• e hënë, 17 nëntor 2025
MIA Flesh

09:00 / 13 tetor / 2025

Shkup - Partitë politike, koalicionet dhe kandidatët e pavarur do të vazhdojnë edhe sot me prezantimin e programit të tyre si dhe kandidatëve për kryetar komune për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 19 tetor. Sot janë paralajmëruar tubime dhe takime të drejtpërdrejta në disa komuna të vendit. VMRO-DPMNE dhe koalicioni do të prezantojnë kandidatët e tyre në Rosoman, Gradsko, Llozovë dhe Veles, ndërsa LSDM ka paralajmëruar aktivitete në Bogdanci, Zërnovc, Çeshinovë-Obleshevë, Vinicë dhe Koçan. Aktivitete janë paraparë edhe nga partitë shqiptare, respektivisht nga VLEN dhe AKI.

Shkup - Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit (KSHPK), sot do të mbajë mbledhjen e 23-të. Në rend dite janë pesë pika - Propozim procesverbali i seancës së 22-të të KSHPK-së, të mbajtur më 27 gusht 2025, procedurat mbi lëndët zgjedhore, procedurat për lëndët, pyetje dhe propozime dhe procedurat mbi raportet nga informatorët.

Shkup - Droga psikotrope, metilen dioksimetamfetaminë, mefedron dhe marihuanë, u gjetën gjatë një kontrolli në një shtëpi në Gostivar ku ndodhej një studente, shtetase e Republikës së Turqisë. Siç kumtoi Drejtoria doganore, gjatë kontrollit, të kryer me urdhër të marrë nga zyra e prokurorit kompetent, inspektorët e Departamentit të Hetimit gjetën gjithsej gjashtë tableta me nga 0.29 gramë droga psikotrope, 1.63 gramë mefedron, marihuanë dhe dhjetë fara kanabisi. "Gjatë procedurës para-hetimore, u përcaktua se studentja ka marrë një dërgesë ajrore të dërguar nga një person fizik nga Belgjika, regjistruar si "shënim". Pas marrjes, i dyshuari e hapi dërgesën dhe i hoqi drogat prej saj. Në të njëjtën kohë, inspektorët doganorë, me urdhër të prokurorit publik, kryen një kontroll, gjatë të cilës u gjet droga", theksohet në kumtesën.

Shkup - Në një atmosferë entuziazmi të madh në Saraj, njëri nga liderët e koalicionit VLEN dhe kandidati për kryetar komune në Çair, Izet Mexhiti, ka mbajtur një fjalim të fuqishëm në mbështetje të kandidatit për kryetar komune, Muhamed Elmazi. Para një salle të mbushur përplot, Mexhiti theksoi se energjia e të rinjve dhe përkushtimi i Elmazit janë garanci e fitores në Saraj. “Kordoni i të rinjve jashtë, i thash Muhamed Elmazit vetëm me këto me i fut brenda mbushet salla, ndërsa kur hyra këtu brenda e pash vulën e fitores në Saraj në krye me Muhamed Elmazin”, u shpreh Mexhiti. Ai rikujtoi se qeverisja e koalicionit VLEN në vetëm 15 muaj ka dëshmuar kapacitet, integritet dhe vizion të qartë për të sjellë konkurrencë të ndershme në politikën shqiptare.

Shkup -  Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, në tubimin e mbrëmshëm në Gazi Babë theksoi se qytetarët ndodhen përpara një momenti historik dhe një zgjedhjeje midis vazhdimit të poshtërimit dhe një fillimi të ri që do ta rikthejë shpresën në komunë dhe në shtet. “Ne çdo detyrë që e kam pasur, edhe në më të vështirat, kam dalë me rezultate. Sepse nëse vazhdojmë kështu, nuk do të ketë më shpresë. Njerëzit do ta humbasin shpresën, një grup do të vazhdojë të pasurohet në kurrizin tuaj, ashtu siç ka bërë për njëzet vjet, ndërsa fëmijët tanë do të kërkojnë rastin e parë për ta lënë Çairin”, tha Osmani. Ai bëri thirrje për veprim të përbashkët, për ta ndalur këtë gjendje të padrejtësisë dhe degradimit.

Shkup - Moti sot do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe periudha me diell, me erë të lehtë deri mesatare nga drejtimi verior. Drejt fundit të ditës, vranësirat do të zvogëlohen. Temperatura minimale sot do të lëvizë nga 3 deri në 11, ndërsa ajo maksimale nga 16 deri në 22 gradë Celsius. Në Shkup, mot i ngjashëm me temperatura minimale prej 8 dhe maksimale deri në 20 gradë Celsius. 

Prishtinë - Pas votimit të djeshëm në zgjedhjet lokale në Kosovë, rezultatet paraprake tregojnë se raundi i dytë i votimit do të mbahet në 17 komuna, përfshirë Prishtinën, Prizrenin dhe Mitrovicën, pasi asnjëri prej kandidatëve nuk fitoi shumicën absolute. Pjesëmarrja në votime ka qenë 39,51 për qind që është më e ulët se në zgjedhjet e mëparshme. Sipas rezultateve paraprake, 21 komuna, madje e përfundojnë garën në raundin e parë, mes të cilave: Partia Demokratike e Kosovës (PDK) fitoi pa raund të dytë në Ferizaj, Skenderaj dhe Han të Elezit.

