• e diel, 09 gusht 2026
MIA Flesh

15:00/ 16 korrik/ 2026

Shkup - Gjyqtari i Gjykatës kushtetuese, Goce Naumovski ka dhënë dorëheqje nga posti i tij. Kushtetuesja informon se Naumovski deri tek ta nuk ka dorëzuar informacion zyrtar për dorëheqjen, por kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski ka marrë konfirmimin për dorëheqjen në një bisedë telefonike me kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi. "Gjykata nuk ka marrë informacion zyrtar nga gjyqtari Goce Naumovski se ai po dorëhiqet. Gjyqtari mungoi në seancën e sotme. Nuk është marrë asnjë konfirmim zyrtar as nga Kuvendi. Kostadinovski mori konfirmimin e dorëheqjes së tij në një bisedë telefonike nga kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi", informon Gjykata Kushtetuese. Naumovski u zgjodh për gjyqtar kushtetues nga Kuvendi më 18 shkurt të këtij viti, me 63 vota "pro", shtatë kundër dhe asnjë abstenim.

Shkup - Shkëlqyeshëm zhvillohet përgatitja për ndërtimin e hekurudhës së shpejtë të Korridorit 10, do të pasojnë prezantimet publike të studimeve, më pas përgatitja e marrëveshjeve të financimit dhe performancës dhe prezantimi i kushteve të financimit para Kuvendit - informoi sot zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski. Ai konfirmoi se afati për fillimin e punimeve mbetet fundi i vitit, siç deklaroi paraprakisht kryeministri Hristijan Mickoski. "Shkëlqyeshëm zhvillohet përgatitja për ndërtimin e Korridorit 10. Pëgatitja e studimit ekologjik për ndikim ndaj mjedisit social është përfunduar. Në fillim të gushtit do të ketë prezantime publike, do të ketë të paktër katër - në Shkup, Veles, Demir Kapi dhe Gjevgjeli,  ku popullsia lokale do të mund të njihet. Bëhet fjalë me të vërtetë për një dokument cilësor prej të paktën 1.600 faqesh, i cili i përfshin të gjitha aspektet. Pastaj rishikohet, përkatësisht përfshihen komentet e popullsisë lokale dhe në përputhje me marrëveshjen që kemi, kjo punë duhet të përfundojë deri më 31 gusht, pas së cilës do të fillojmë me specifikimin dhe shkrimin e marrëveshjeve për financimin e projektit dhe për zbatimin e projektit. Gjithçka është sipas planit siç e njoftova", tha Nikolloski në përgjigje të pyetjes së një gazetari gjatë një vizite në komunën e Kisella Vodës....

Shkup - Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, nga foltorja e Kuvendit kërkoi përgjigje të qartë nga Ministria e Punëve të Brendshme lidhur me paralajmërimet për rrezik para protestës së mbajtur në Tetovë. Pyetja ishte e drejtpërdrejtë. A kishte informacione reale dhe operative për rrezik, apo qytetarët u frikësuan pa asnjë bazë? Edhe pse në seancë ishte i pranishëm zëvendësministri i Punëve të Brendshme dhe kishte të drejtë të përgjigjej në emër të ministrit, ai zgjodhi të heshtë. Deputeti Snopçe u njoftua se përgjigjja do t’i dërgohet me shkrim. Kjo heshtje nuk i largon dilemat. Përkundrazi, i thellon ato.

Shkup - Me zgjidhjet e reja ligjore për planifikim urbanistik dhe ndërtim, është tejkaluar zbrazëtira e deritanishme dhe është krijuar një kornizë për ndërtimin e data qendrave në shtet. Edhe pse ende nuk ka nisma konkrete nga sektori privat, shteti seriozisht mendon për ndërtimin e data qendrave shtetërore me qëllim të mbrojtjes së institucioneve dhe rritjen e sigurisë kibernetike, theksoi ministri i Transportit dhe zëvendëskryeministër Aleksandar Nikolloski pas inspektimit në rrugën e rindërtuar "Lazar Dimitrov" në komunën e Kisella Vodës. Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve për lokacionet në këto qendra dhe harmonizimin e akteve nënligjore, ai tha se qëllimi primar është të mbahet hapi me trendet globale në këtë fushë, e cila deri tani aspak nuk ishte e rregulluar.

