
09:00 / 12 maj / 2025
Shkup - Përshpejtimi i rritjes ekonomike, politikat digjitale dhe inovacionet për një ekonomi të gatshme për të ardhmen, harmonizimi potenciali ekonomik i vendit me investime inteligjente, pranimi i inteligjencës artificiale, kthimi i investimeve dhe roli i diasporës në rritjen kombëtare, do të jenë në fokus të Samitit "Maqedonia 2025" i cili do të fillojë sot në Shkup. Ekspertët ekonomik, drejtorët e tink-tankeve, ish ministra dhe ministra aktual nga vendi dhe nga jashtë, si dhe ekspertë të komunitetit shkencor nga disa vende, do të flasin në panel diskutimin e Samitit në të cilin pritet të marrin pjesë rreth 550 të ftuar. Pjesën zyrtare të samitit do ta hap Viktor Mizo, udhëheqës i Këshillit të drejtorëve të Maqedonisë 2025 dhe Nikica Mojsoska Bllazheski, drejtoreshë ekzekutive e Maqedonisë 2025.
Shkup - Moti sot do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe me diell. Pasdite do të jetë e paqëndrueshme me reshje të dendura të shiut dhe bubullima, lokalisht në formë të stuhisë. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi verior. Siç informojnë nga DPHM-ja, temperatura minimale do të jetë në intervalin prej 5 deri në 12, ndërsa maksimalja do të arrijë nga 17 deri në 25 gradë Celsius.
Bruksel – Kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Koshta prej sot e deri më 16 maj do të qëndrojë për vizitë në vendet e Ballkanit Perëndimor, në kuadër të të cilave të enjten do të udhëtojë për në Shkup, ndërsa të premten do të marrë pjesë në samitin e Bashkësisë Politike Evropiane në Tiranë. Siç informon korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, qëllimi i vizitës së Koshtës është që ta konfirmojë përkushtimin e BE-së drejt rajonit dhe perspektivës së vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në Union. “Fuqizimi i bashkëpunimit me Ballkanin Perëndimor është prioritet i lartë politik për BE-në dhe për mua personalisht”, porositi Koshta në prag të turit të tij në Ballkanin Perëndimor.
Bruksel - Anëtarët e Komitetit për punë të jashtme të Parlamentit Evropian (AFET) sot do të debatojnë me komisaren e BE-së për zgjerim, Marta Kos mbi procesin aderues, instrumentin për ndihmë paraqasëse (IPA) dhe Instrumentin për reformë dhe rritje për Ballkanin Perëndimor. Seanca e Komitetit do të fillojë pasdite me një shkëmbim mendimesh midis anëtarëve të AFET dhe Kosit mbi Programin e punës së Komisionit Evropian në fushën e zgjerimit të BE-së. Programi i punës së KE-së për vitin 2025 thekson se në kohën e paqëndrueshmërisë së madhe dhe pritjeve të larta për evropianët, zgjedhjet që Unioni do t'i bëjë këtë vit, ka të ngjarë të formësojnë Evropën për dekadat e ardhshme.