• e mërkurë, 07 tetor 2026

Mediat: Dhjetëra profile në Instagram të aktivistëve, gazetarëve dhe liderëve të opozitës shqiptare u bllokuan ose u çaktivizuan gjatë protestave

Mediat: Dhjetëra profile në Instagram të aktivistëve, gazetarëve dhe liderëve të opozitës shqiptare u bllokuan ose u çaktivizuan gjatë protestave

Tiranë, 4 shtator 2026 (MIA) - Dhjetëra profile në Instagram të aktivistëve shqiptarë, gazetarëve dhe liderëve të opozitës u bllokuan ose u çaktivizuan gjatë protestave kundër planit për ndërtimin e një kompleksi turistik luksoz në jug të Shqipërisë, raportuan sot mediat shqiptare, duke përcjellë një lajm të "Politiko".

Protestat zgjasin prej gati 100 ditësh, ndërsa projekti është i lidhur me Xhared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Tramp.

Përdoruesit, profilet e të cilëve janë bllokuar, raportojnë se po marrin njoftime për shkelje të të drejtave të autorit për përmbajtje që e kanë filmuar ose publikuar vetë.

Rasti i llogarive të bllokuara shkaktoi reagime edhe në nivel evropian. Eurodeputeti italian, Sandro Goci, i bëri thirrje kompanisë amë Meta që të japë menjëherë një shpjegim për masat e ndërmarra.

"Kur dhjetëra llogari të opozitës dhe aktivistëve, të lidhura me të njëjtën lëvizje protestuese, zhduken pothuajse njëkohësisht, nuk mund të supozojmë thjesht se bëhet fjalë për një problem teknik", tha Goci. Ai i bëri thirrje Metës të sqarojë arsyet e bllokimit dhe theksoi rëndësinë e këtij rasti për një vend si Shqipëria, e cila kërkon anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Rrjetet sociale janë bërë mjeti kryesor i protestuesve. Përmes Instagramit, qytetarët dhe gazetarët transmetojnë informacione në kohë reale, mobilizojnë pjesëmarrësit në protesta dhe publikojnë pamje nga përplasjet me policinë.

Megjithatë, gjatë javëve të fundit, një numër i madh përdoruesish kanë marrë njoftime për shkelje të pretenduara të të drejtave të autorit, ndërsa një pjesë e përmbajtjes që kanë publikuar është hequr. Llogari të tjera janë kufizuar përkohësisht ose janë mbyllur përgjithmonë.

Përdoruesit e prekur mohojnë kategorikisht se kanë shkelur rregullat e Instagramit.

Organizata joqeveritare për të drejtat digjitale "Repro Uncensored" njoftoi se ka analizuar qindra raste të tilla dhe nuk ka gjetur asnjë shkelje të standardeve të komunitetit të platformës.

Meta tha se po shqyrton masat e ndërmarra ndaj llogarive të prekura. Kompania tashmë ka rikthyer disa prej tyre, pasi ka konstatuar se ishin hequr gabimisht.

Meta, kompania amë e Instagramit dhe Fejsbukut, kërkoi falje për shqetësimet dhe tha se përdoruesit mund të ankohen ndaj vendimeve për bllokimin, nëse besojnë se llogaritë e tyre janë kufizuar në mënyrë të padrejtë.

Mes të prekurve është edhe Agron Shehaj, deputet i parlamentit shqiptar dhe lider i partisë opozitare "Mundësitë". Profili i tij u çaktivizua të mërkurën në mbrëmje. Shehaj për "Politiko" deklaroi se rregullat e paqarta për bllokimin dhe heqjen e profileve mund të përdoren për të kufizuar zërat kritikë.

"Dhe pikërisht këtë po e shohim tani: qindra profile që mbështesin protestat dhe bëjnë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama u mbyllën brenda natës", tha ai.

Kryeministri Edi Rama i mohoi akuzat se qeveria e tij ishte e përfshirë në bllokimin e profileve.

"Dua të jem absolutisht i qartë: Ne nuk kemi absolutisht asnjë lidhje me çaktivizimin apo kufizimin e asnjë profili në rrjetet sociale dhe as nuk kemi mundësi teknike për të kryer një operacion të tillë", shkroi kryeministri shqiptar në platformën X. qa/

QËNDRONI TË LIDHUR