Shkup - Zëvendëskryetari i Qeverisë dhe ministër i Transportit Aleksandar Nikolloski është i kënaqur me aktivitetet për tejkalimin e problemeve me qëndrimin e shoferëve profesionistë të Maqedonisë në zonën Shengen dhe thekson se me procesin që shteti po e udhëheq në mënyrë të pavarur përmes bisedimeve dypalëshe, atyre tashmë po u lëshohen viza pune afatgjata. "Ne bisedimet  po i zhvillojmë  në mënyrë bilaterale. Kishim aktivitete që ishin publike, por kemi edhe shumë aktivitete në nivel ditor dhe kështu do të vazhdojmë të punojmë. Tashmë kemi arritur një marrëveshje me Zvicrën, Kroacinë, Rumaninë, jemi në fazën përfundimtare të një marrëveshjeje me Slloveninë, Austrinë dhe Gjermaninë, e cila në një farë mënyre zgjidh të gjithë problemin e transportuesve të Maqedonisë së Veriut duke u lëshuar atyre viza pune afatgjata, të cilat tashmë kanë filluar t'u lëshohen. Për Greqinë dhe për Bullgarinë tashmë funksionon, gjegjësisht ato menaxhohen si zona ndërkufitare dhe ditët e qëndrimit nuk llogariten aspak atje", tha Nikolloski në pyetjen e gazetarëve.

Shkup - Ministria e Transportit ka marrë përsipër sanimin për rrugën për në Teferiç të Kisella Vodës dhe pres që javën e ardhshme të shpall tender për riparim dhe stabilizim, informoi sot zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski. Ministria e mori përsipër projektin pasi u konstatua se Komuna dhe Qyteti nuk kanë kapacitet për ta tejkaluar problemin me rrëshqitjen jashtëzakonisht serioze të dheut. Tashmë është zhvilluar një projekt stabilizimi dhe sanimi i cili pritet të përfundojë para fillimit të dimrit.

Shkup - Komisioni kuvendor i arsimit, shkencës dhe sportit, sot në seancë konstatoi se propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për standardet studentore, me procedurë të shkurtuar, është i pranueshëm dhe e përcolli për lexim të mëtejshëm. Propozues të ligjit janë deputetët, Daniela Hristov, Karolina Naskovska, Ivanka Vasilevska dhe Velika Stojkova-Serafimovska.  Deputetja Hristova tha se me propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për standardin studentor plotësohen kushtet për akomodimin dhe ushqimin e studentëve në konviktet studentore, duke përcaktuar kufirin e moshës për pranimin në konvikt dhe duke rregulluar më tej procedurën për shqiptimin e masave disiplinore ndaj studentëve nëse nuk respektojnë rregulloren e brendshme të konviktit.

Shkup - Kryetari i Qeverisë Hristijan Mickoski, sot së bashku me ministrin e Mbrojtjes Vllado Misajllovski realizoi takim me kryeshefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura (FA) të Republikës Federale të Gjermanisë, gjeneralin Karsten Brojer. Mickoski në një postim në profilin e tij në Fejsbuk thekson se në takim është biseduar për përparimin e bashkëpunimit dypalësh në mbrojtje, forcimin e partneritetit në kuadër të NATO-s, si dhe sfidat aktuale të sigurisë me të cilat përballet Evropa. "Sot u takuam me kryeshefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Gjermane, gjeneralin Karsten Brojer. Biseduam për përparimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh në mbrojtje, forcimin e partneritetit në kuadër të NATO-s, si dhe sfidat aktuale të sigurisë me të cilat përballet Evropa. Së bashku konfirmuam vendosmërinë tonë për thellimin e bashkëpunimit përmes shkëmbimit të përvojave, aktiviteteve të përbashkëta dhe zhvillimit të mëtejshëm të kapaciteteve të forcave të armatosura, me qëllim forcimin e sigurisë rajonale dhe euroatlantike",  thekson Mickoski.

