• e shtunë, 15 nëntor 2025
MIA Flesh

15:00/ 9 tetor/ 2025

Shkup - Ekipi menaxhues i M-NAV në kumtesën e sotme për opinionin reagoi rreth njoftimeve për grevë dhe "mbylljen e qiellit" më 20 dhe 24 tetor. "M-NAV si institucion është pjesë e infrastrukturës kritike e cila drejtpërdrejtë i mbron jetën dhe sigurinë e pasagjerëve, ekuipazhit dhe komunikacionit ajror që mbërrin, niset dhe fluturon mbi Republikën e Maqedonisë. Puna e kontrollorit të fluturimit nuk guxon dhe nuk mund të ndalet nën kurrfarë rrethana për shkak të rrezikut të sigurisë së të gjithë qytetarëve", citohet në kumtesë.

Shkup- Me marrjen në pyetje të dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria, sot në Gjykatën Themelore Penale në Shkup vazhdoi gjykimi për rastin "Onkologjia 2" me marrjen në pyetje të dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria, i cili po zhvillohet kundër ish-drejtorit mjekësor dhe ekonomik të Klinikës së Radioterapisë dhe Onkologjisë në Shkup, Nino Vasev dhe Nehad Nuhi, për punë të pakujdesshme dhe krim financiar. Së pari, u dëgjua një dëshmitar - një punonjëse sporteli në Klinikën e Onkologjisë, ndërsa Nino Vasev ishte drejtor, e cila shpjegoi se si trajtoheshin pacientët, duke theksuar se pasi vijnë tek ata, historia e tyre shëndetësore nxirret me një librezë numrash dhe i jepet mjekut, ndërsa pas kontrollit verifikohet. "Nëse kanë nevojë të marrin terapi ditore, ne marrim një udhëzim dhe bëjmë një llogaritje financiare", shpjegoi dëshmitarja.

Shkup - Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit nga koalicioni VLEN, Izet Mexhiti, prezantoi sot shtyllën e tretë të programit të tij zgjedhor, të fokusuar në rilindjen e Çarshisë së Vjetër të Shkupit dhe zhvillimin e turizmit si motor ekonomik të komunës. Në prezantim, Mexhiti theksoi se Çarshia e Vjetër është shumë më tepër se një kompleks tregtar, ajo është “historia e gjallë e Shkupit, shpirti i qytetit dhe zemra e Çairit”. Ai nënvizoi se objektivi i tij është ta shndërrojë këtë hapësirë të trashëgimisë kulturore në një qendër moderne evropiane të turizmit dhe kulturës, me projekte konkrete dhe financim të siguruar.

Shkup- Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, e komentoi deklaratën e kryeministrit Hristijan Mickoski se pas zgjedhjeve lokale është e mundur të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke konfirmuar se, sipas njohurive dhe vlerësimeve të tij, këto zgjedhje do të mbahen në mars ose prill të vitit të ardhshëm. “Ky është, në fakt, qëndrimi që e kemi thënë unë dhe ne që nga fillimi, po, do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare diku në mars ose prill. Dhe këtë e them në mënyrën më të argumentuar, bazuar në të gjitha bisedimet dhe marrëveshjet që ekzistojnë në skenën politike,” deklaroi Osmani. Ai shtoi se deklarata e kryeministrit vetëm e konfirmon atë për të cilën BDI dhe forcat e tjera opozitare kanë paralajmëruar prej muajsh, se qeveria aktuale është e paqëndrueshme dhe e pamundur të mbahet.

Shkup - Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, në përgjigje të pyetjes së gazetarëve, ka reaguar sërish ndaj refuzimit të kundërkandidatit të tij, Izet Mexhiti, për të marrë pjesë në debatet televizive. “Unë e kam kursyer Mexhitin tashmë disa javë, sepse ai i ka refuzuar të gjitha ftesat e mëparshme për debate. E ka refuzuar ftesën e ‘Telma’-s, e ‘TV24’, si dhe të mediumi kosovar të Jeta Xharës”, deklaroi Osmani. Ai theksoi se Mexhiti madje ka dërguar një njoftim deri te të gjitha mediat në gjuhën shqipe se nuk do të marrë pjesë në debate - gjë që, sipas Osmanit, "është dëshmi se ai ka frikë nga përballja e drejtpërdrejtë dhe nga përgjegjësia për politikat e tij".

