• e premte, 04 shtator 2026
MIA Flesh

18:00 / 17 qershor / 2026

Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski sot deklaroi se eurodeputetët duhet ta mbështesin amendamentin që përjashton protokollet bilaterale si pjesë integrale formale e kornizës negociuese me BE-në. "Nëse Evropa dëshiron ta ruajë kredibilitetin e vet, duhet ta bëjë këtë, duhet ta korrigjojë padrejtësinë që i është shkaktuar Maqedonisë. Mendoj se kjo duhet të ndodhë, eurodeputetët duhet ta mbështesin si amendamentin që vëren përfitimet dhe progresin, por edhe pjesën në të cilën protokollet nuk janë pjesë integrale e kornizës negociuese. I inkurajoj dhe lus eurodeputetët t'u përmbahen vlerave evropiane të definuara nga Shumani, Adenaueri dhe De Gasperi gjatë formimit të BE-së", deklaroi Mickoski. Sipas tij, për fat të keq, ndonjëherë duhet ta kërkojmë fajin tek vetja jonë, sepse në të kaluarën kemi pasur politikanë mediokër që u shkaktuan dëme si qytetarëve ashtu edhe shtetit.

Shkup - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, sot në Dublin u takua me ministren e Punëve të Jashtme, Tregtisë dhe Mbrojtjes të Irlandës, Helen Mekenti. Në takim u konfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe dhe angazhimi i përbashkët për të nxitur më tej bashkëpunimin politik, ekonomik dhe tregtar midis dy vendeve, kumtuan nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme. "Theks i veçantë në bisedime u vu në integrimin evropian, në pritje të presidencës së ardhshme irlandeze të Këshillit të Bashkimit Evropian, e cila fillon më 1 korrik. Ministri Mucunski shprehu mirënjohje për mbështetjen parimore dhe të vazhdueshme irlandeze për politikën e zgjerimit dhe aspiratat evropiane të vendit. Pastaj, theksoi vendosmërinë e fortë të Qeverisë për të vazhduar procesin e reformave dhe përparimin në rrugën evropiane, duke theksuar se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet një qëllim strategjik dhe nxitësi më i fortë i zhvillimit demokratik, ekonomik dhe social", theksohet në kumtesë. 

Shkup - Keji në lumin Vardar po merr një pamje të re dhe më të rregullt me ​​instalimin e pajisjeve të reja urbane, që synojnë përmirësimin e kushteve për qëndrim, rekreacion dhe sport për qytetarët, kumtojnë nga Qyteti i Shkupit. "Në këtë lokacion, një nga më të vizituarit në Shkup, janë instaluar karrige dhe kosha të rinj për mbeturina, duke e bërë hapësirën më të pastër, më funksionale dhe më të këndshme për të gjithë vizitorët",  theksohet në kumtesën e Qytetit të Shkupit.

Shkup - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, realizoi sot takim me ambasadorin e Mbretërisë së Suedisë në vend, Ola Solstrom, në të cilin u konfirmua bashkëpunimi i shkëlqyer dypalësh ndërmjet dy shteteve, si dhe partneriteti i fuqishëm në kuadër të NATO-s dhe organizatave parlamentare ndërkombëtare, njoftojnë nga Kuvendi. "Kryetari Gashi shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Suedia i jep Maqedonisë së Veriut në procesin e integrimit evropian. Gjatë bisedës u theksua rëndësia e mbajtjes së politikës së zgjerimit lart në agjendën e Bashkimit Evropian, si instrument kyç për forcimin e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në kontinentin evropian", qëndron në kumtesën e Kuvendit. 