Shkup - Delegacioni i lartë i Forcave të armatosura të Republikës federale të Gjermanisë, i kryesuar nga shefi i Shtatmadhorisë, gjenerali Karsten Brojer, prej sot po qëndron për vizitë dyditëshe zyrtare në vendin tonë dhe tek Armata e vendit. Pas pritjes me nderime të larta ushtarake në Shtatmadhorinë e Armatës, gjenerali brojer realizoi takim me nikoqirin e tij, shefin e Shtatmadhorisë së Armatës, gjeneral-majorin Sashko Llafçiski. Në deklaratë prë mediumet, Llafçiski shprehi kënaqësi nga vizita e shefit të Shtatmadhorisë së Forcave të armatosura të Gjermanisë, për të cilën tha se paraqet edhe një konfirmim të miqësisë së fuqishme dhe të sinqertë mes Armatës së Maqedonisë së Veriut dhe Forcave të armatisura të Republikës fedrale të Gjermanisë, partneritet i ndërtuar mbi besim, vlera të përbashkëta dhe përcaktim të qartë për paqen dhe sigurinë. Më pas Llafçiski theksoi se Gjermania është një prej aleatëve dhe miqve tanë më të rëndësishëm.

Shkup - Ministri i Mbrojtjes Vlado Misajllovski sot pasdite në Fejsbuk informoi se në Ministrinë e Mbrojtjes është takuar me shefin e Shtatmadhorisë së Forcave të Armatosura të Gjermanisë, gjeneralin Karsten Brojer, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në vendin tonë. "Diskutuam për bashkëpunimin tonë në mbrojtje, i cili bazohet në besim, vlera të përbashkëta dhe përkushtim ndaj mbrojtjes kolektive, si dhe për mundësitë për përmirësimin dhe thellimin e tij të mëtejshëm. Gjermania është miku dhe aleati ynë i dëshmuar dhe aktualisht po punojmë në projekte të përbashkëta që janë me rëndësi të veçantë për Armatën e Maqedonisë dhe për forcimin e aftësive mbrojtëse. Ne e vlerësojmë veçanërisht mbështetjen dhe partneritetin gjerman në zhvillimin e kapaciteteve të Armatës sonë"; shkruan në publikimin në Fejsbuk. 

Shkup - Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, zhvilloi një takim pune me mjekët e përfshirë në platformën “Çairi në ritmin e shëndetit”, në të cilin u dakorduan aktivitetet e radhës që do të realizohen në kuadër të kësaj nisme. Duke filluar nga java e ardhshme, siç bëhet e ditur në kumtesën e Zyrës për Informim të Mediave në kuadër të Komunës Çair, në objektin e komunës do të organizohen ligjërata publike me pediatër, gjinekologë, mjekë të përgjithshëm dhe specialistë të fushave të ndryshme, të cilët do të ndajnë këshilla profesionale dhe informacione për ruajtjen e shëndetit dhe rëndësinë e parandalimit. Paralelisht, ekipet mjekësore do të vazhdojnë të jenë çdo ditë të pranishme në parqet e Çairit me stenda informuese, ku qytetarët do të mund të marrin këshilla shëndetësore, të matin tensionin e gjakut dhe nivelin e sheqerit në gjak, si dhe të informohen mbi rëndësinë e kontrolleve të rregullta.

Shkup - Seanca e Kuvendit sot pas një debati më të gjatë procedural, është ndërprerë dhe duhet të vazhdojë pasdite në ora 15. Pothuaj dy orë deputetët debatuan për vërejtje procedurale të lidhura me votimin për Propozim-ligjin për përfaqësim adekuat dhe të drejtë, në lexim të dytë. Nënkryetarja e Kuvendit, Vesna Bendeska, në fillim të seancës, informoi se Propozim-ligji për përfaqësim adekuat dhe të drejtë do të votohet në mënyrë shtesë, ndërsa deputetët do të njoftohen me kohë për ditën dhe orën e vendimmarrjes. Pastaj, disa deputetë nga opozita kërkuan që për zgjidhjen ligjore të votohet sot, duke theksuar se është siguruar kuorumi dhe se nuk ka pengesa që pika të vendoset në votim. Disa prej tyre kërkuan që sot të caktohet dita dhe ora për të vendosur për këtë pikë.

