• e diel, 06 shtator 2026
MIA Flesh

9:00/ 7 gusht/ 2026

Shkup - Komuna e Gazi Babës sot do të mbajë aktivitet përkujtimor kushtuar shënimit të 10-vjetorit të përmbytjeve katastrofike të vitit 2016 në Hasanbeg dhe vendbanime të tjera në të cilat jetën e humbën 22 persona. Në këtë aktivitet do t'u bëhet homazh të gjitha viktimave dhe do të dërgohet mesazh se kujtesa, solidariteti dhe përgjegjësia janë një detyrim i përhershëm. Nga komuna shprehin mirënjohje të sinqertë për të gjithë ata që treguan humanizëm dhe solidaritet gjatë atyre ditëve të vështira. Stuhia që goditi Gazi Babën më 6 gusht shkaktoi përmbytje të mëdha ku jetën e humbën 22 persona. Pasditen e 6 gushtit 2016, rajoni i Shkupit u godit nga shira të rrëmbyeshëm dhe erëra të forta. Viktimat gjatë stuhisë ishin nga zonat e fshatrave Hasanbeg, Stajkovc, Smillkovc dhe Haraçinë.

Shkup- Qendra rajonale për menaxhim me kriza në Shkup, pas njoftimit të marrë nga EVN Maqedoni SHA, informon se sot pa energji elektrike do të jenë një pjesë e komunave të Gazi Babës dhe Butelit. Sipas paralajmërimit, nga ora 2 deri në orën 10 rrymë nuk do të kenë përdoruesit nga Kolonia dhe Idrizova, si dhe disa nga përdoruesit nga Jurumleri në Gazi Babë, ndërsa nga ora 8:30 deri në orën 12:30 shfrytëzuesit nga fshatrat Luboten, Lubanci dhe Rashtak, si dhe shfrytëzuesit nga fshati Bullaçan të komunave Butel dhe Gazi Babë. 

Shkup – Komunikacioni në rrugët shtetërore sot në mëngjes zhvillohet pandërprerë, në rrugë të thata. Siç kumtoi Lidhja Automote e Maqedonisë, intensiteti i komunikacionit në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është rritur. Në pikat kufitare nga ana e Maqedonisë së Veriut nuk ka pritje të gjata për hyrje dhe dalje nga shteti.  LAMM rekomandon shpejtësi të përshtatur të lëvizjes, respektim të sinjalizimit të vendosur në komunikacion dhe drejtim me kujdes me automjetet, veçanërisht në rrugët përgjatë luginave, luginave të lumenjve dhe grykat ku është e mundur paraqitja e rrëshqitjeve të dheut.

Shkup - Deri në orën 07:30, në territorin e shtetit janë regjistruar gjithsej 23 zjarre në hapësira të hapura, prej të cilave 1 është aktiv, 2 janë nën kontroll, ndërsa 20 zjarre janë shuar, njoftoi mëngjesin e sotëm Qendra për menaxhim me kriza.  Zjarri aktiv, Komuna e Makedonski Brodit: fsh. Greshnicë, v.q. Stojanova Naselba – (vegjetacion i ulët, pyll i degraduar dhe shkurre). Zjarre nën kontroll, Komuna e Dellçevës: deponia e Dellçevës – (deponi). Komuna e Gostivarit: fsh. Patalishtë – (vegjetacion i ulët dhe pyll me trungje të ulëta). Sipas njoftimit të QMK-së, u shuan 20 zjarre në hapësirë të hapur. 

Shkup- Moti sot do të jetë me diell dhe shumë i nxehtë me vranësira të vogla deri në mesatare. Do të fryjë erë e dobët deri në mesatare, ndërsa në disa vende përgjatë lumit Vardar herë pas here erë e përforcuar nga drejtimi verior. Pasdite do të ketë mot jostabil me shira të rrëmbyeshëm të përkohshëm dhe bubullima të rralla. Temperatura minimale do të jetë në intervalin prej 13 deri në 22 gradë, ndërsa ajo maksimale nga 32 deri në 38 gradë Celsius. Në Shkup moti do të jetë me diell dhe shumë i nxehtë me vranësira të vogla deri në mesatare. Do të fryjë erë e dobët deri në mesatare nga drejtimi verior. Temperatura minimale do të ulet në 21, ndërsa ajo maksimale do të arrijë 37 gradë Celsius. Në ditët në vijim do të vazhdojë periudha e motit me diell dhe shumë të nxehtë me temperatura ditore që në disa vende do të arrijnë 40 gradë. Në orët e pasdites do të ketë vranësira lokale jostabile me shira të rrëmbyeshëm afatshkurtër dhe bubullima të rralla.

