ushqimor në tërësi", thekson MBPEU.

Shkup - Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova prej sot po qëndron për vizitë pune në Venecie, Republikën e Italisë, me rastin e pjesëmarrjes në shënimin e 35-vjetorit të ekzistimit të Komisionit evropian për demokraci përmes së drejtës (Komisioni i Venecies), trup këshilldhënës i Këshillit të Evropës. Siç kumtoi Kabienti i presidentes, është paraparë Siljanovska-Davkova më 11 tetor të flasë në shënimin solemn të përvjetorit, ku, krahas mysafirëve të tjerë të lartë, është paralajmëruar prania e presidentittë Republikës së Italisë, Serxho Matarela dhe presidentes së Republikës së Moldavisë, maja Sandu.

Shkup - Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës nënshkruan memorandum për mirëkuptim dhe bashkëpunim të ndërsjellë në fusha nga interesi i përbashkët, me të cilin, siç informojnë nga Kushtetuesja, vendosen bazat për thellimin dhe institucionalizimin e bashkëpunimit mes gjykatave kushtetuese të dy vendeve. Memorandumi u nënshkrua nga kryetarët e dy gjykatave, Darko Kostadinovski dhe Nexhmi Rexhepi dhe është rezultat i komunikimit të deritanishëm konstruktiv dhe të suksesshëm, ndërsa qëllimi i tij është të mundësojë zhvillim të vazhdueshëm të marrëdhënieve, avancim të kapaciteteve profesionale dhe përmirësim të praktikës gjyqësore dhe vendimeve të marra.

Shkup - Ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani, u sot mbajti takim me ambasadorin e sapoemëruar të Mbretërisë së Suedisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Ola Sulstrom, në të cilin u shqyrtuan çështje me rëndësi strategjike për integrimin evropian të vendit, zbatimin e Agjendës së Reformave në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, si dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit bilateral dhe zhvillimor. Ministri Murtezani, si Koordinator Nacional për Zbatimin e Agjendës së Reformave, informoi rreth aktiviteteve të vazhdueshme që Qeveria po ndërmerr në drejtim të avancimit e sundimit të së drejtës, përmirësimin e mjedisit të biznesit dhe rritjen e kapaciteteve administrative për zbatimin e politikave evropiane.

Shkup - Kandidatja për kryetare të Qytetit të Shkupit nga LSDM dhe koalicioni, Kaja Shukova, prezantoi sot vizionin e saj për Çarshinë e Vjetër të Shkupit. Sipas saj, Çarshia është shpirti i Shkupit, por, siç thotë, është e ngulfatur nga papastërtia, kaosi administrativ dhe neglizhenca institucionale. "Plani ynë është i qartë, vizioni është t'ua kthejmë Çarshinë shkupjanëve. Unë kam zgjidhje. Pastrim i përditshëm, pajisje të reja urbane, ndriçim publik dhe zona Ëi-Fi, me respekt për pamjen autentike", deklaroi Shukova përpara monumentit të Skënderbeut. Nëse fiton besimin e shkupjanëve, premton edhe mbështetje për shitësit dhe zejtarët, me fonde buxhetore për rikonstruimin e dyqaneve, ndihmë ligjore dhe financiare dhe shkolla të hapura për zejtarë dhe punëtori mjeshtrash.

Shkup - Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov, së bashku me kryetarin e Komunës së Gazi Babës, Boban Stefkovski sot kryen inspektim në rikonstruksionin e Shtëpisë së kulturës "11 Tetori" në lagjen Çento të Shkupit. Objekti i cili nuk funksionin që nga vitet 1985 - 1986, tani, me rikonstruksionin, duhet të marrë një pamje moderne dhe të bëhet qendër për organizimin e llojeve të ndryshme të manifestimeve kulturore. Siç njoftuan Lutkov dhe Stefkovski, Shtëpia do të jetë energjetikisht efikase, në tri nivele, me një skenë për rreth 180 shikues, ndërsa do të ketë galeri, zyra, dhoma për grim, bibliotekë, si dhe zgjidhje inkluzive (ashensor të veçantë dhe toalete të adaptuara për personat me nevoja të veçanta). Pritet të jetë në përdorim deri në fund të këtij viti.  

Shkup - Drejtuesi i motoçikletës, i cili më 1 korrik të këtij viti, në rrugicën për këmbësorë në kejin e Vardarit në afërsi të Parkut të frankofonisë e shkeli Jugosllav Nikollovskin (68) sot para Gjykatës thmelroe penale Shkup, e pranoi fajin. Njëzet e pesë vjeçari Faton Nuri, para Gjykatës e pranoi fajin për veprën "vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komuniakcion", përderisa për veprën "mosofrim i ndihmës për perosnin e lënduar në aksident rrugor" do të mbrohet dhe do të propozojë dëshmi. "ndjehem fajtor për aksidentin, që nuk do të doja t'i ndodhë askujt. Ngushëllime të thella për familjen. Sikiur të mund të ndryshoja diçka, do ta bëja. Për ofrim të ndihmës, kam ofruar ndihmë. po ka kamera atje... Them se i kam ofruar ndihmë të ndjerit dhe nuk ndjehem fajtor për atë", deklaroi Nuri.

