12:00 / 4 shtator / 2025
Shkup - Në tremujorin e dytë të vitit 2026, ndërtimtaria u rrit me një shifër të madhe prej 21,9 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, publikoi në profilin e tij në Fejsbuk, zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit ,Aleksandar Nikolloski. Ai thekson se janë përfunduar punime me vlerë totale prej 14,9 miliardë denarë ose përafërsisht 242 milionë euro dhe se rritja e ndërtimtarisë është një mbështetëse e mirë e ekonomisë vendase.
Tiranë - Dhjetëra profile në Instagram të aktivistëve shqiptarë, gazetarëve dhe liderëve të opozitës u bllokuan ose u çaktivizuan gjatë protestave kundër planit për ndërtimin e një kompleksi turistik luksoz në jug të Shqipërisë, raportuan sot mediat shqiptare, duke përcjellë një lajm të "Politiko". Protestat zgjasin prej gati 100 ditësh, ndërsa projekti është i lidhur me Xhared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Tramp.
Paris - Ministrja e Shëndetësisë së Francës, Stefani Rist, deklaroi sot se rreth 7.000 raste të vdekjes janë regjistruar gjatë valëve të të nxehtit që goditën vendin këtë verë, deri në fund të korrikut. Ajo tha se shifrat përfundimtare do të jenë të qasshme në javët e ardhshme, bën të ditur "Figaro".
Nju Jork - Asambleja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara do të votojë sot për Rezolutë ku u bën thirrje vendeve, organizatave ndërkombëtare, shkollave dhe kompanive të teknologjisë që gradualisht të braktisin projeksionin tradicional të Merkatorit të hartës së botës dhe të përdorin projeksione hartografike që përshkruajnë më besnikëri sipërfaqen e vërtetë të Afrikës dhe kontinenteve të tjera. Propozim-rezoluta u paraqit nga Togo, me mbështetjen e 54 anëtarëve të tjerë të Unionit Afrikan.
Xhakartë - Rreth dy mijë nxënës dhe arsimtarë në Indonezi në tre ditët e fundit kanë paraqitur simptome të helmimit me ushqim, pasi kanë konsumuar racione të siguruara në kuadër të programit shtetëror për ushqim falas në shkolla, njoftoi "Bi-Bi-Si". Në rastin e fundit, 777 nxënës dhe arsimtarë janë sëmurë pas ngrënies të mërkurën në një shkollë të mesme në Lasem, në provincën Java Qendrore. Shumica e tyre kanë pasur diarre, e cila shkaktoi problem me tualetet e shkollës, për të cilin shkak mësimi është ndërprerë. Në shtëpi janë dërguar pothuaj 1.200 nxënës dhe 95 të punësuar, ndërsa disa persona u dërguan në spital.
Katmandu- Dy persona janë shpëtuar të gjallë mëngjesin e sotëm nga një tunel i një hidrocentrali, nëntë ditë pas përmbytjeve katastrofike që goditën Nepalin, ndërsa më shumë se 4.000 persona ende konsiderohen të zhdukur. Ekipet e shpëtimit, me ndihmën e më shumë se 500 inxhinierëve, vazhdojnë kërkimet për personat e zhdukur. Dy personat janë nxjerrë nga tuneli i hidrocentralit "Upper Trishuli 3A", deklaroi një anëtar i parlamentit të Nepalit.
Uashington - Presidenti amerikan, Donald Tramp ka emëruar Adam Tellin (Adam Telle), ish ndihmës sekretar të Armatës për çështjet civile, si ushtrues të detyrës ministër të ushtrisë këmbësorike, pasi Dan Driskoll dha dorëheqje këtë javë. Një burim i njohur me çështjen tha se Driskoll dha dorëheqje nga Shtëpia e Bardhë pas disa muajsh tensione me ministrin e Mbrojtjes, Pit Hegset. Tramp e quajti Tellen "një patriot të madh që respektohet nga të gjithë". Tell ka shërbyer si ndihmës sekretar i Armatës për çështje civile që nga gushti 2025.