Shkup- Vetëm përmes partneritetit dhe krijimit të përbashkët të politikave mund të marrim vendime, të cilat do të kontribuojnë për rritje stabile ekonomike, kushte më të mira për punë dhe standard më të lartë jetësor për qytetarët, porositi në seancën e sotme të Këshillit ekonomik-social ministri i Ekonomisë dhe i Punës, Besar Durmishi. Këshilli ekonomik-social e miratoi Programin vjetor për punë për vitin 2026 dhe shqyrtoi Propozim-ligjin për arsim të lartë dhe Propozim-ligjin për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë dhe shkencë.

Shkup - Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) njofton se sot deri në orën 13 janë regjistruar dy zjarre në sipërfaqe të hapur, njëri prej të cilëve është aktiv dhe tjetri nën kontroll. Aktiv është zjarri në një fushë në fshatin Sërbicë në Komunën e Kërçovës, ndërsa zjarri në fshatin Bajkovë në Komunën e Novo Sellës është nën kontroll, duke prekur bimësi të ulët dhe pyje të përziera.

Shkup - Moti deri të hënën do të jetë me diell dhe shumë i nxhetë, me vranësira të vogla deri në mesatare, njoftojnë nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike. Temperatura veçanërisht të larta priten nesër dhe gjatë fundjavës, kur temperatura maksimale ditore në të gjithë vendin do të kalojë 31 gradë Celsius. Nga e marta pritet ndryshim i kushteve të motit. Sipas parashikimit, moti do të jetë i paqëndrueshëm, me reshje shiu, bubullima dhe erë të përforcuar. 

Londër- Kryeministri britanik, Kir Starmer sot qëndron për vizitën e fundit zyrtare në Ukrainë para largimit nga funksioni, me ç'rast porositi se mbështetja "e fuqishme si çeliku" e Mbretërisë së Bashkuar për Kievin do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Starmer në Kiev u takua me presidentin ukrainas, Volodimir zelenski, në prag të zgjedhjes së Endi Barnamit për lider të ri të Partisë laburiste dhe kryeministër të ri. Në deklaratën e publikuar para vizitës, Starmer vlerësoi se qëndruehsmëria e popullit ukrainas pas fillimit të invazionit të plotë rus në shkurt të vitit 2022 "e ruan sigurinë e Evropës". Ai e përkujtoi kontributin britanik për mbrojtjen ukrainase gjatë  mandatit të tij dyvjeçar në krye të qeverisë.

Londër - Kompania britanike për analizë sportive Opta e veçoi Spanjës si favorite - fituese në finalen e Kampionatit botëror kundër Argjentinës. Gjasat e reprezentacionit spanjoll për titullin botëror vlerësohen në 56,31 për qind, kumtoi Opta në ueb-faqen e vet. Gjasat për triumf të Argjentinës vlerësohen në 43,69 për qind. Finalja në të cilën do të përballen mbrojtësi i titullit, Argjentina dhe kampioni aktual evropian, Spanja, është caktuar për më 19 korrik në Nju-Xhersi me fillim në orën 21 sipas kohës sonë. Në gjysmëfinale, reprezentacioni i Spanjës e mposhti Francën me 2-0, të cilën Opta e vlerësoi si favorite për titullin.

Kiev – Ukraina nuk do të pranojë marrëveshje paqësore që do të nënkuptonte heqje dorë nga territoret dhe sovraniteti i saj, deklaroi ministri për Punë të Jashtme të Ukrainës, Andrij Sibiha, pas një takimi me homologun e tij turk, Hakan Fidan i cili vlerësoi se kontaktet me Rusinë dhe Ukrainën tregojnë se të dyja palët janë të gatshme për negociata. Fidan i cili po qëndron në Ukrainë, tha se Turqia është e gatshme të presë bisedime të mundshme paqësore. Sipas tij, Rusia dhe Ukraina duhet të vendosin se ku mund të takohen në kuadër të propozimit që u dakordua gjatë takimit të presidentit rus Vlladimir Putin dhe presidentit amerikan, Donald Tramp në Alaska. Ministri i jashtëm turk pritet të takohet edhe me presidentin ukrainas Volodimir Zelenski.

