Memorandumi i paqes amerikano-izraelit mund të nënshkruhet të dielën në Gjenevë
- Memorandumi midis ShBA-së dhe Iranit për t'i dhënë fund Luftës së Gjirit mund të nënshkruhet që të dielën, deklaroi një burim perëndimor për Rojtersin, ndërsa Gjeneva përmendet si një vend i mundshëm për nënshkrim.
Dubai, 12 qershor 2026 (MIA) - Memorandumi midis ShBA-së dhe Iranit për t'i dhënë fund Luftës së Gjirit mund të nënshkruhet që të dielën, deklaroi një burim perëndimor për Rojtersin, ndërsa Gjeneva përmendet si një vend i mundshëm për nënshkrim.
Burimi theksoi se teksti i memorandumit ishte ende duke u finalizuar dhe se Irani po i përmbahet qëndrimit të tij se marrëveshja duhet të përfundojë edhe luftimet në Liban, ku Izraeli po lufton Hezbollahun të mbështetur nga Irani.
Qëllimi është që teksti të finalizohet deri të shtunën, në mënyrë që marrëveshja të mund të nënshkruhet nga nënpresidenti amerikan Xh.D. Uens dhe kryetari i Parlamentit iranian Mohamed Beker Galibaf.
Vendi i nënshkrimit ende nuk është përcaktuar, por ka të ngjarë të jetë Gjeneva.
Trampi dje deklaroi se po i anulon sulmet e reja ndaj Iranit që i paralajmëroi për sot, sepse, siç tha, marrëveshja tani është gati.
"Ne sapo arritëm një marrëveshje të shkëlqyer për luftën me Iranin", deklaroi dje Trampi para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
Por, kushtet e marrëveshjes, siç i përshkruan përfaqësuesit iranianë sot, duket se i japin Teheranit shumë nga ajo që ka kërkuar deri më tani, ndërsa Trampi duket se ka marrë pak nga ajo që kërkoi, përveç rihapjes së Ngushticës së Hormuzit, të cilën Irani e mbylli kur Tramp urdhëroi sulmet më 28 shkurt.
Një burim i lartë iranian sot për Rojtersin deklaroi se draft-marrëveshja do të heqë sanksionet mbi naftën iraniane, do të shkrijë miliarda dollarë mjete të ngrira dhe do të kërkojë fundin e armiqësive në të gjitha frontet, përfshirë edhe në Liban.
Çështjet bërthamore do të lihen mënjanë për negociata të mëvonshme. Uashingtoni dëshiron një marrëveshje që siguron që Irani të mos zhvillojë kurrë armë bërthamore, ndërsa Irani thotë se as nuk po përpiqet të zhvillojë armë bërthamore, por dëshiron të përdorë energjinë bërthamore vetëm për qëllime paqësore.
Heqja e sanksioneve, zhbllokimi i mjeteve iraniane dhe ndalimi i sulmeve izraelite ndaj Libanit janë kërkesat kryesore të Iranit, raportoi Rojtersi, duke shtuar se burimi nuk tha se çfarë do të ofronte Irani në këmbim dhe se ShBA nuk i ishin përgjigjur ende një kërkese për sqarime.
Agjencia iraniane e lajmeve Mehr bëri të ditur se kushtet e marrëveshjes përfshijnl edhe lëshime të tjera kyçe nga ShBA, duke përfshirë një angazhim për tërheqjen e forcave amerikane nga afërsia e Iranit dhe për të paraqitur një plan për rindërtimin e ekonomisë së shkatërruar të Iranit.
ShBA dhe aleatët e tyre duhet të paraqesin plane për rindërtimin e Iranit me vlerë të paktën 300 miliardë dollarë", tha agjencia iraniane.
Foto: Arkivi i MIA-s