Shkup - Në vendkalimin kufitar "Bogorodicë" është parandaluar kontrabanda e 11 monedhave të arta me një peshë totale prej 71 gramësh, me një vlerë totale prej 567 mijë denarë. Departamenti i Hetimeve ngriti kallëzim penal kundër një personi në Prokurorinë Themelore Publike në Gjevgjeli për veprën penale "Kontrabandë", e dënueshme sipas Kodit Penal, kumtoi sot Drejtoria e doganave. Nga atje theksojnë se e dyshuara, shtetase maqedonase, po udhëtonte me autobus nga Stambolli për në Tetovë. Ajo i fshehu monedhat e arta në një qese të verdhë, të vendosura në çantën e saj, dhe me qëllim që t'i shmanget kontrollit doganor dhe të paguajë detyrime ndaj shtetit në shumë prej 149 mijë denarësh, u përpoq t'i fusë në vend pa i deklaruar.

Shkup - Përmes Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore (NPRRSH), shteti në gusht të këtij viti pagoi 1.200.875.741 denarë (19,5 milionë euro) për konsorciumin "Behtel dhe Enka", kontraktorin e segmenteve të autostradës së korridoreve 8 dhe 10d (Tetovë-Gostivar, 18 kilometra), (Gostivar-Bukojçan, 30 kilometra) dhe (Prilep-Manastir, 40 kilometra). Që nga fillimi i vitit, ka pasur dy pagesa ndaj "Behtel dhe Enka" edhe atë në prill prej 599.794.350 denarë dhe 524.972.228 denarë, si dhe një në maj prej 681.026.665 denarë, pastaj në qershor 830.336.364 denarë dhe në korrik 1.022.217.192 denarë.

Shkup - Me rastin e festës shtetërore, Ditës së kryengritjes popullore të popullit maqedonas, sportelet për pagesë, sportelet për reklamim dhe operatirët në Drejtorinë e ndërmarrjes së NP Ujësjellësi dhe kanalizimi -Shkup, nuk do të punojnë. Siç informojnë nga ndërmarrja, të hënën më 13.11.2025, vazhdojnë me punë me orar të rregullt. 

Shkup - Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike njoftoi se nga e martja në vend do të mbizotërojë mot i qëndrueshëm me temperatura ditore pak mbi mesataren për këtë periudhë të vitit. Moti nesër do të jetë me vranësira të ndryshueshme dhe me erë të lehtë deri në mesatare, ndërsa përgjatë Vardarit dhe në pjesët lindore do të fryjë erë veriore e fuqishme. Në pjesët verilindore do të ketë kushte për reshje të dobëta lokale shiu.

Kumanovë - E tërë kjo që u përcoll në opinion, janë shpifje të pastra të cilat tentojnë të dëmtojnë reputacionin tim personal, familjar dhe profesional, tha në konferencën e sotme për shtyp, mjeku Zekirija Shahini në lidhje me njoftimet fillestare të autoriteteve për përfshirje të mundshme të bashkëshortes së tij në incidentin e armatosur në Kumanovë, ku mbeti i plagosur ai. Shahini tha se prapa incidentit nuk qëndron bashkëshortja e tij. “Tërësisht i hedh të pabaza dhe të pavërteta pretendimet se pas këtij akti qëndron, bashkëshortja Arjeta Adili. Andaj urgjentisht kërkoj nga organet hetuese që të sqarojnë situatën rreth zonjës të përfshirë në këtë rast nga ana e tyre”, tha mes tjerash Shahini.

Prishtinë - Parlamenti i Kosovës u konstituua sot, tetë muaj pas zgjedhjeve parlamentare, me zgjedhjen e deputetit Nenad Rashiq, lider i Nismës qytetare "Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë", për nënkryetar të Kuvendit, njoftoi gazeta Koha Ditore. Rashiq mori mbështetjen e 71 deputetëve, nëntë ishin kundër, ndërsa 24 të përmbajtur. Ai është ministër për komunitete dhe kthim në dorëheqje, dhe është nënkryetari i pestë dhe i fundit i Parlamentit. Katër të tjerët u zgjodhën që në 26 gusht. Sipas Kushtetutës, nënkryetari i pestë duhet të jetë nga komuniteti serb, por kandidatët e mëparshëm nuk morën vota të mjaftueshme.

