• e shtunë, 28 shtator 2024
MIA FLESH

09:00 / 13 qershor / 2024

Shkup - Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi sot do të ketë takim me presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj. Gashi, përveç takimit me presidentin shqiptar, do të realizojë takime edhe me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore, Methju Loson, si dhe me ambasadoren gjermane në vend, Petra Dreksler.

Shkup - Në kuadër të aktivitetit të USAID Parteneritet për rritje ekonomike, në bashkëpunim me Smart Learning Factory - Shkup, sot do të mbahet konferenca me temë "Mësimi i zgjuar për rritjen e produktivitetit. Rruga e Lean Six Sigma".

Shkup - Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut sot do ta mbajë seancën e tretë. Në rend të ditës së kësaj seance është Propozim-vendimi për konfirmimin e numrit të nënkryetarëve të Kuvendit, ndërsa para deputetëve është edhe Propozim-vendimi për themelimin e trupave të përhershëm punues. 

Shkup - Samit i shefave të shteteve dhe qeverive të pjesëmarrësve në Procesin për bashkëpunim në Evropën Juglindore (PBEJL) dhe Takim i ministrave të Punëve të Jashtme të Procesit, do të mbahet sot në Shkup si aktivitet përmbyllës në kuadër të kryesimit të vendit tonë me Procesin nën moton "Zhvendosja e ndarjeve, ndërtimi i besimit".

Shkup - Ministria e Punëve të Brendshme kumtoi se sot dhe nesër do të ketë regjim të posaçëm të komunikacionit në rajonin më të gjerë të Qytetit të Shkupit, për shkak të mbajtjes së takimit ministror dhe Samitit të shefave të shteteve dhe qeverive të vendeve nga procesi për bashkëpunim të Evropës Juglindore.

Shkup - Moti do të jetë me diell dhe shumë ngrohtë me vranësira të vogla deri mesatare. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare dhe herë pas here e fortë nga drejtimi perëndimor. Në orët e natës drejt të premtes do të jetë i paqëndrueshëm me reshje të rrëmbyeshme shiu dhe bubullima, lokalisht në formë stuhie. Temperatura minimale do të jetë në intervalin prej 12 deri në 20, ndërsa maksimalja do të arrijë nga 29 deri në 38 gradë. UV=8

Athinë - Rreth 30 biznese nga Maqedonia e Veriut, të udhëhequra nga Oda ekonomike dhe 15-20 biznese nga Greqia do të marrin pjesë në takimin e sotëm në Odën tregtare-industriale të Selanikut (EVET), me qëllim që të shqyrtohen mundësitë për zgjerim, thellim dhe përforcim të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Romë - Një deputet i opozitës duhej të nxirrej me karrocë nga parlamentit italian mbrëmë pas një përledhje dhe rrahje gjatë një debati për autonomi më të madhe rajonale. Leonardo Dono i Lëvizjes populiste Pesë Yjet u shty dhe u rrëzua në dysheme nga deputetë të tjerë në skena kaotike në dhomën e ulët të parlamentit, raportojnë mediat italiane.

Bruksel - Ministrat e Mbrojtjes së vendeve anëtare të NATO-s në takimin, që do të mbahet sot dhe nesër në Bruksel, do të diskutojnë për përshtatjen e kapaciteteve bërthamore ndaj mjedisit aktual të sigurisë.

Bruksel - Përgatitjet për Samitin e NATO-s në Uashington me të cilin do të shënohet 75 vjetori i themelimit të Paktit dhe sigurimi i mbështetjes së parashikueshme për Ukrainën në afat të gjatë, do të jenë temat kryesore të takimit dy-ditor të ministrave të mbrojtjes të vendet anëtare të Aleancës, i cili fillon sot në Bruksel. Vendi do të përfaqësohet në takim nga zëvendësministri i Mbrojtjes Tiron Jajaga.

Londër - Kyeministri britanik Rishi Sunak në takimin e G-7 do të publikojë ndihmën për Ukrainën me vlerë prej rreth 242 milionë funta (309.69 milionë dollarë). Mjetet janë dedikuar për përmbushjen e nevojave më urgjente të Ukrainës në fusha humanitare dhe energjetike.

Dallas - Boston Selltiks e fitoi Dallas Maveriks me rezultatin 106:99 në finalen e ligës NBA, me çka tani udhëheqin me 3:0 në fitore. Kjo do të thotë se Bostoni është shumë afër fitimit të titullit në NBA këtë sezon, pasi asnjë ekip deri tani në histori nuk ka arritur të kthehet nga negativa prej 3:0 në plej-of.

QËNDRONI TË LIDHUR