Kiev- Parlamenti i Ukrainës ka zgjedhur enjten Sergij Koreckin, kreun e kompanisë shtetërore të energjisë “Naftogaz”, si kryeministrin e ri të vendit, si pjesë e një riorganizimi të madh qeveritar të iniciuar nga presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski. Zelenski e ka nominuar Koreckin, duke përmendur karrierën e tij në sektorin e energjisë dhe duke argumentuar se ai ishte në pozicionin më të mirë për të ndihmuar në përgatitjen e Ukrainës për një dimër tjetër lufte. Ai është votuar me 289 vota pro. Emërimi erdhi ndërsa qindra protestues u mblodhën jashtë parlamentit për të kundërshtuar shkarkimin e ministrit të Mbrojtjes, Mihail Fedorov nga Zelenski pas vetëm gjashtë muajsh në detyrë, pasi kritikët paralajmëruan se ky veprim mund të dëmtonte reformat ushtarake gjatë luftës.

Moskë – Kremlini sot kumtoi se për momentin nuk ka perspektivë për vazhdimin e negociatave paqësore me Ukrainën, megjithëse theksoi se Rusia mbetet e hapur për mundësinë për dialog. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, deklaroi se Rusia e vlerëson gatishmërinë e Turqisë për të ndihmuar në përpjekjet për arritjen e paqes, por se për momentin nuk pritet vazhdimi i bisedimeve. "Jemi plotësisht të vetëdijshëm për gatishmërinë e miqve tanë turq që të vazhdojnë të lehtësojnë rrugën drejt një zgjidhjeje paqësore të situatës lidhur me Ukrainën – deklaroi Peskov para gazetarëve.

Kiev - Ukraina dhe nëntë shtete partnere e miratuan Deklaratën e Kievit pas takimit të pestë të krerëve Ukraina - Evropa Juglindore, njoftoi presidenca ukrainase, ndërsa dokumenti është publikuar në ueb-faqen zyrtare të presidentit Volodomir Zelenski. "Duke u bazuar në rezultatet e takimeve të mëparshme në Athinë, Tiranë, Dubrovnik dhe Odesa, ne riafirmojmë rëndësinë e Samitit Ukrainë-Evropë Juglindore si format i rëndësishëm për dialogun politik, bashkëpunimin rajonal dhe sigurinë e përbashkët. Mbajtja e takimit në Kiev në Ditën e Shtetësisë së Ukrainës ka rëndësi simbolike, pasi konfirmon vazhdimësinë e më shumë se një mijë viteve të shtetësisë së Ukrainës", thuhet në deklaratë. Në dokument përsëri theksohen "këmbëngulja, fuqia dhe guximi i popullit ukrainas në mbrojtjen e identitetit kombëtar, të ardhmes dhe lirisë kundër agresionit rus nga viti 2014". Theksohet se në Evropë nuk mund të ketë paqe të përhershme, siguri, qëndrueshmëri ose prosperitet pa Ukrainë sovrane dhe të pavarur. 

Uelington - Tërmet me intensitet prej 5,9 ballë sipas Shkallës së Rihterit sot e ka goditur rajonin në afërsi të qytetit Te Anau në Ishullin Jugor të Zelandës së Re, për të cilin shkak autoritet për kohë të shkurtë lëshuan paralajmërim për rrezik nga cunami, i cili më vonë është tërhequr. Tërmeti ka ndodhur në ora 21:14 sipas kohës lokale (11:14 sipas kohës së mesme evropiane), ndërsa epiqendra ka qenë rreth 40 kilometra në veri të qytetit Te Anau, kumtoi Agjencia kombëtare për menaxhim me situatat të jashtëzakonshme të Zelandës së Re. Tani për tani nuk ka informata për persona të lënduar ose dëm të shkaktuar material.

QËNDRONI TË LIDHUR