Paris - Presidenca franceze sot e publikoi përbërjen e trupit të ri qeveritar, të udhëhequr nga kryeministri Sebastian Lekornu, ku ka edhe fytyra të njohura edhe të reja. Siç njoftoi Frans24, qëllimi i formimit të Qeverisë është të shmanget thellimi i krizës politike në vend. Në përbërjen e re, Zhan-Noel Baro mbetet ministër i Punëve të Jashtme, ndërsa funskionin ministër i Forcave të Armatosura e ndërmerr ministrja e deritanishme e Punës, Katrin Uotren. Kryeministri Lekornu deklaroi se qeveria është përbërë "që t'i sigurojë buxhet Francës para fundit të vitit".

Bruksel - Kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Koshta, sot me ftesë të presidentëve të Egjiptit dhe SHBA-së, Abdel Fatah al-Sisi dhe Donald Tramp do të marrë pjesë në Samitin e paqes në vendin turistik egjiptian Sharm El Sheik. "Nesër në Egjipt fillon rruga e gjatë drejtë paqes. Bashkësia ndërkombëtare është bashkuar në angazhimin e tij drejt një të ardhme në të cilën palestinezët dhe izraelitët jetojnë krah për krah në paqe dhe siguri", potencoi dje Koshta para se të nisej për në Sharm El Sheik. Sipas Koshtës, për herë të parë pas një kohe kaq të gjatë ekziston një shpresë e vërtetë për paqe në Lindjen e Mesme. 

Bruksel - Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, sot nga Tirana fillon turneun e saj treditor drejt vendeve nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, ku të mërkurën do të udhëtojë në Shkup. Siç informon Komisioni Evropian, gjatë qëndrimit të saj në Shkup, Fon der Lajen të mërkurën pasdite do të takohet me presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi. Në ditën e parë të turneut të pestë të këtij viti në Ballkanin Perëndimor, Fon der Lajen sot në Tiranë do të ketë takim me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama, pas çka do të mbajë fjalim në hapjen e Forumit rajonal të investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor. 

Bruksel - Me pjesëmarrje të mbi 2.000 ushtarëve nga 14 vende anëtare të NATO-s, sot fillon stërvitja dyjavore ushtarake e quajtur "Mesditë e palëkundur", e orientuar drejt testimit të kapaciteteve të Aleancës për përgjigje bërthamore. Në pjesën më të madhe, stërvitja do të mbahet në bazën ajrore "Folkel" në Holandë dhe mbi Detin Verior, por në të do të përfshihen edhe disa kapacitete tjera ushtarake në Evropë, përfshirë edhe në Belgjikë. Qëllimi i "Mesditës së palëkundur" është stërvitja për shfrytëzim, transport dhe menaxhim me armë taktike bërthamore, me fokus të posaçëm në procedurat, komunikimin dhe bashkëpunimin, e jo në vet shfrytëzimin e saj.

Tel Aviv - Hamasi sot filloi me lirimin e pengjeve të mbetura në Gazë, njoftuan mediat izraelite, sipas të cilave shtatë sot në mëngjes iu dorëzuan Komitetit ndërkombëtar të Kryqit të Kuq. Gjatë ditës pritet të lirohen gjithsej 20 pengje. Sipas mediave, tre nga katër shtetasit gjermano-izraelitë u liruan në grupin e parë. Pengjet fillimisht do të transportohen në bazën ushtarake izraelite Reim, ku do t'u nënshtrohen ekzaminimeve mjekësore, do të pastrohen dhe do të marrin rroba të pastra. Më pas, ata do të ribashkohen me familjet e tyre, përpara se të transferohen në spitale për trajtim të mëtejshëm.

Uashington - Lufta në Rripin e Gazës përfundoi, deklaroi presidenti i SHBA-së, Donald Tramp para se të shkojë për vizitë në Izrael dhe në Egjipt, ku sot do të mbahet samit për arritjen e paqes në enklavën palestineze. Trampi shtoi se vizita "do të jetë një moment shumë i posaçëm". "Të gjithë me padurim presin ta përjetojnë", tha Tramp. Ai shtoi se shumë njerëz edhe në Izrael edhe në botën arabe i "duartrokasin" marrëveshjes, të cilën e ndërmjetësoi administrata e tij.

Meksiko Siti - Të paktën 47 persona e kanë humbur jetën, ndërsa 38 llogariten të zhdukur në përmbytjet dhe shembjet e dheut, të shkaktuara nga të reshurat e mëdha në disa pjesë të Meksikës, kumtuan autoritetet. Rreth 260 vendbanime, kryesisht në pjesët malore, janë tërësisht të izoluara nga bota e jashtme, ndërsa dhjetëra mijë shtëpi janë të mbushura me baltë dhe mbeturina. Presidentja meksikane, Klaudia Sheinbaum është pritur me protesta gjatë vizitës në qytetin e përmbytur Poza Rika në shtetin lindor federal Verakruz. Qytetarët kërkojnë ndihmë më të shpejtë nga autoritetet.

Shkup - Në Arenën kombëtare "Todor Proeski" në Shkup sonte prej orës 20:45, reprezentacioni i Maqedonisë së Veriut në futboll do të jetë nikoqir i Kazakistanit. Kjo ndeshje është e parafundit për të dy seleksionet në kualifikimet për Kampionatin botëror 2026. Në grupin J, reprezentacioni i Maqedonisë së Veriut është lider me 12 pikë, Belgjika ka 11 dhe një ndeshje më pak, Uellsi është i treti me 10, po ashtu me një ndeshje më pak, Kazakistani ka gjashtë pikë, ndërsa Lihteshtajni është i fundit me zero pikë. 

QËNDRONI TË LIDHUR