9:00/17 gusht/2026
Shkup- Me më shumë aktivitete në Shkup dhe Shtip sot do të shënohet 34 vjetori i formimit të Armatës. Me rastin e Ditës së Armatës, në kazermën "Ilinden" në Shkup në orën 19:00, njësia e batalionit të artilerisë së Armatës do të kryejë qitje artilerike nderi me shkrepjen e 10 breshërive nga 6 topa artilerik. Më parë në orën 18:00, do të kryhet qitje provë artilerike me shkrepjen e një breshërie nga 6 topa artilerik.
Shkup – Me prezantimin e gjetjeve nga ekspertiza e ndërtimtarisë në objektin “Puls” dhe marrjes në pyetje të ekspertëve të cilët e kanë përpunuar, sot në sallën e gjyqit në “Idrizovë” duhet të vazhdojë gjykimi për zjarrin në diskotekën e Koçanit, në të cilin humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 ishin lënduar. Në seancën e kaluar, ekspertët thanë se “Puls” ilegalisht ishte shndërruar nga një objekt industrial në diskotekë në kundërshtim me planin urbanistik. Me ekspertizën është konfirmuar edhe se ishin vendosur ndarëse prej gipsi dhe dyer të cilat përfaqësonin pengesë të drejtpërdrejt për evakuim.
Dibër- Ushtruesja e detyrës ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup, Nikoll Varns dje pasdite qëndroi për vizitë në Dibër, ku u takua me kryetarin e komunës, Fisnik Mela. "Vizita u realizua në atmosferë miqësore, me ç'rast z. Varns ka pasur mundësi prej afër të njoftohet me bukuritë natyrore, potencialin turistik dhe mikpritjen e Dibrës", informuan nga komuna. Vizita filloi me kafe në Liqenin e Dibrës, ndërsa vazhdoi me shëtitje me anije, duke i mundësuar mysafires së lartë të kënaqet në peisazhin e shkëlqyeshëm dhe bukuritë unikate natyrore të liqenit.
Shkup- Në 24 orët e fundit në vend janë regjistruar gjithsej 25 zjarre në vende të hapura, nga të cilat 4 janë aktive, 3 nën kontroll dhe 18 janë shuar, njofton Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK). Zjarre aktive ka në afërsi të fshatit Moranë - fsh. Vërtekicë - fsh. Ramni Gaber në komunën e Studeniçanit, ku digjet pyll i përzier dhe në afërsi të Vidushit, Dragov dollit dhe Lokvicës në komunën e Makedonski Brodit, ku është djegur bimësi e ulët, pyll me rritje të ulët dhe shkurre. Zjarr aktiv ka edhe në komunën e Velesit dhe Zelenikovës, në zonën e fshatit S'lp i cili po përhapet drejt fshatrave Karabunjisht Dobrino dhe Tisovicë, si dhe në komunat Jegunoc dhe Saraj, afër fshatrave Kopanic dhe Tudencë i cili po përhapet drejt Bojanës.
Shkup- Për shkak të ndërrimit të gypit të ujit nga rrjeti i vjetër në rrjetin e ri, pa ujë prej orës 08:30 do të jenë shfrytëzuesit e rrugës "Xhon Kenedi", ndërsa presion të ulët do të ketë në një pjesë të lagjes Fushë Tophanë, informon NP Ujësjellësi dhe kanalizimi - Shkup. Furnizimi me ujë do të jetë i ndërprerë deri në përfundimin e aktiviteteve të punës.
Frankfurt- Bashkimi Evropian në vjeshtë planifikon zgjerim të konsiderueshëm të sanksioneve kundër Rusisë, me çka numri i individëve dhe subjekteve ruse të sanksionuara mund të rritet për një të tretën, tha Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas. "Sanksionet e BE-së deri më tani i kanë kushtuar makinerisë ushtarake ruse më shumë se një trilion euro, ndërsa në vjeshtë propozoj listën më gjithëpërfshirëse të sanksioneve që nga fillimi i luftës", tha Kallasi për gazetën gjermane "Velt".
Jerusalem- I dërguari i presidentit amerikan për Lindjen e Mesme, Xhared Kushner ka udhëtuar në Izrael, ku gjatë ditës është planifikuar të takohet me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu më vonë gjatë ditës. Kushneri ka arrit në Izrael pas bisedimeve me Hamasin mbi zbatimin e planit të paqes për Gazën të mbështetur nga SHBA-ja. Muajin e kaluar, Këshilli i paqes i presidentit Donald Tramp ka kumtuar se ishte arritur një marrëveshje për "çarmatimin e plotë" të Hamasit dhe grupeve të tjera të armatosura në Gazë.
Kinshasa- Epidemia e Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos ka marrë 2.325 jetë njerëzish, duke tejkaluar numrin e viktimave në epideminë e viteve 2018-2020 dhe duke u bërë më vdekjeprurësja në historinë e vendit. Instituti i atjeshëm i Shëndetit publik tha se numri i rasteve të konfirmuara është rritur në 4.945, duke përfshirë 101 raste të reja të regjistruara në 24 orët e fundit. Kjo është epidemia e 17-të e Ebolës në Kongo e cila tashmë e tejkaloi atë të mëparshëm sa i përket numrit të rasteve në fund të korrikut dhe bëhet më e madhja në historinë e vendit sipas këtij treguesi.
Honollollu– Mbi dyqind mijë shfrytëzues mbetën pa energji elektrike në Havai pasi uragani “Lala” e goditi Ishullin e madh, para se të dobësohej dhe të shndërrohej në stuhi tropikale. Guvernatori i Havait, Xhosh Grin, deklaroi se autoritetet shtetërore pranuan raportime për të paktën njëqind shtëpi të dëmtuara. Deri në mesditë sipas kohës lokale “Lala” lëvizte drejt perëndimit – veriperëndimit me shpejtësi prej afro 26 kilometra në orë, me erëra maksimale të përhershme prej rreth 105 kilometra në orë, që është jo më pak se erë uragananike, sipas paralajmërimit të fundit të Qendrës Kombëtare për Uragane.
Mançester- Mesfushori i Mançester Sitit, Rodri ka marrë leje që sot të udhëtojë në Barcelonë për ta kompletuar transferin e tij në klubin katalanas, njoftoi insajderi Fabricio Romano. Barcelona ka caktuar kontrollet mjekësore për spanjollin 30-vjeçar, i cili duhet të nënshkruajë kontratë katërvjeçare këtë javë. Pritet që kontrata të jetë me vlerë prej 60 milionë euro, me honorar fiks dhe 16 milinë euro në bonuse.