Shkup - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski, merr pjesë në takimin e ministrave për punë të jashtme në kuadër të Procesit të Berlinit, që sot mbahet në Belfast. Në fokusin e diskutimeve ishin bashkëpunimi rajonal, perspektivat evropiane të vendeve nga Ballkani Perëndimor dhe sfidat e përbashkëta të sigurisë, kumtoi MPJTJ. Në fjalimin e tij, ministri Mucunski theksoi nevojën e përgjigjes së përbashkët të rreziqeve bashkëkohore të sigurisë - kërcënimet hibride dhe kibernetike, dezinformatat, migrimin, financimin ilegal dhe krimin e organizuar, të cilat plotësisht ndikojën në sigurinë dhe stabilitetin, duke minuar institucionet dhe besimin publik.

Shkup- Kandidati i VLEN-it për Komunën e Dibrës, Fisnik Mela, në një intervistë për Alsat-M ka folur për mënyrën se si e parasheh ndalimin e zbrazjes së qytetit të Dibrës. Mela, premton që përmes një programi të mirë ekonomik do të mundësonte që të rinjtë dhe të rejat të qëndrojnë në Dibër. “Padyshim që emigracioni është një ndër problemet kryesore për qytetin e Dibrës. Dhe ky fenomen është prezent në dekadat e fundit, dhe jo vetëm në vitet e fundit. Shkaqet për të cilat dibranët janë larguar nga vendi i tyre janë të ndryshme. Kurse, ne, në programin tonë parashohim që t’i shfrytëzojmë të gjithë resurset e mundshme të Dibrës dhe të rrethit të saj. Duke e implementuar një program shumë të mirë ekonomik dhe stabil”, deklaroi Mela.

Shkup - Pjesëmarrja e ministrit të Shëndetësisë dhe njëkohësisht shefit të shtabit zgjedhor të koalicionit VLEN për Komunën e Gostivarit, Azir Aliu, si dhe vetë kandidatit të tyre për këtë komunë, në tubimin e VMRO-DPMNE-së në Gostivar, është dëshmi e qartë se ky koalicion tashmë është plotësisht i varur nga votat e VMRO-së në çdo komunë të vendit — aq sa kërkon shpëtimin dhe lutet për ndihmë te padroni politik që e mban gjallë. Kjo nuk është bashkëpunim – kjo është nënshtrim politik me përulje publike. Është tregues i qartë se VLEN e di mirë se do të humbasë në çdo komunë shqiptare, sepse nuk e ka votën e shqiptarëve, nuk e ka besimin dhe nuk e ka më legjitimitetin e popullit shqiptar. Dhe kur e humb besimin e popullit tënd, mbetet vetëm një rrugë: t’i kërkosh mëshirë padronit që të shpëtojë politikisht.

Shkup - Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, sot mbajti konferencë për shtyp në rrugën e njohur si “Rruga e pllastikave”, ku së bashku me kandidatët për këshilltarë bisedoi me pronarët e dyqaneve dhe ua prezantoi programin në pjesën e masave ekonomike. Siç theksoi ai, fokusi është vendosur te të rinjtë dhe gratë si bartës të zhvillimit ekonomik lokal. “Çairi është ndoshta komuna më e dendur në Evropë, me 80.000 banorë në vetëm 3,5 kilometra katrorë, prej të cilëve më shumë se 14 për qind janë të rinj nën moshën 30 vjeç. Prandaj është shumë e rëndësishme të krijohet një perspektivë ekonomike për këtë gjeneratë, përmes angazhimit dhe mbështetjes së tyre ekonomike”, deklaroi Osmani.

