• e diel, 15 nëntor 2026

MIA Flesh

MIA Flesh

15:00/ 20 qershor/ 2026

Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski pret stabilizim të tregut me derivatet e naftës pas njoftimeve për negociatat paqësore midis SHBA-së dhe Iranit. Të hënën kur Komisioni Rregullator për Energjetikë duhet të marrë vendim të ri për karburantet, kryeministri pret ulje të benzinave për rreth katër denarë dhe të dizelit për rreth shtatë denarë.

Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski sot në një deklaratë për mediat tha se rikonstruimi i Qeverisë do të formalizohet deri në fund të qershorit, dhe pret që lista të jetë para deputetëve deri më 1 korrik. Ai vlerësoi se takimi i djeshëm me përfaqësuesit e VLEN-it kaloi në një atmosferë të mirë, por nuk dha detaje në interes të procesit. "Në interes të procesit, nuk do të flisja shumë për zgjidhje specifike të personelit, emra etj. Po shqyrtohen të gjitha llojet e opsioneve. Takimi u mbajt dje në një atmosferë të mirë dhe të këndshme. Po shqyrtohen mundësitë për ndërrimin e departamenteve, kështu që mendoj se do ta mbyllim shumë shpejt këtë pjesë të parë procesin e eshalonit të parë. Sot do të takohemi me ZNAM-in, kemi një takim me ta në orën dy. Do të diskutojmë hapur të gjitha anët e mira, por edhe dobësitë, sigurisht. Në mënyrë që deri në fund të javës së ardhshme, siç thamë dhe deri në fund të qershorit, ta formalizojmë të gjithë këtë dhe më së voni më 1 korrik, lista do të jetë në Kuvend para deputetëve", tha Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve gazetareske pasi vendosi gurthemelin e një kopshti fëmijësh në Kozle.

Shkup - Filloi ndërtimi i kopshtit të ri "Prolet 2" në lagjen Kozle, Komuna e Karposhit, një investim i Qeverisë përmes Ministrisë për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini. Në vendosjen e gurthemelit mori pjesë kryeministri Hristijan mickoski i cili theksoi se me ndërtimin e objektit do të sigurohen kushte moderne për fëmijët, gjë që siç tha ai, është "prioriteti ynë i lartë në Komunën e Karposhit".

Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëron një takim të ri me marketet dhe distributorët në fillim të javës së ardhshme, si dhe ndryshime ligjore që do të rrisin dhjetëfish gjobat për ato kompani që do të kenë praktika të padrejta tregtare. Kryeministri sot duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, u bëri thirrje kompanive, distributorëve, furnizuesve dhe prodhuesve të raportojnë praktikat e padrejta tregtare në mënyrë që shteti të mund të ndërhyjë në raste të tilla.

Shkup - Numri i abonentëve me qasje në internet nëpërmjet rrjetit optik në tremujorin e katërt të vitit të kaluar në vend arriti në 228.581 - rritje prej 2,57 për qind në krahasim me tremujorin e mëparshëm dhe prej 14,24 për qind në krahasim me të njëjtin tremujor të vitit 2024, tregojnë të dhënat e Agjencisë për Komunikime Elektronike. Qasje në internet me brez të gjerë dhe të ngushtë nëpërmjet rrjeteve mobile (2G/3G/4G) në tremujorin e katërt të vitit të kaluar kishin 1.654.137 abonentë, që paraqet rënie prej 7,16 për qind në krahasim me tremujorin paraprak dhe rritje prej 2,92 për qind në krahasim me tremujorin e katërt të vitit 2024.

Shkup - Shpenzimet minimale për një familje katër anëtarëshe në qershor janë ulur për 88 denarë në krahasim me muajin maj, publikoi sot Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë e cila e përpunon shportën minimale sindikale. Sipas të dhënave të LSM-së, vlera e shportës minimale sindikale për qershorin arrin 68.654 denarë, ndërsa me banesë me qira prej 60 metra katror arrin 84.024 denarë.

Shtip - Dhjetë persona u lënduan në një aksident trafiku midis një furgoni dhe një kamioni që ndodhi mbrëmë në rrugën rajonale Kumanovë - Shën Nikollë. Nga Spitali Klinik në Shtip për MIA-n thanë se tetë nga të lënduarit po trajtohen në Repartin e Kirurgjisë, ndërsa dy persona janë transferuar në Kompleksin e Klinikave "Nëna Terezë" në Shkup. Disa nga të lënduarit kanë lëndime të lehta, ndërsa të tjerët kanë lëndime më të rënda.

Shkup - Në vendkalimet kufitare "Bogorodicë" dhe "Dojran" ka frekuentim të rritur të automjeteve, koha e pritjes për dalje nga vendi arrin rreth 40 minuta. Në vendkalimet tjera kufitare nga ana e Maqedonisë, nuk ka vonesa të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi, informon LAMM. Intensiteti i komunikacionit në akset rrugore jashtë mjediseve të qytetit është mesatar. Komunikacioni në rrugët shtetërore zhvillohet pa ndërprerë, nëpër rrugë të thata.