Dibër – Në shkollën e vetme të mesme në Dibër, gjimnazin “28 Nëntori” në regjistrimin e parë, në afatin e parë, në vitin e parë, për vitin shkollor 2026/2027, janë plotësuar vetëm 32 nga 238 vendet e parapara të nxënësve. “Në institucionin tonë arsimor kanë aplikuar për regjistrim 44 nxënës që kanë përfunduar shkollën fillore, 12 prej tyre në gjuhën maqedonase dhe 32 për paralele në gjuhën shqipe. Nga këta, u regjistruan 32 nxënës, ose 7 për mësim në gjuhën maqedonase dhe 25 në gjuhën shqipe. Presim një pjesëmarrje më të madhe në regjistrimin e dytë, i cili do të jetë më 23 të këtij muaji”, deklaroi për MIA-n Bora Korumi, profesoreshë dhe udhëheqëse e regjistrimit në gjimnaz.

Prishtinë - Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, mori pjesë sot në hapjen e Panairit të Librit. U.D. Presidentja Haxhiu, në një fjalë para të pranishmëve tha se Panairi i Librit është ndër ngjarjet e rralla kur libri del në qendër të vëmendjes publike. “Për disa ditë, flitet për botime, për autorë, lexues, për përkthime, për punën e botuesve dhe për njerëzit që ende e kultivojnë një nga punët më të vështira e më të domosdoshme të kulturës sonë”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu.

Paris - Një treg më i integruar i mbrojtjes në Bashkimin Evropian do të përforconte industrinë e mbrojtjes së BE-së dhe do t'u mundësonte qeverive të blejnë më shumë pajisje ushtarake evropiane, deklaroi komisari i Mbrojtjes, Andrius Kubilius. Ai i një konference për mbrojtjen në Paris deklaroi se kjo do të ndihmonte ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të rriteshin dhe të inovoheshin, siç kanë bërë kompanitë ukrainase vitet e fundit. Sipas tij, kjo do ta bënte industrinë evropiane të mbrojtjes më konkurruese në nivel global. 

Bruksel – Aleatët evropianë po rrisin kontributin e tyre me forca shtesë që mund t’i vihen në dispozicion NATO-s në rast të krizës ushtarake, pasi SHBA e zvogëloi pjesëmarrjen e tyre, deklaroi sot Sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Mark Rute. Muajin e kaluar, Uashingtoni i informoi aleatët për vendimin për të zvogëluar vëllimin e kapaciteteve dhe forcave ushtarake amerikane që do të ishin në dispozicion në rast krize. Vendimi ka ngritur pyetje se si dhe kur vendet evropiane do të mbushin boshllëqet e lëna nga pjesëmarrja e reduktuar e SHBA-së.

Kopenhagë - Ministri danez i Mbrojtjes, Jepe Brus, sot paralajmëroi se vjeshtës do të vendoset një batalion prej 850 ushtarësh në Letoni, detyra e së cilës është për të penguar Rusinë. Batalioni danez do të zëvendësojë kontingjentin suedez të stacionuar në rajonin e Balltikut. "Është e rëndësishme që të luajmë rolin tonë në parandalimin e Rusisë", tha Brus. 

Evian – SHBA-ja dhe vendet anëtare evropiane të G7 do të prodhojnë raketa me rreze të gjatë veprimi dhe sisteme për mbrojtje kundërajrore pas licencës në Ukrainë, transmeton Frans pres, duke iu referuar një diplomati i cili merr pjesë në samitin e G7 në qytetin francez Evian. “Pas licencës do të prodhojmë jo vetëm sisteme për mbrojtje kundërajrore, por edhe kapacitete për sulme me rreze të gjatë veprimi, gjegjësisht raketa me rreze të gjatë veprimi”, deklaroi një burim anonim në margjinat e samitit. Diplomati nuk tregoi hollësi shtesë për kornizën kohore, për vëllimin e prodhimtarisë ose për kompanitë të cilat do të ishin përfshirë në këtë projekt. 

Kiev - Forcat e Armatosura të Ukrainës kanë goditur tankerin "FINA A" në Detin e Zi, i cili është përbërje e "flotës në hije" ruse, publikoi Shtatmadhoria e armatës ukrainase. Objektivi u godit me sukses, ndërsa për momentin vlerësohet përmasa e dëmit, publikoi Shtatmadhoria ukrainase në Telegram.

QËNDRONI TË LIDHUR