Shkup- Nënkryetari i VMRO-DPMNE-së dhe zëvendëskryeministër dhe ministër i transportit, Aleksandar Nikollovski, sot mori pjesë në kontrollin e rikonstruimit të rrugës "Palmiro Tolati" në lagjen Çento, me ç'rast theksoi se ky projekt është mënyrë në të cilën duhet të zhvillohen projektet në të ardhmen, përkatësosht të përgatiten zgjidhje të përgjithshme që do të thonë zgjidhje e plotë për një lagje, apo një vendbanim, dhe jo zgjidhje parciale. Nikollovski paralajmëroi se mbështetja për Komunën Gazi Babë do të vazhdojë dhe do të realizohen projekte të shumta.

Shkup- Kandidati për kryetar të Qytetit të Shkupit nga rradhët e VMRO-DPMNE-së, Orce Gjorgjievski sot e njoftoi një projekt i cili, siç tha, do ta ndryshojë të ardhmen e trafikut në qytet, faza e parë nga bulevardi "Maqedonia" dhe rruga "Dame Gruev" do të shndërrohet në bulevard.  "Ky projekt nuk është vetëm pjesë e programit tim, por një kthesë e vërtetë për zonën qendrore të qytetit. Bëhet fjalë për një projekt kyç që do ta rregullojë plotësisht rrëmujën në qendrën e Shkupit. Rrethrrotullimi i ri tek "Nova Makedonija" dhe dy rrethrrotullimet te bulevardi "Koço Racin" dhe rruga "Zhelezniçka" do të sjellin rrjedhl më të sigurt dhe zgjidhje të mençura të trafikut sipas standardeve evropiane" deklaroi Gjorgjievski.

Shkup – Asnjë anëtar i udhëheqësisë aktuale të KME Manastir nuk është arrestuar, as përfshirë në procedurën vijuese, thonë nga SHA EMV pas informacioneve të publikuara në një pjesë të mediave për arrestime në lidhje me pronarin e “Markovski Kompani”, Borçe Markovski.  Personat e arrestuar, siç bëhet e ditur në kumtesën e SHA EMV, janë pjesë e udhëheqësisë së mëparshme të KME Manastir, ndërsa procedurën të cilën e zhvillojnë organet kompetente ka të bëjë me veprime dhe vendime të miratuara në periudhën e kaluar, para se udhëheqësia e tanishme ta ndërmarrë funksionin. 

Krivollak - Në poligonin ushtarak "Krivollak", ministri i Mbrojtjes Vlado Misajlovski dhe shefi i Shtatmadhorisë së Armatës, gjeneral-major Sasko Lafçiski, së bashku me ambasadorin e Republikës së Turqisë, Fatih Ulusoj, morën pjesë në qitjen artilerike me sistemet e reja të artilerisë "boran", të furnizuara në kuadër të procesit për modernizimin dhe pajisjen e Armatës. Në Krivollak u prezantua edhe uniforma e re për pjesëtarët e Armatës, e furnizuar në kuadër të Marrëveshjes për bashkëpunim ushtarak-financiar me Turqinë aleate. "Kjo është një ditë historike për Armatën dhe Ministrinë e Mbrojtjes", tha Misajllovski, në poligonin ushtarak Krivollak, ku zyrtarisht u pranuan-dorëzuan sistemet e reja të artilerisë "boran" dhe uniforma të reja për Armatën".