Kiev - Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski ka akuzuar Bjellorusinë për ndihmë në sulmet me dronë rusë ndaj Ukrainës dhe e ka paralajmëruar Minskun se ka një javë kohë për të hequr pajisjet e komunikimit që Kievi pretendon se po ndihmojnë në kryerjen e sulmeve nga territori bjellorus. Përndryshe, Ukraina do të ndërmarrë veprime kundër Bjellorusisë. Duke folur në një konferencë të përbashkët për shtyp në Kiev me presidentin e Hondurasit Nasri Asfur, Zelenski kritikoi presidentin bjellorus Aleksander Lukashenko për, pavarësisht pretendimeve të tij të vazhdueshme se Minsku nuk dëshiron të përfshihet në luftë, ende duke ndihmuar fushatën ushtarake të Rusisë.

Minsk - "Retorikë boshe dhe çmenduri e pastër" - tha presidenti bjellorus Aleksandar Lukashenko në lidhje me akuzat e presidentit ukrainas Volodimir Zelenski se Bjellorusia po ndihmon Rusinë të kryejë sulme me dronë ndaj Ukrainës dhe kërcënimet se Kievi do të marrë masa kundër Minskut nëse pajisjet ruse nuk hiqen brenda një jave. Lukashenko theksoi se Bjellorusia nuk planifikon të sulmojë Ukrainën. "Kjo nuk do të ndodhë kurrë. Kurrë. Ne nuk kemi ushtarë atje dhe nuk do të kemi kurrë. Ai e di këtë, dhe armata ukrainase e di këtë", tha udhëheqësi bjellorus, duke akuzuar "evropianët se e kanë detyruar Zelenskin të bëjë deklarata të tilla".

Romë - Ministri i jashtëm italian Antonio Tajani ka anuluar vizitën e planifikuar në SHBA, pas mosmarrëveshjes diplomatike midis Uashingtonit dhe Romës, të shkaktuar nga deklarata e presidentit të SHBA-së Donald Tramp se kryeministrja italiane Xhorxha Meloni e "luti" atë të bënin një foto së bashku gjatë samitit të G7 në Francë. "Fjalët e ashpra dhe fyese të presidentit Tramp ndaj kryeministres Xhorxha Meloni ofendojnë të gjithë Italinë. Për këtë arsye, kam vendosur të anuloj vizitën time në SHBA, të planifikuar për 21-22 qershor", shkroi Tajani në X, i cili do të takohej me sekretarin e shtetit të SHBA-së Marko Rubio në Majami.

La Paz - Presidenti i Bolivisë Rodrigo Paz sot shpalli gjendje të jashtëzakonshme në vend, për shkak të përshkallëzimit të krizës së shkaktuar nga protestat antiqeveritare 50-të ditëshe që e bllokuan ekonominë kombëtare. Vendimi, i publikuar nga shefi i shtetit në fjalimin drejtuar kombit, hap derën e mobilizimit të forcave ushtarake në mbarë vendin në përpjekje të vihet rend.

Uashington - I dërguari amerikan Stiv Vitkof dhe ministri iranian i Punëve të Jashtme Abas Aragçi janë rrugës për në Zvicër për t'i vazhduar negociatat paqësore, publikoi Aksios. Irani dhe SHBA nënshkruan marrëveshje kornizë të mërkurën e cila parashikon fund gjithëpërfshirës të konflikteve luftarake në rajon. Raundi fillestar i bisedimeve midis Iranit dhe SHBA-së të planifikuara për të premten, që synonin avancimin e marrëveshjes kornizë, u anulua në minutën e fundit.

Uashington - Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së, Tulsi Gabard, ka publikuar dokumente të deklasifikuara që lidhen me origjinën e Kovid-19, duke pretenduar se ato përmbajnë informacione të reja rreth lidhjeve midis hulumtimit të financuar nga SHBA-ja, Institutit të Virologjisë në Vuhan dhe veprimeve të ish drejtorit të Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive dhe këshilltarit presidencial Entoni Fauçi. "Pandemia e KOVID-19 ka shkaktuar vështirësi dhe vuajtje të jashtëzakonshme për miliona bashkëqytetarë amerikanë dhe njerëz të panumërt në mbarë botën. Pas vitesh gënjeshtrash, censure dhe mbulimi të fakteve, populli amerikan meriton transparencë, të vërtetë dhe llogaridhënie", tha Gabard në një deklaratë për mediat.

Shkup - Mot me diell dhe i ngrohtë me vranësira të vogla deri në mesatare nga drejtimi verior, njoftuan nga Drejtoria për Punë Hidrometeorlogjike për pjesën tjetër ditës. Pritet që temepratura minimale të jetë në interval prej 8 deri në 18 gradë, ndërsa maksimalja nga 30 deri në 35 gradë Celsius. Sipas sinoptikëve, në Shkup moti do të jetë me diell dhe i ngrohtë me vranësira të vogla deri në mesatare. Do të fryjë erë e lehtë deri në mesatare nga drejtimi verior. Temperatura minimale do të bie në 15 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë në 35 gradë Celsius.

QËNDRONI TË LIDHUR