Uashington – Presidenti amerikan Donald Tramp deklaroi se pret që lufta me Iranin të përfundojë së shpejti dhe shtoi se forcat e armatosura amerikane po përballen me vështirësi në shpërndarjen e armëve. "Vlerësoj se do të përfundojë shumë shpejt. Nuk mendoj se mund të rezistojnë edhe shumë gjatë", tha lideri amerikan në Zyrën ovale të Shtëpisë së Bardhë me rastin e luftës kundër Republikës Islamike. Disa media amerikane raportuan të martën se ushtria amerikane ka përdorur një pjesë të madhe të rezervave të saj të raketave me rreze të gjatë veprimi gjatë luftës pesëmujore.

Damask - Të paktën dy persona kanë vdekur dhe 13 të tjerë u lënduar në një shpërthim në minibus në periferi të Damaskut, transmetoi agjencia shtetërore siriane e lajmeve Sana.  Përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë deklaruan se po e monitoronin nga afër situatën dhe se spitalet dhe shërbimet e urgjencës mjekësore aty pranë ishin në gatishmëri të shtuar. Një përfaqësues i shërbimit të sigurisë për televizionin shtetëror "Ehbarija" deklaroi se sipas informacionit fillestar, shpërthimi u shkaktua nga një pajisje shpërthyese e vendosur në minibus. Në lagjjen periferike Xharamana jetojnë kryesisht anëtarë të pakicës druze.

Bangkok – Shtatë persona, përfshirë personin e armatosur, janë vrarë sot gjatë të shtënave në një shkollë në distriktin Bang Kruai në provincën Nontaburi në Tajlandë, kumtoi policia. Në sulmin e kryer nga një nxënës i klasës së nëntë, rreth 14 vjeç, janë lënduar të paktën 15 persona, dy prej të cilëve janë në gjendje kritike. Më parë, autoritetet thanë se personi i armatosur vrau një arsimtarë dhe plagosi katër persona, tre prej të cilëve nxënës. Kryeministri tajlandez Anutin Çarnvirakul shprehu ngushëllime ndaj familjeve të viktimave.

Uashington – Presidenti amerikan, Donald Tramp, dje nënshkroi dy dekrete të reja ekzekutive me të cilët tenton ta kufizojë marrjen e shtetësisë amerikane pas lindjes, njoftoi Shtëpia e Bardhë.  Një nga dekretet ka për qëllim ta kufizojë marrjen automatike të shtetësisë amerikane për fëmijë të lindur në SHBA prindërit e të cilëve nuk kanë shtetësi amerikane, siç janë fëmijë të funksionarëve të huaj qeveritarë dhe përfaqësues dhe persona me status të “të të huajve armiq”.  Me dekretin e dytë Trampi bën përpjekje ta pengojë të ashtuquajturin “migrim i lindjes”, gjegjësisht të shkohet si turist në SHBA me qëllim të lindjes së fëmijës, i cili me automatizëm merr shtetësi amerikane. 

Kinshasa – Numri i rasteve të konfirmuara me Ebola në Republikën Demokratike të Kongos ka tejkaluar katër mijë, për herë të parë që nga fillimi i epidemisë aktuale, sipas të dhënave të autoriteteve shëndetësore. Sipas të dhënave më të fundit të Institutit të Shëndetit Publik të Kongos, deri më tani në vend janë konfirmuar 4.053 raste me Ebola, ndërsa 1.850 persona kanë humbur jetën si pasojë e kësaj sëmundjeje. Epidemia filloi në fund të muajit prill të këtij viti, ndërsa shkalla e vdekshmërisë aktualisht është 43,9 për qind. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), rreth 90 për qind e rasteve janë regjistruar në provincën verilindore Ituri, pranë kufijve me Ugandën dhe Sudanin e Jugut.

Edinburg – Futbollistët e Shkëndijës mbrëmë humbën ndeshjen e pare me rezultat 2:1 ndaj Hibernianit të Skocisë në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës. Humbja erdhi në minutën e fundit kur skuadra vendase shënoi për herë të dytë kundër skuadrës së Tetovës. "Një ndeshje e rëndësishme me një kundërshtar fizikisht të mirë. Në ndeshjen e kthimit në Shkup patjetër do të përpiqemi të nxjerrim maksimumin. Mendoj se djemtë dhanë gjithçka. Patjetër që duhet të hyjmë me forcën maksimale. Zakonisht, sipas përvojës sime si futbollist në të kaluarën, skuadrat skoceze kanë probleme me kushtet e motit, por nuk mendoj se kjo mund të jetë problem. Ajo që duhet të them është se duhet të përfundojmë punën tonë dhe detyrat që do të japim për ndeshjen e kthimit, se patjetër do të përpiqemi të kualifikohemi dhe kjo do të ishte fantastike për djemtë, për klubin", ka thënë në konferëncën për shtyp, trajneri i Shkëndijës, Artim Pollozhani. Ndeshja e kthimit do të luhet të enjten, më 13 gusht në stadiumin nacional “Todor Proeski” më fillim në orën 20.

QËNDRONI TË LIDHUR