Tetovë - Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, përmes një konference për shtyp shpjegoi angazhimet e tij për projekte në fushën e kulturës nëse e fiton mandatin e dytë nga qytetarët. Ai shpjegoi se në fillim të mandatit të parë u organizuan dhjetëra ngjarje, aktivitete, festivale dhe organizime të ngjarjeve kulturore. "Në mandatin e parë e ringjallëm shpirtin kulturor të Tetovës, pas një periudhe të gjatë letargjie dhe mosinteresimi nga ana e komunës. Tetovën e rikthyem në kryeqendër kulturore dhe artistike për qytetarët tanë, ashtu siç i ka hijë qytetit tonë, me dhjetëra ngjarje dhe aktivitete, festivale dhe organizime. “Vera tetovare” i bëri bashkë të gjitha gjeneratat në qytetin tonë, në një festë të jetës, artit, kulturës dhe sportit. U kujdesëm që Tetova t’i pasqyrojë edhe vlerat e saj historike. Rrugën e Butiqeve e bëmë me kalldërm, duke ia dhënë pamjen që e meriton", theksoi Kasami. Ai paralajmëroi se përkrahja për kulturën dhe artin do të vazhdojë edhe në mandatin e ardhshëm.

Gostivar - Në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit – i njohur ndryshe si "Tetori rozë" – Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) organizoi sot një aktivitet sensibilizues në sheshin e qytetit të Gostivarit. Të pranishëm në këtë ngjarje ishin kryetari aktual i Komunës dhe kandidati për një mandat të ri nga AKI, Valbon Limani, si dhe bartësi i listës për Këshillin Komunal, Valdet Xhaferi. Duke folur për rëndësinë e parandalimit të kancerit të gjirit, Limani u shpreh: “Përmes informimit të drejtë dhe kontrolleve të rregullta, mund të shpëtojmë jetë. Prandaj ndërgjegjësimi është hapi i parë drejt parandalimit.”

Prishtinë - Policia e Kosovës në bashkëpunim me Agjencinë kosovare të inteligjencës dhe prokurorinë ka arrestuar sot Fatmir Shehollin, me dyshimet e bazuara për përfshirje në spiunazh, tha sot ministri në detyrë për Punë të Brendshme, Xhelal Sveçla. “Pres trajtim institucional me seriozitet të lartë të këtij rasti i cili përbën një nga aktet më të rënda ndaj sigurisë dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, shkroi Sveçla në Fejsbuk, njoftojnë mediat në Prishtinë. Ministri në detyrë tha se ai ka bashkëpunuar me akterë “që çdo ditë punojnë e veprojnë për të minuar Republikën tonë dhe progresin e saj”.

Prishtinë - Më 12 tetor, në Kosovë mbahen zgjedhjet e rregullta lokale për zgjedhje të kryesive tër eja në nivel lokal. Këto zgjedhje zhvillohen në kushte të gjendjes së jashtëzakonshme politike në nivel qendror, sepse shtatë muaj pas zgjedhjeve parlamentare, Kuvendi nuk është konstituuar në tërësi dhe qeveria nuk është zgjedhur. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i shpalli zgjedhjet në fillim të qershorit, edhe përkundër krizës institucionale. Të drejtë vote kanë pak më shumë se dy milionë votues, mes të cilëve edhe 100.000 jashtë Kosovës. Votuesit do të kenë para vetes dy fletëvotime: një për kandidatin për kryetar komune, ku për të fituar nevojiten më shumë se 50 për qind e votave në rrethin e parë, dhe i dyti për anëtarë në 38 kuvende komunale.

Belfast- Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Johan Vadeful deklaroi se Ballkani Perëndimor është pjesë e familjes evropiane, por se në rajon po rritet mosbesimi se në të ardhmen e afërt do të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, gjë që, siç paralajmëroi ai, mbart rrezik nga "kthimi në kohërat e vjetra të armiqësive dhe ndikimit të shtuar të Rusisë dhe Kinës". "Ballkani Perëndimor është pjesë e familjes evropiane. Prandaj, është e qartë për ne: rrugën drejt BE-së do ta ecim nësë bashku me gjashtë vendet e rajonit", deklaroi Vadeful në prag të takimit ministror mbi Ballkanin Perëndimor në kështjellën Holsboro pranë Belfastit", njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë.

