Meloni zhvilloi një varg bisedimesh para samitit të G7 në Kanada
- – Kryeministrja italiane Xhorxha Meloni mbajti një varg bisedimesh me aleatët e vendit pasi dje mbërriti në Kanada për Samitin e G7, njoftoi agjencia italiane e lajmeve ANSA.
- Post By Fitore Curri
- 14:45, 16 qershor, 2025

Romë, 16 qershor 2025 (MIA) – Kryeministrja italiane Xhorxha Meloni mbajti një varg bisedimesh me aleatët e vendit pasi dje mbërriti në Kanada për Samitin e G7, njoftoi agjencia italiane e lajmeve ANSA.
Meloni bisedoi me kryeministrin britanik Kir Starmer dhe kancelarin gjerman Fridrih Merc para se të marrë pjesë në takimin me Starmerin, Mercin, presidentin francez Emanuel Makron dhe kryeministrin kanadaz Mark Karni.
Zyra e Melonit njoftoi se takimi me Starmerin ka dhënë mundësi për diskutim të thelluar për çështjet më urgjente në agjendën ndërkombëtare, duke filluar nga situata në Lindjen e Mesme dhe konflikti në Ukrainë.
"Në takim, gjithashtu, vazhdoi koordinimi i ngushtë si në lidhje me rendin e ditës së G7 ashtu edhe në prag të samitit të NATO-s në Hagë, me përafrim të plotë të qëndrimeve. Së fundmi, të dy udhëheqësit shqyrtuan fushat kryesore të bashkëpunimit dypalësh, veçanërisht në fushat e energjisë, promovimit të investimeve, sigurisë dhe mbrojtjes, me vëmendje të veçantë ndaj bashkëpunimit gjithnjë e më të frytshëm në luftën kundër emigracionit të paligjshëm dhe trafikimit të qenieve njerëzore", njoftoi zyra e Melonit.
Kabineti i Melonit tha se takimi me Mercin "mundësoi konfirmimin e vullnetit të përbashkët për të organizuar një takim të ri ndërqeveritar midis Italisë dhe Gjermanisë në Romë në fillim të vitit 2026, si dhe për të ruajtur koordinim të ngushtë mbi çështjet kryesore në agjendën e BE-së, siç është lufta kundër emigracionit të paligjshëm dhe konkurrueshmëria. Takimi gjithashtu lejoi një shkëmbim pikëpamjesh mbi zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe luftën në Ukrainë në kontekstin e marrëdhënieve transatlantike dhe në pritje të samitit të ardhshëm të NATO-s në Hagë", thuhet në kumtesë. fc/
Foto: ANSA