Tiranë - Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka suspenduar dekretin e presidentit Bajram Begaj i cili përcakton 9 nëntorin si datën e zgjedhjeve të parakohshme për kryetarin e bashkisë së Tiranës. Zyrtarisht, Gjykata kumtoi se vendimi është marrë unanimisht dhe se padia e ngritur nga ish kryetari i bashkisë Erion Veliaj do të vazhdojë në seancë plenare publike që do të mbahet më 31 tetor. Pavarësisht vendimit përfundimtar të gjykatës, zgjedhje në Tiranë nuk mund të ketë për të paktën 20 ditë nga miratimi i saj. "Gjykata Kushtetuese vendosi unanimisht që çështja e iniciuesit Erion Veliaj të shqyrtohet në seancë plenare publike më 31 tetor 2025 dhe të suspendojë dekretin presidencial për pjesën që përcakton datën e zgjedhjeve në Bashkinë e Tiranës", shpjegohet në kumtesën e Gjykatës Kushtetuese.

Bruksel - Stërvitja bërthamore vjetore e NATO-s Stedfast Nun (Steadfast Noon) do të fillojë të hënën, 13 tetor, kumtoi sot sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Mark Rute. Ai theksoi se stërvitja synon të sigurojë sigurinë, mbrojtjen dhe efektivitetin e aftësive të NATO-s për parandalim bërthamor. "Këto stërvitje dërgojnë një sinjal të qartë te çdo kundërshtar i mundshëm se Aleanca ka kapacitet t'i mbrojë të gjitha anëtaret e saj nga çdo kërcënim", theksoi Rute.

Bruksel - Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen javën e ardhshme do t'i vizitojë partnerët e BE-së nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, në kuadër të së cilës ajo të mërkurën pasdite do të qëndrojë në Shkup, kumtoi sot zëdhënësja e lartë e KE-së Paula Pinjo. Pinjo informon se gjatë qëndrimit në Shkup, Fon der Lajen do të mbajë takime të veçanta me presidenten e Maqedonisë Gordana Siljanovska Davkova, me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe me kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi. Turneun e saj vjetor në Ballkanin Perëndimor, Fon der Lajen do ta fillojë të hënën nga Tirana, ku do të takohet me presidentin shqiptar Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama, pastaj do të mbajë fjalim në hapjen e Formut Rajonal të Investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Ankara - Ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan deklaroi se Ankaraja në mënyrë aktive do ta ndjekë zbatimin e marrëveshjes së repër ndërprerje të zjarrit në Gazë si pjesë e grupit multinacional të punës që do t'i përfshijë SHBA-në, Egjiptin dhe katarin, transmetoi portali Turkije tudej. Fidan dje në paris mori pjesë në takimin e shefave të diplomacive nga vendet perëndimroe dhe arabe, kushtuar të ardhmes së Gazës. Në deklaratën pas takimit, ku morën pjesë ministrat e jashtëm të Turqisë, Francës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Italisë, Spanjës, Egjiptit, Arabisë Saudite, Jordanisë, Katarit, Emrirateve të Bashkuara Arabe dhe BE-së, Fidan e ceki rolin konstruktiv të Ankarasë në përpjekjet paqësore për Gazën.

Nju Delhi – Ministri i Punëve të Jashtme të Indisë, Subrahmanjam Xhaishankar, deklaroi sot se India dhe Afganistani përballen me kërcënim të njëjtë nga terrorizmi ndërkufitar, duke menduar në kërcënimet nga Pakistani. India dje për herë të parë ishte nikoqire e ministrit të Punëve të Jashtme të qeverisë talibane në Afganistan, Amir Kan Mutaki, pasi grupi e mori pushtetin në Kabul në vitin 2021. “E ndajmë përkushtimin e njëjtë të rritjes dhe prosperitetit”, tha Xhaishankar dhe shtoi se ai përkushtim “është sjellë në pikëpyetje nga kërcënimi i terrorizmit ndërkufitar, i cili përfaqëson barrë për të dyja vendet tona (Indinë dhe Afganistanin)”. 

Tel Aviv - Radioja ushtarake izraelite sot publikoi se, në pajtim me marrëveshjen e arritur për Gazën, do të lirohen 11 të burgosur nga radhët e Hamasit, e jo nga Fatahu, siç u planifikua fillimisht. Sipas informacionit në dispozicion, ndryshimi në listën e të liruarve u bë në momentin e fundit. Një zëdhënës ushtarak konfirmoi se armëpushimi midis Izraelit dhe lëvizjes palestineze "Hamas" hyri në fuqi sot në mesditë. Marrëveshja është faza e parë e planit paqesor të propozuar nga presidenti amerikan, Donald Tramp dhe parashikon lirimin e të gjithë pengjeve izraelite, si dhe tërheqjen e forcave izraelite në një linjë të dakorduar bashkarisht në Gazë. 

QËNDRONI TË LIDHUR