• e premte, 09 tetor 2026
MIA Flesh

09:00 / 7 gusht / 2025

Shkup – Komunikacioni në rrugët shtetërore zhvillohet pandërprerë, në rrugë të thata. Intensiteti i komunikacionit në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është rritur. Për shkak të pushimeve verore vërehet frekuencë e rritur e veturave, por në vendkalimet kufitare nga ana e Maqedonisë së Veriut nuk ka pritje më të gjata për hyrje dhe dalje nga shteti. LAMM informon se prej orës 6:30 në VK Bllacë më saktë te pompa e benzinës “Dizel”, komunikacioni i mallrave është ridrejtuar. 

Shkup – Moti sot do të jetë me diell me vranësira të vogla deri mesatare. Pasdite, kryesisht në pjesët lindore do të ketë kushte për paraqitje të izoluar të paqëndrueshmërisë me shi të rrëmbyeshëm nga drejtimi verior, më e shprehur përgjatë Vardarit. Temperatura do të lëvizë prej 11 deri 35 gradë. Në Shkup, moti do të jetë me diell me vranësira të vogla deri mesatare. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi verior. 

Seul - Koreja e Jugut dhe SHBA-ja do të zhvillojnë stërvitje të mëdha ushtarake këtë muaj për të rritur gatishmërinë e tyre të përbashkët luftarake mes kërcënimeve ushtarake në rritje nga Koreja e Veriut, kumtuan sot aleatët, të cituara nga mediat e Koresë së Jugut. Ushtrimet vjetore “Ulçi fridom shild” (UFS) do të mbahen nga 18 deri më 28 gusht dhe do të përfshijnë trajnime për kërcënimet reale për të përmirësuar kapcitetet e aleatëve në të gjitha fushat, kumtuan ushtritë e të dy vendeve.

Bejrut - Ushtria izraelite mbrëmë kumtoi se ka sulmuar disa objektiva të Hezbollahut në Libanin jugor, duke përfshirë depo armësh, vende për lëshimin e raketave dhe objekte të përdorura për ruajtjen e pajisjeve teknike. Mediat libaneze raportuan gjithashtu për sulme ajrore izraelite në rajon më herët gjatë ditës. Sulmet vijnë pavarësisht armëpushimit në fuqi midis Izraelit dhe grupit militant të mbështetur nga Irani që nga fundi i nëntorit. Megjithëse armëpushimi zyrtarisht mbetet në fuqi, Izraeli vazhdon të kryejë sulme pothuajse të përditshme ndaj pozicioneve të Hezbollahut, duke kërkuar çarmatimin e plotë të grupit.

Uashington - SHBA-ja më mirë i kupton kushtet nën të cilat Rusia do të ishte e gatshme t'i jepte fund luftës në Ukrainë, prej se i dërguari i presidentit Donald Tramp, Stiv Uitkof, u takua me presidentin rus Vlladimir Putin, deklaroi sekretari amerikan i shtetit, Marko Rubio. "Ndoshta për herë të parë në këtë administratë, kemi shembuj konkretë për punët që Rusia do të kërkonte për t'i dhënë fund luftës", tha Rubio në intervistë për Foks Biznis Netuork. Ai shtoi se elementët kyç në çdo marrëveshje do të përfshijnë territor.

Uashington - Doganat më të larta të presidentit të SHBA-së, Donald Tramp, të cilat lëvizin nga 10 deri 50 për qind, hynë në fuqi në mesnatë sipas kohës lindore për mallrat nga partnerët kryesorë tregtarë të SHBA-së. Dogana e SHBA-së filloi me pagesën e doganave më të larta pas disa javëve me tension rreth shumës përfundimtare të doganave dhe negociatave me partnerët tregtarë, që synojnë uljen e tyre. Mallrat që u ngarkuan në anijet që udhëtojnë drejt SHBA-së dhe ishin në tranzit para afatit të mesnatës, u lejohet të hyjnë në vend me doganat më të ulëta paraprake para 5 tetorit.

Barcelonë - Portieri i Barcelonës, Mark-Andre ter Shtegen do ta humb shiritin e kapitenit me kërkesë të menaxhmentit të klubit. Siç njoftoi "3Cat", trajnerit Hans-Diter Flik i është thënë se nevojitet të emërohet kapiten të ri si masë disiplinore kundër gjermanit 33-vjeçar. Portieri ka refuzuar të nënshkruajë raport për lëndim, i cili duhej të dërgohet deri te ekipi mjekësor i La Ligës: Klubi ka dashur të regjistrojë lojtar të ri, duke e shfrytëzuar klauzolën në rregullat, por për atë nevojitet vërtetim se të lënduarit do t'i nevojiten të paktën katër muaj për rikuperim.

QËNDRONI TË LIDHUR