Strasburg- Parlamenti Evropian sot në Strasburg në dy votime të ndara i hodhi poshtë dy nismat për mocion mosbesimi të Komisionit Evropian për Ursula fon der Lajen. "Pro" mocionit të mosbesimit të parashtruar nga grupi i krahut të djathtë Patriotët për Evropën (PFE), votuan 179 eurodeputetë, 378 ishin "kundër", ndërsa 37 "abstenuan". Nga ana tjetër, iniciativa e Të Majtës mori mbështetjen e 133 eurodeputetëve, 383 ishin "kundër", ndërsa 78 "abstenuan".

Paris – Presidenti francez Emanuel Makron sot e përshëndeti marrëveshjen ndërmjet Izraelit dhe lëvizjes islamike palestineze Hamas për lirimin e pengjeve dhe ndërprerjen e luftërave në Rripin e Gazës.  “Kjo marrëveshje duhet ta shënojë fundin e luftës dhe fillimin e zgjidhjes politike të bazuar në parimin me dy shtete”, deklaroi Makroni.  Ai shtoi se Franca është e gatshme të kontribuojë drejt këtij procesi dhe se sot pasdite në Paris do të bisedojë me partnerët ndërkombëtarë në konferencën kushtuar zbatimit të planit paqësor amerikan për Gazën dhe mbështetjen pas përfundimit të konfliktit. 

Tel Aviv – Izraeli dhe lëvizja militante palestineze Hamas sot ndërmorën hapat e parë drejt zbatimit të marrëveshjes paqësore e cila u bë e ditur nga presidenti amerikan, Donald Tramp gjatë natës. Sipas mediave izraelite, Këshilli i sigurisë i Izraelit do të mblidhet pasdite për t'u informuar rreth marrëveshjes për Gazën ku do të mbahet mbledhje qeveritare për të votuar marrëveshjen. Udhëheqësi i Zyrës së të burgosurve të Hamasit, Zaher Xhabarin, njoftoi më parë se lëvizja islamiste "ka paraqitur listat e të burgosurve palestinezë sipas kritereve të dakorduara dhe pret konfirmimin përfundimtar të emrave para publikimit të tyre". Trampi informoi se bisedimet ndërmjetësuese në Egjipt sollën marrëveshje për fazën e parë të planit të paqes.

Kajro - Më shumë vende arabe e kanë përshëndetur marrëveshjen mes Izraelit dhe lëvizjes palestineze Hamas për fazën e parë të planit paqesor të presidentit amerikan Donald Tramp, duke shfaqur shpresë se ky do të jetë hapi drejt marrëveshjes gjithëpërfshirëse paqesore. Presidenti egjiptian Abdel Fatah el-Sisi e ka quajtur marrëveshjen "moment historik që e simbolizon fitoren e vullnetit për paqe ndaj logjikës së luftës". Bisedat indirekte janë zhvilluar në pushimoren egjiptiane, Sharm el-Sheik në Detin e Kuq të hënën. "Kjo marrëveshje nuk e mbyll vetëm kapitullin e luftës; ai e hap derën e shpresës për popujt e rajonit për të ardhmen e bazuar ndaj drejtësisë dhe stabilitetit", ka shkruar El-Sisi në platformën Iks.

Cyrih - Egjipti ka mposhtur Xhibutin me 3:0 në ndeshjen e djeshme kualifikuese për Kupën e botës 2026 duke siguruar vendin e parë në Grupin A. Me këtë konfirmohen 19 nga 48 ekipet që do të marrin pjesë në Kupën e botës. Në Kupën e botës kualifikim siguruan: SHBA, Meksika, Kanadaja, Australia, Irani, Japonia, Jordania, Koreja e Jugut, Uzbekistani, Argjentina, Brazili, Ekuadori, Zelanda e Re, Uruguai, Kolumbia, Paraguai, Maroku, Tunizia dhe Egjipti. Kupa e Botës do të mbahet në vitin 2026 në Kanada, SHBA dhe Meksikë. Dyzet e tetë ekipe do të marrin pjesë në këtë turne për herë të parë.

QËNDRONI TË LIDHUR